Lajmet

Autoriteti i Konkurrencës heton operatorët celularë dhe kërkon rikthimin e paketave të vjetra

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 16 Shkurt 2020
0
Paketat e reja kanë 1GB internet më shumë por që rrisin çmimin e paketës më të vogël në 900 lekë për ALBtelecom dhe 1000 lekë për Vodafone Albania dhe Telekom Albania. Autoriteti i Konkurrencës heton operatorët celularë dhe kërkon rikthimin e paketave të vjetra

Pak ditë pasi operatorët celularë njoftuan pajtimtarët e tyre për rritjen e çmimeve të paketave me parapagesë me 200 lekë, Autoriteti Konkurrencës reagoi duke hapur një hetim ndaj kësaj praktike si dhe kërkuar operatorëve celularë të rikthejnë paketat e vjetra ose të përballen me gjobë deri në 10% të të ardhurave të tyre vjetore.

Vodafone Albania, Telekom Albania dhe ALBtelecom rritën çmimet e paketave në fillim të muajit Shkurt, diçka që PCWorld.al e raportoi që nga muaji Janar.

Paketat e reja kanë 1GB internet më shumë por që rrisin çmimin e paketës më të vogël në 900 lekë për ALBtelecom dhe 1000 lekë për Vodafone Albania dhe Telekom Albania.

Pothuajse të gjithë pajtimtarët do të detyroheshin të blinin një paketë me vlerë 1,300 lekë e më shumë për shkak se paketa më e vogël ka vetëm 200MB internet një sasi e papërfillshme krahasuar me konsumin mesatar për përdorues që ishte 3.45GB në fund të vitit të kaluar.

Por nuk është i vetmi ndryshim i operatorëve sepse të tre operatorët rritën vlerën minimale të rimbushjes në 200 lekë.

Paketat e vjetra do të qëndrojnë deri në përfundimin e hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës. Operatori i parë që reagoi nga masës së autoritetit ishte Vodafone Albania i cili riktheu paketat e vjetra në uebsajtin e kompanisë.

Telekom Albania dhe ALBtelecom ende nuk kanë rikthyer paketat e vjetra sipas të dhënave nga uebsajtet e tyre.

Operatorët celularë po përballen me rënien e përdorimit të shërbimeve tradicionale si thirrje telefonike dhe SMS për shkak të revolucionit të aplikacioneve si WhatsApp. Shumica e përdoruesve përdorin këto aplikacione si WhatsApp, Viber, Telegram për të komunikuar me mesazhe dhe kryer telefonata.

LEXO EDHE:  Medium do të ndryshojë mënyrën sesi shpërndan fitimin për krijuesit

Si rezultat në Shqipëri operatorët kanë pësuar rënie të ardhurash ndërsa kostoja e një paketet të përfituar minuta dhe SMS është reduktuar dhe rritur kostoja e paketave me më shumë GB internet. /PCWorld Albanian