Lajmet

Balkan Venture Forum: Vjen në Shqipëri forumi më i madh rajonal i investimeve në fushën e ICT-së

Publikuar , 07 Tetor 2013
0
Balkan Venture Forum: Vjen në Shqipëri forumi më i madh rajonal i investimeve në fushën e ICT-së

cropped-logo-BkVF-Tirana-mediumPeriudha e vjeshtës është ndër stinët më produktive përsa i përket panaireve dhe forumeve në Shqipëri dhe jo vetëm.

Edhe ky vit nuk do të bëjë përjashtim për nga larmishmëria e organizimeve dhe eventeve veçanërisht në fushën e ICT-së. I tillë do të jetë edhe forumi “Balkan Venture”, i cili do të mbahet në Tiranë në datat 14 dhe 15 nëntor, ku PCWorld Albanian është mbështetës i këtij eventi të rëndësishëm.

Në të do të marrin pjesë Intel Capital, RSG Capital, SpeedInvest, Venture Connect, LaunchHub, Teres Capital dhe shumë investitore të tjerë, të cilët do jenë prezentë në Tiranë muajin e ardhshëm në forumin e katërt rajonal të Balkan Venture Forum (BkVF) në Hotel Sheraton Tirana. Të gjithë sipërmarrësit, inovatorët që kanë produkte apo shërbime të reja si dhe kompanitë e reja e në zhvillim inkurajohen të marrin pjesë në këtë event.

Balkan Venture Forum (BkVF) është forumi më i madh i investimeve në Europën Juglindore i cili sjell së bashku sipërmarrësit më të mëdhenj të rajonit dhe investitorët institucionalë ndërkombëtarë më aktivë. Qëllimi është të nxitet sipërmarrja dhe inovacioni, të përmirësohet tregu i kapitalit si dhe të lehtësohen mundësitë për financimin dhe zhvillimin e kompanive të reja në treg. Për më tepër, BkVF u jep mundësi pjesëmarrësve të marrin pjesë në European Venture Summit ku gjenden kompanitë më të mira të Europës.

Platforma e forumit Balkan Venture Forum është paraqitur më datën 5 shtator në një takim me institucione vendase bashkëpunëtore me BkVF, si Projekti Rritja e USAID-it, FIAA, Protik, Dhoma Amerikane e Tregtisë, CEED Albania, Veritas Ventures, AITA, AIDA, PCWorld Albanian, etj. Krahas platformës, në takim u diskutua edhe rreth nevojave që ka tregu shqiptar për investime strategjike ndërkombëtare të mëtejshme në fushën e ICT-së.

LEXO EDHE:  Biznesmeni që bleu Telekom Albania nxjerr në shitje investimin e tij më të madh

Ky takim u ndoq me një tjetër të organizuar në datat 28 – 29 shtator, ku morën pjesë mbi 30 individë dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendase. Takimi, i organizuar në formën e një trajnimi, konsistonte në përgatitjen e personave apo kompanive të cilat do të marrin pjesë në forumin Balkan Venture Forum në datat 14-15 nëntor të këtij viti.

Ndër kriteret bazë që do të merren parasysh për vlerësimin e projekteve që do të marrin pjesë në këtë forum janë potenciali i produktit në treg, eksperienca e ekipit, merita e teknologjisë apo produktit, pozicioni konkurrues, interesi për partneritet apo investim dhe cilësia në tërësi e projektit.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të prezantojnë kompaninë apo projektin e tyre përpara një paneli me investitorë dhe specialistë të industrisë.

Ata do të marrin pjesë në një trajnim përpara forumit për t’u përgatitur për prezantimin e tyre si dhe do të kenë takime personale me investitorë dhe sipërmarrës vendas dhe ndërkombëtarë. Forumi është një mundësi mjaft e mirë për të zgjeruar rrjetin profesional me kontakte të rëndësishme në fushën ku bizneset operojnë.

Së fundmi, kompanitë më të mira do të ftohen të marrin pjesë në “European Venture Summit” në Dyseldorf të Gjermanisë për të prezantuar projektin e tyre përpara investitorëve më të mëdhej europianë. Regjistrimet bëhen përmes faqes zyrtare në internet www.balkanventureforum.org deri më datën 14 tetor 2013.

PCWorld mbështet dhe është partner mediatik i eventit. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>