Analiza

Apple fitoi, por çfarë do të thotë kjo për ne?

Publikuar , 27 Gusht 2012
0
Apple fitoi, por çfarë do të thotë kjo për ne?

Apple arriti fitore ndaj Samsung-ut në gjykatën amerikane, vendimi i së cilit ndoshta nuk habiti askënd duke patur parasysh sasinë dhe llojin e provave të paraqitura.

Gjykata vuri në dukje se prodhimet nga Samsung-u kanë përdorur në mënyrë të paligjshme patentat e Apple, si psh. “bounce-back” (efekti i cili shfaq ashensorin deri në fund të listës), prekja dy herë për rritje (zoom), pinch to zoom, por edhe vetë ikonografinë dhe dizajnin e pajisjeve. Juria gjithashtu hodhi poshtë të gjitha akuzat e Samsung-ut se Apple, në mënyrë të paligjshme, ka përdorur patentat e tyre në iPhone dhe iPod Touch.

Kompensimi për dëmet që janë bërë arrin vlerën në 1.05 miliardë dollarë, shumë të cilën Samsung duhet t’ia paguajë Apple.

Rëndësinë më të madhe të vendimit do ta dimë pas disa javësh, kur edhe do të mësojmë se cilat pajisje të Samsung-ut do të tërhiqen nga tregu amerikan.

Kjo fitore është më e gjerë në shumë aspekte dhe del jashtë ringut Apple-Samsung. Për shkak të kësaj, shumë prodhues të celularëve do të jenë shumë më të kujdesshëm për t’iu shmangur të gjitha patentave që mban Apple. Kjo do të thotë se do të investohen shumë para në zhvillimin e prodhimeve, që do të sjellë rritje të çmimeve për pajisjet që do të blejmë në të ardhmen.

Përveç kësaj, ky vendim do të reflektohet edhe në numrin e madh të betejave tjera gjyqësore të cilat Apple i ka apo do t’i ketë në të ardhmen. Mund të supozojmë se shumica e prodhuesve të tjerë nuk do të hyjnë në çështje gjyqësore rreth patentave, por do të gjejnë zgjidhje jashtë gjyqit, natyrisht përmes kompensimit që kërkon Apple. Për shkak se kompensimi llogaritet në bazë të shitjes së pajisjes së shitur, mund të presim edhe rritjen e çmimit të pajisjeve në përgjithësi.

LEXO EDHE:  Microsoft konfirmon datën e daljes në shitje të HoloLens 2

Kjo patjetër do të ndikojë në shpejtësinë e shfaqjes së modeleve të reja të pajisjeve, sepse mund të supozojmë që secili dizajn do të monitorohet në mënyrë që mos të arrijë deri tek shkelja e ndonjë patente që Apple mban. Kjo me të vërtetë do të dëmtojë sistemin e Android në tërësi, sepse me lëshimin e shpeshtë të një numri të madh të pajisjeve Android, ai është aty ku është – në krye.

Gjatë gjykimit ishim dëshmitarë të shfaqjes së disa patentave të Apple, të cilat janë paksa qesharake, e kjo është një e metë e sistemit amerikan për patenta që në të vërtet lejon gjithçka. Si shembull mund të marrim patentën e Apple që mban emrin “Metoda e ndërveprimit njerëzor me kompjuterin”. Kjo patentë përfshin 3,4 ose 5 dimensione të ekraneve me prekje – që do të thotë se Apple mund të padisë çdo kompani që përdor ekran me prekje, e kjo në të vërtet është marrëzi.

Po ashtu, Apple është pronar i një numri jo të vogël të patentave që janë pjesë përbërëse e çdo sistemi operativ ndër vite dhe të cilat, në asnjë mënyrë nuk i ka shpikur, por përmes sistemit të vet të popullarizuar iOS i komercializoi dhe në fund i patentoi.

Megjithatë, edhe pse duhet theksuar se Samsung-u mori atë që meritonte, sepse përveç patentave qesharake që i përmendëm më herët, në gjyq janë prezantuar edhe disa prova të cilat tregojnë

ngjashmëri jashtëzakonisht të mëdha të sistemit operativ TouchWiz dhe iPhone, si dhe disa zgjidhje të dizajnit të vet pajisjeve.

Me ndalimin apo tërheqjen e pajisjeve nga raftet e dyqaneve sigurisht që Samsung-u do të humbasë shumë para, por prodhuesit e tjerë të celularëve gjithsesi do të fitojnë shumë.

LEXO EDHE:  Më në fund Samsung duket se është gati për telefonin me ekran që paloset

Të përmendim vetëm HTC, LG, Motorola dhe Sony, kompani të cilat për vite me rradhë janë inovatore në fushën e tyre dhe me një shikim të portofolit të tyre, në të vërtetë nuk mund të shohim ndonjë pjesë të ngjashme me Apple. Pikërisht këtyre kompanive, Samsung-u ua mori një pjesë të rëndësishme të tregut (veçanërisht në vitin e fundit) ndoshta edhe në mënyrë të pamerituar – nëse këtë rritje e shikojmë sipas vendimit më të ri në Amerikë.

Ky vendim, në fund të fundit, nuk duhet të jetë edhe aq i keq për sa na përket ne, përdoruesve. Sigurisht që prodhuesve do t’iu duhet të prodhojnë më shpesh produkte të reja e të ndryshme, kurse Samsung-u do të detyrohet të investojë shumë më shumë në dallimin e prodhimeve të veta në krahasim me konkurrencën.

Kështu që ne përdoruesit e pajisjeve, sigurisht se do të paguajmë çmime pak më të larta për modele të caktuara, por ato do të jenë më inovative dhe më të ndryshme në krahasim me çfarë kemi tashmë.

Megjithatë, në fund kemi gjetur dy deklarata të të ndjerit Steve Jobs. E para vjen nga viti 1996 dhe është një citim i Pikasos që thotë: “Artistët e mirë kopjojnë, artistët e mëdhenj vjedhin. Gjithmonë nuk kemi pasur turp të vjedhim idetë e mëdha”.

Deklarata e dytë daton nga viti 2010 dhe thotë: “Do ta shkatërroj Android-in sepse ky është një produkt i vjedhur”.

Tashmë vetë mund të konkludojmë se në çfarë mënyrë Apple arriti këtu ku është. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>