Biznes

Bordi i Drejtorëve të PTK-së takohet me drejtuesit e Cable & Wireless

Publikuar , 10 Shkurt 2010
0
Bordi i Drejtorëve të PTK-së takohet me drejtuesit e Cable & Wireless

Bordi i Drejtorëve të PTK-së, nën udhëheqjen e kryetarit Rexhë Gjonbalaj dhe me anëtarë Nuhi Ahmeti, Gani Sylaj dhe Sahit Surdulli e të shoqëruar edhe nga Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha kanë vizituar Londrën me ç’rast kanë takuar përfaqësues të lartë të Cable & Wireless International dhe Monaco Telecomit.

Gjatë takimit me Lordin Robertson i Port Ellen, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe aktualisht në pozitën e këshilltarit në kompaninë Cable and Wireless , si dhe me drejtorin për Zhvillim i CWI-së, Adam Dunlop, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të PTK-së kanë përshkruar të arriturat dhe sfidat e PTK-së, duke potencuar zhvillimin dhe gamën e vazhdueshme pozitive të produkteve të saj.

“PTK është duke shënuar progres të madh në të gjitha fushat duke ofruar shërbime të telefonisë mobile të nivelit të lartë, por pa lënë mënjanë as rezultatet e arritura në llojllojshmërinë e shërbimeve të tjera për qytetarët e Kosovës”, ka pohuar me këtë rast Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së.

Nga ana e tij, Lordi Roberton ka inkurajuar menaxhmentin aktual të PTK-së me në krye dr. Shyqyri Haxhën që të avancojë edhe me shumë zhvillimin e biznesit të telefonisë mobile. Ai ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se shërbimet e mira të telekomit luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin dhe zhvillimin e ekonomisë së një vendi.

“Sukseset e PTK-së janë për t’u admiruar dhe ky sukses i kompanisë më të madhe publike në Kosovë do të duhej të vazhdonte duke krijuar shërbime edhe më të mira dhe më atraktive”, është shprehur Lordi Robertson i Port Ellen.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së ka pohuar se kompania që ai drejton çdo herë e më shumë është duke e afirmuar veten ndërkombëtarisht për nivelin e lartë të shërbimeve dhe produkteve atraktive që ofron. “PTK ka shënuar një kthesë të madhe në zgjerimin e gamës së produkteve, shërbimeve kualitative, imazhit dhe numrit gjithnjë në rritje të konsumatorëve të saj”, ka deklaruar dr.Shyqyri Haxha.

LEXO EDHE:  Zhvilluesit kryesorë të Ethereum në favor të një algoritmit të ri më rezistent ndaj ASIC

Gjatë këtij takimi, kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalajt i është dhuruar nga ana e Lordit Robertson një kopje e shkresës së marrëveshjes së tërheqjes së forcave serbe nga Kosova të vitit 1999 që shpreh misionin i tij paqësor për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Gjithashtu, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të PTK-së në takim me drejtues të Cable & Wireless International dhe Monaco Telecomit kanë shkëmbyer përvoja nga puna në menaxhimin e kompanive publike, mundësitë e bashkëpunimit reciprok si dhe ndihma që mund t’u ofrohet PTK-së, në këtë rast përmes bashkëpunimit me kompanitë e fuqishme ndërkombëtare të telekomunikacionit.

Lajmet e fundit>