Analiza

Asistenti personal Cortana i Windows Phone 8.1 merr më të mirat nga Siri dhe Google Now

Publikuar , 23 Shkurt 2014
0
Asistenti personal Cortana i Windows Phone 8.1 merr më të mirat nga Siri dhe Google Now

Ndër trendet e tjera në botën e smartfonëve dhe aplikacioneve për ta, është edhe asistenti personal, edhe pse pak më në hije se elementë të tjerë të një sistemi. Microsoft-i vjen në lojë tashmë me Cortana-n, asistenti personal në Windows Phone 8.1 që do të jetë rivali më i madh i të gjithëve duke marrë elementë nga Siri i Apple dhe Google Now e gjithashtu nga asistentët personal për Android. Sipas burimeve nga The Verge, Cortana pritet të zëvendësoje kërkimin zanor që deri tani ishte nga Bing (që nuk ishte i mirë në përdorim për të gjithë përdoruesit). Siç qarkullojnë fjalët, Cortana do të shfaqet si një ikonë sferike e animuar dhe në ngjyrë që përdoruesit do ta zgjedhin si temë të përgjithshme të sistemit. “Personaliteti” i Cortana-s do të jetë i ngjashëm si Siri i Apple dhe të dhënat e kërkimit do të vijnë nga motori i kërkimit Bing, nga Foursquare dhe të tjera mjete e shërbime të Microsoft-it, duke i dhënë një ngjashmëri me Google Now.

Cortana nuk do të jetë thjesht një sferë me të dhëna që ju flet, por do të shfaqë animacione të ndryshme gjatë të folurit ose gjatë ekzekutimit të detyrave dhe varësisht nga ajo që i kërkojnë përdoruesit, do të shfaqë dhe një sërë emocionesh me anë të lëvizjes së sferës. Pjesë të Cortana-s mund të kostumizohen shumë lehtë, si rasti i hapjes së aplikacionit. Kur hapet mund të zgjidhet që të përshëndesë përdoruesit në emër, të pyesë nëse përdoruesi ka nevojë për ndihmë për diçka ose të kërkojë pyetje nga përdoruesit, si rasti i Siri-t.

Sipas raporteve, e rëndësishme për të cilën kujdeset Cortana është edhe privatësia e përdoruesit. Asistenti personal nuk ka pse të jetë gjatë gjithë kohës duke “përgjuar” përdoruesin, por do të ketë një limit i cili i jep mundësi përdoruesit të kontrollojë se çfarë ndan me asistentin personal, përfshi vende, sjellje apo informacione të tjera personale. Kështu, Cortana nuk do të ndërhyjë kudo në të dhënat e përdoruesit, por vetëm aty ku i lejon përdoruesi. Asistenti do të mësojë për përdoruesin, por nuk do të ruajë gjë pa konfirmim dhe përdoruesit edhe mund të fshijnë nga ato që ruhen.

LEXO EDHE:  Windows 10 e instaluar në gjysmën e kompjuterëve me sistemin operativ të Microsoft

Ndërkohë që koha kalon, Cortana do të mësojë gjithnjë e më shumë për përdoruesin e saj duke u optimizuar sipas preferencave të tij. Nëse përdoruesit do ta lejojnë, Cortana do të bëjë dhe organizimin e takimeve dhe gjërave për t’u bërë në punë dhe shtëpi. Për shembull, nëse vjen një e-mail që ka një frazë si “Takohemi nesër në orën 8:00”, Cortana i kërkon përdoruesit të zgjedhë për të performuar një nga veprimet që mundet, si vendosja e një alarmi kujtese. Ashtu si Siri në iOS, edhe Cortana pritet të ketë opsionin “Do-not-disturb” (mos-më-shqetëso), duke bllokuar një sërë aplikacionesh kur aktivizohet. Gjithashtu, sikur vetëm kaq të mos mjaftonte, bazuar në eksperiencat e përdoruesit, Cortana do të mund të japë këshilla për gjëra si moti, bursa, takime, etj.

Me kaq Cortana duket si një asistent personal vërtet i dobishëm dhe të gjithë mezi presin (dhe duan) që të jetë pjesë e Windows Phone 8.1. E nëse vjen në duart e përdoruesve, të gjithë janë kuriozë për reagimet dhe veprimin e Cortana-s. Build Event i Microsoft-it pritet të jetë një vend më i mirë ku do të jepet më shumë informacion për asistentin personal Cortana. (PCWorld Albanian)

Cortana-578-80

Lajmet e fundit>