Biznes

Autoriteti i Konkurrencës, rregulla të reja për tregun e komunikimeve elektronike

Nga: PCWorld
Publikuar , 08 Maj 2020
0
Po kështu udhëzimi sqaron se çfarë janë shërbimet e komunikimeve elektronike, të drejtat ekskluzive, të drejtat e veçanta apo rrjeti i stacionit satelitor tokësor. Autoriteti i Konkurrencës, rregulla të reja për tregun e komunikimeve elektronike

Të drejtat ekskluzive në tregjet e rrjeteve apo shërbimeve për komunikimet elektronike në ndërmarrje shtetërore apo private duhet të evoluojnë drejt konkurrencës reale në treg.

Autoriteti i Konkurrencës në një udhëzim të fundit që ndalet pikërisht tek konkurrenca në tregjet e rrjeteve dhe shërbimeve për komnikimet elektronike nënvizon se çfarë duhet pasur parasysh nga operatorët.

Kështu udhëzimi saktëson së pari termat se çfarë janë rrjetet e komunikimeve elektronike”. Referuar dokumentit janë sistemet e transmetimit dhe, nëse ekzistojnë, sistemet e komutimit ose rrugëzimit dhe burime të tjera, përfshirë elementet e rrjetit që nuk janë aktive, të cilat lejojnë përcjelljen e sinjaleve nëpërmjet përcjellësve, radios, mjeteve optike ose mjeteve të tjera elektromagnetike, duke përfshirë rrjetet satelitore, rrjetet fikse tokësore (me komutim të qarqeve ose me komutim të paketave, përfshirë internetin), rrjetet e lëvizshme tokësore, sistemet e kabllove elektrike, në raste kur ato përdoren për transmetimin e sinjaleve, rrjetet e përdorura për transmetimet radiotelevizive dhe rrjetet kabllore televizive, pavarësisht nga tipi i informacionit të përcjellë.

Po kështu udhëzimi sqaron se çfarë janë shërbimet e komunikimeve elektronike, të drejtat ekskluzive, të drejtat e veçanta apo rrjeti i stacionit satelitor tokësor.

Në nënin 1 të udhëzuesit nënvizohet pjesa e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta për rrjetet e komunikimeve elektronike dhe shërbimet e komunikimeve elektronike.

Këto të drejta nuk duhet të jepen ose të qëndrojnë në fuqi të drejta ekskluzive ose të veçanta për krijimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike ose për ofrimin e shërbimeve të komunikimit elektronik publike në dispozicion.

“Duhet të merren masat e nevojshme për të siguruar që çdo ndërmarrje ka të drejtë të ofrojë shërbime të komunikimit elektronik ose të krijojë, zgjerojë ose ofrojë rrjete të komunikimeve elektronike.

LEXO EDHE:  AKEP: Afro 23 mijë domaine .al të regjistruara

Nuk duhet të vendosen kufizime në ofrimin e shërbimeve të komunikimit elektronik mbi rrjetet e komunikimeve elektronike të krijuara nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike, mbi infrastrukturat e ofruara nga palët e treta, ose me anë të mjeteve të rrjeteve të shkëmbimit apo lehtësirave të tjera.

Një autorizim i përgjithshëm i dhënë një ndërmarrjeje për të ofruar shërbime të komunikimeve elektronike ose për të krijuar dhe / ose ofruar rrjete të komunikimeve elektronike, si dhe kushtet e bashkangjitura në to, të bazohet në kritere objektive, jodiskriminuese, proporcionale dhe transparente.

Duhet te jepen arsyet për çdo vendim të marrë që parandalon një ndërmarrje nga ofrimi i shërbimeve ose rrjete të komunikimeve elektronike. Çdo palë e dëmtuar duhet të ketë mundësinë të kundërshtojë një vendim të tillë përpara një organi të pavarur nga palët e përfshira dhe në fund të fundit para një gjykate” thuhet në nenin 1.

Një tjetër element që preket janë ndërmarrjet publike të integruara vertikalisht. Këto të fundit nuk duhet të diskriminojnë në favor të tyre kur janë në pozitë dominuese.

Udhëzuesi ndalet edhe tek të drejtat e përdorimit të frekuencave ku sanksionohet se nuk duhet te jepen të drejta ekskluzive ose të veçanta të përdorimit të radio frekuencave për ofrimin e shërbimeve të komunikimit elektronik. Po kështu  caktimi i frekuencave të radios për shërbimet e komunikimit elektronik do të bazohet në kritereobjektive, transparente, jo-diskriminuese dhe proporcionale.

Neni 5 sjell në vëmendje detyrimin për shërbimin universal ku thuhet se “çdo skemë kombëtare, që shërben për të ndarë koston neto të ofrimit të detyrimeve të shërbimit universal, bazohet në kritere objektive, transparente dhe jo-diskriminuese dhe duhet të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe të kufizimit sa më pak të tregut. Në veçanti, kur detyrimet e shërbimit universal u imponohen plotësisht ose pjesërisht ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime të komunikimit elektronik, kjo do të merret në konsideratë në llogaritjen e çdo kontributi në koston neto të detyrimeve të shërbimit universal”. /Monitor

LEXO EDHE:  AKEP ka mbyllur 8 mijë faqe online të lojërave të fatit në 2019