Biznes

BlackBerry zyrtarisht në shitje: A do të gjejë dot një blerës?

Publikuar , 26 Gusht 2013
0
BlackBerry zyrtarisht në shitje: A do të gjejë dot një blerës?

Prodhuesi kanadez i smartfonëve ka vendosur para disa ditësh marrjen e masave strategjike për të përmirësuar situatën e kompanisë.

Shitja është një prej opsioneve. Por, tani që BlackBerry është zyrtarisht në shitje, sa e lehtë do të jetë gjetja e një blerësi? Kush mund të jetë i interesuar të blejë dikur të madhen BlackBerry? Ekspertët e industrisë shprehen se mund të ketë firma private të cilat mund të jenë të interesuara për të blerë pjesë të ndryshme të burimeve të kompanisë.

Të tjerë mendojnë se teknologjia e BlackBerry-t mund t’u duhet disa prej konkurrentëve. Megjithatë, diçka është e qartë: gjendja e kompanisë nuk është aspak e mirë. Prej kohësh BlackBerry ka humbur terren ndaj rivalëve si Apple, Android dhe së fundmi edhe Microsoft-it. Kjo gjendje po bëhet gjithmonë e më keq.

Sipas IDC, përqindja e tregut botëror të BlackBerry-t në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 2.9%, krahasuar me 4.9% që ishte një vit më parë në të njëjtën periudhë. Apple dhe Android kanë përfituar dukshëm nga humbjet e BlackBerry-t gjatë viteve të fundit. Por ajo që është vënë re në muajt e kaluar është se konkurrenca është rritur edhe nga Windows Phone i Microsoft-it. Në fakt, në tremujorin e parë të vitit 2013, dërgesat për shitje të smartfonëve me Windows Phone i tejkaluan ato të BlackBerry-it. Ky trend ka vazhduar edhe në muajt e tjerë dhe pritet të vazhdojë edhe në terma afatshkurtër teksa Nokia po punon fort për të shitur pajisjet e saj me këtë sistem operativ.

Blerës potencialë

Problemi më i madh me të cilin përballet BlackBerry është gjetja e një blerësi. Mundësitë për këtë janë realisht të pakta. Edhe pse kompania ka një platformë të fortë e-maili, tek e cila janë bazuar për vite të tëra shumë biznese dhe pavarësisht faktit që softueri i BlackBerry 10 ka bërë një përmirësim të dukshëm në navigimin në ueb, çështja është se pjesa më e madhe e prodhuesve të stabilizuar në treg nuk kanë nevojë për BlackBerry-n. Janë spekuluar edhe bashkime strategjike me kompani si HTC apo Microsoft. Por e vërteta është se këto kompani nuk kanë nevojë për harduerët e BlackBerry-t. Për më tepër, është e vështirë të bëhet vlerësimi i vlerës së softuerit, i cili me shumë mundësi do të ndahet në pjesë.

LEXO EDHE:  Biznesi i shërbimeve të Apple bëhet burimi dytë i të ardhurave pas iPhone

Disa analistë kanë sugjeruar se edhe Samsung mund të jetë i interesuar për BlackBerry-n. Mesa duket, kompania e cila e ka ndërtuar linjën e vet të smartfonëve rreth Android-it të Google, po përpiqet të distancohet disi nga kjo platformë. Një nga kërcënimet më të mëdha të Samsung-ut është se Google është tashmë pronar i Motorola-s. Kjo do të thotë se ata do të përballen me një rival të ri e të drejtpërdrejtë në të ardhmen. Analistët e Jefferies besojnë se Samsung mund të jetë i interesuar për BlackBerry-n për të rritur dhe nxitur sistemin e vet operativ. Kompania po punon dhe po zhvillon një sistem operativ të quajtur Tizen, të cilin ka planifikuar ta përdorë si një sistem me kosto të ulët për të konkurruar prodhuesit e pajisjeve me çmim të ulët në tregjet në zhvillim.

“Një sistem operativ i ndërtuar nga zeroja vështirë se mund të rezultojë i suksesshëm edhe për shitësin më të madh në botë,” u shprehën analistët. “Por BB10 mund të ofrojë një bazë të fortë për Samsung-un i cili do të zhvillojë ekosistemin e vet.”

Gjithsesi, një shitje tek Samsung-u mund të jetë ndoshta jo fort e realizueshme. Po ashtu, me shumë mundësi asetet e BlackBerry-t do të ndahen mes disa blerëve, pasi pjesë të ndryshme të tij u interesojnë entiteteve të ndryshme.

A mund ta shpëtojnë BlackBerry-n kompanitë kineze?

Disa prej kompanive më të interesuara kineze janë Lenovo, Huawei dhe ZTE, pasi po konkurrojnë në mënyrë agresive në tregjet në zhvillim për pajisjet e lira. BlackBerry ia ka dalë mirë në këto tregje me smartfonët e vet BlackBerry Curve.

Megjithatë, është pothuajse e pamundur që qeveritë kanadeze apo amerikane të lejojnë një blerje të tillë, duke qenë se do të ngriheshin pyetje të mëdha lidhur me sigurinë. Për më tepër një bashkim i tillë mund të sillte ulje të shitjeve në SHBA, një vend ku qeveria i sheh me dyshim kompanitë kineze. Ndërkohë, departamente qeveritare të cilat i përdornin pajisjet BlackBerry për shkak të sigurisë së lartë do të ndërprisnin menjëherë kontratën për shkak të blerjes. Vitin e kaluar Dhoma e Përfaqëesuesve në SHBA ndaloi blerjet, marrjet në kontroll apo shkrirjet që përfshinin Huawei dhe ZTE në territorin e SHBA-së për motive të sigurisë kombëtare.

LEXO EDHE:  Samsung do të ulë çmimet e SSD-ve dhe memorjeve të telefonëve

Diçka është e qartë: çfarëdo që të ndodhë me BlackBerry-n duhet të ndodhë sa më shpejt. Sa më tepër kohë kalon, aq më tepër para dhe klientë do të humbasin, duke ulur atë çka kompania mund të ofrojë për blerësit. (PCWorld Albanian)

BB10

Lajmet e fundit>