Biznes

Bitcoin bie nën 30 mijë dollarë, niveli më i ulët që prej 1 viti

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Maj 2022
Hera e fundit që bitcoin tregtohej nën 30 mijë dollarë ishte Korriku i vitit të kaluar kur aseti dixhital ra deri në 29,839 dollarë. Bitcoin bie nën 30 mijë dollarë, niveli më i ulët që prej 1 viti

Bitcoin ra nën 30 mijë dollarë mbrëmjen e së Hënës nën nivelin simbolik. Në pikën më të ulët, kriptomonedha më popullore në botë ishte 12% më pak sesa një ditë më parë dhe 56% larg vlerës rekord prej 69 mijë dollarë arritur në Nëntor.

Më pas kriptomonedha rikuperoi dhe në këto momente që shkruajmë këmbehet me 31,868 dollarë sipas të dhënave të CoinMetrics.

Hera e fundit që bitcoin tregtohej nën 30 mijë dollarë ishte Korriku i vitit të kaluar kur aseti dixhital ra deri në 29,839 dollarë.

Ekspertët thonë se kriptomonedhës i duhet të qëndrojë mbi nivelin psikologjik të 33 mijë dollarëve dhe nëse nuk arrin dot mund të kemi përshkallëzim të rënies.

Të dhënat e CoinMarketCap zbulojnë se industria e kriptomonedhave në 24 orët e fundit humbi 10% të vlerës së saj. Ky sentiment vijoi edhe për tregjet e aksioneve me S&P 500 që ra në nivelin më të ulët prej një viti.

Gjatë vitit të kaluar bitcoin dhe kriptomonedhat e tjera kanë pasqyruar lëvizjet e tregut të aksioneve. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Instagram ndryshon limitet ditore të përdorimit të aplikacionit