Biznes

Autoriteti i Konkurrencës: Shtrenjtimi i paketave nga operatorët celularë sjellje e bashkërenduar

Nga: PCWorld
Publikuar , 14 Tetor 2020
0
Në periudhën kohore 30 Janar – 11 Shkurt 2020, të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30-ditore me parapagesë, me një rritje çmimi prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje, nga 100 në 200 lekë. Autoriteti i Konkurrencës: Shtrenjtimi i paketave nga operatorët celularë sjellje e bashkërenduar

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur pa masa ndëshkuese hetimin e thelluar në tregun e telefonisë celulare.

Hetimi u hap në shkurt të këtij viti, pasi të tre operatorët celularë rritën brenda një periudhe të shkurtër çmimin e paketave 30-ditore dhe vlerën minimale të rimbushjeve për përdoruesit me parapagesë.

Nga hetimi i thelluar, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se veprimet e mësipërme përbëjnë sjellje të bashkërenduar, sipas parashikimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Autoriteti është referuar në vendim te neni 4 i ligjit, që përkufizon marrëveshjet e ndaluara dhe përcakton se “ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.

Pavarësisht nga kjo, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur masa ndëshkuese, por ka preferuar të përdorë si mekanizëm rregullues marrjen e angazhimeve me shkrim nga tre ndërmarrjet që veprojnë në tregun e komunikimeve celulare.
Angazhimet e ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, të miratuara nga Autoriteti i Konkurrencës, kanë në fokus të përbashkët transparencën ndaj konsumatorëve dhe institucioneve mbikëqyrëse, paketa me çmime të përballueshme për përdoruesit me të ardhura më të ulëta dhe ofrim i një kapaciteti më të madh të internetit nga rrjetet celulare.

Në periudhën kohore 30 Janar – 11 Shkurt 2020, të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30-ditore me parapagesë, me një rritje çmimi prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje, nga 100 në 200 lekë.

Më datë 14 shkurt, Autoriteti i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së përkohshme për ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë. Operatorët e respektuan vendimin, duke i tërhequr paketat e reja. Zbatimi i masave të përkohshme mund të jetë marrë parasysh nga Komisioni i Konkurrencës në vendimin final të hetimit për të mos aplikuar gjobë ndaj tre ndërmarrjeve, pavarësisht konstatimit të ekzistencës së një sjelljeje të bashkërenduar. /Monitor

LEXO EDHE:  Rregullimi i tregut celular, AKEP e ka “harruar” prej vitesh