Harduer

Apple prezanton iPad Air dhe nxjerr iPad 4 nga qarkullimi

Publikuar , 23 Tetor 2013
0
Apple prezanton iPad Air dhe nxjerr iPad 4 nga qarkullimi

Apple zbuloi gjeneratën e pestë të tabletit gjatë një eventi të mbajtur në San Françisko ditën e martë.

iPad-i i ri quhet iPad Air dhe ka dizajn dukshëm më të hollë se paraardhësi i tij si dhe një procesor 64-bit, ashtu siç e kemi parë te iPhone 5S. Fizikisht, tableti është më i lehtë dhe më i hollë.

Për të bërë një krahasim, iPad 4 ishte rreth 635 gram, ndërsa iPad Air peshon 454 gram. Edhe trashësia është ulur me 20% – nga 9.4 mm në 7.5 mm.

Pjesa që rrethon ekranin është po ashtu më e hollë, duke u reduktuar me 43% nga modeli i kaluar, çka do të thotë se kemi një dizajn më të përafërt me iPad Mini-n. Apple shprehet se iPad Air është tableti më i lehtë (full-size) në botë.

Ekrani është po njësoj, 9.7 inç dhe rezolucioni i pikselëve po i njëjti, 2,048 x 1,536. Çipi në brendësi të tabletit është i njëjtë me iPhone 5S, pra një A7 64-bit.

Apple shprehet se performanca falë këtij procesori është dy herë më e lartë se ajo e gjeneratës së parafundit. Krahasuar me iPad-in e parë (modeli 1 para 3 vjetësh), iPad Air ka performancë 8 fish më të lartë dhe 72 herë më të mirë në aspektin e grafikës. iPad Air ka gjithashtu edhe një kompresor lëvizjesh M7 i cili merr të dhënat nga akselerometi i pajisjes, xhiroskopi dhe busulla.

iPad-i i ri ka dy mikrofonë të integruar për audio më të mirë veçanërisht gjatë kohës që përdoret FaceTime për telefonata si dhe gjatë regjistrimit të videove.

Falë dy antenave të teknologjisë MIMO (multiple-input multiple-output), Apple thotë se iPad Air është dyfish më i shpejtë se iPad 4 në rrjetet Wi-Fi si dhe suporton standardet 802.11n/g/b/a, por jo standardin e ri të 802.11ac. Kamera e pasme është 5 megapiksel, njësoj si në iPad 4. Bateria prej 32.4 vat vlerësohet të zgjasë 10 orë.

LEXO EDHE:  Kapet në flagrancë me 200 iPhone dhe Samsung në Rinas

Çmimi është i njëjtë me iPad-in e parafundit. Ai fillon nga 499 $ për 16 GB (vetëm Wi-Fi). Kapaciteti arrin deri në 128 GB për 799 $.

iPad 4 do të dalë nga qarkullimi, por vazhdon të qëndrojë në treg iPad 2, i cili është prezantuar që para dy vjetësh. Ai kushton 399 $ për 16 GB. iPad Air do të gjendet në treg prej datës 1 nëntor 2013 në të gjithë botën. Edhe dizajni i SmartCover ka ndryshuar, siç pritej logjikisht me ndryshimin e dizajnit të tabletit. Çmimi i tyre fillon nga 39 $ e deri në 49 $. (PCWorld Albanian)

Ipad air

Lajmet e fundit>