Biznes

Bullgarët e Vivacom në garë për të blerë Telekom Albania

Sep 28 2018
0 Shpërndarje
Lajmi, i cili prej disa kohës po qarkullon në tregun e telekomunikacioneve, tashmë është publikuar dhe në mediat bullgare. Economic.bg shkruan se “Biznesmeni Spas Rusev, një aksionar kryesor në Vivacom, është duke negociuar blerjen e operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare, Telekom Albania, që është pronë e gjigantit gjerman Deutsche Telekom. Çmimi i transaksionit nuk dihet. Bullgarët e Vivacom në garë për të blerë Telekom Albania

Telekom Albania, operatori i dytë më i madh i telekomunikacioneve në Shqipëri është në negociata për t’u shitur. Prej disa muajsh kompania është në procesin e “Due Diligence” dhe brenda tetorit pritet që stafit të brendshëm t’i komunikohet blerësi i ri.

E kontaktuar zyrtarisht nga “Monitor”, Telekom Albania nuk bëri asnjë koment.

Lajmi, i cili prej disa kohës po qarkullon në tregun e telekomunikacioneve, tashmë është publikuar dhe në mediat bullgare. Economic.bg shkruan se “Biznesmeni Spas Rusev, një aksionar kryesor në Vivacom, është duke negociuar blerjen e operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare, Telekom Albania, që është pronë e gjigantit gjerman Deutsche Telekom. Çmimi i transaksionit nuk dihet.

Lajmi i transaksionit u konfirmua nga një burim i besueshëm, sipas të cilit negociatat janë në fazë të hershme, shkruan gazeta ‘24 orë’”. Mediat bullgare thonë se bëhet fjalë për blerjen e Telekom Shqipëri në mënyrë të pavarur pa partnerët e  Vivacom. “Parashikimi është se bisedimet do të zgjasin për të paktën edhe 3 deri në 6 muaj, dhe përveç Rusevit ka tre ose katër kandidatë në garë për telekomin shqiptar”, shkruajnë mediat bullgare.

“Monitor” ka mësuar se përveç Vivacom, në garë është edhe operatori tjetër bullgar Globul Telenor.

Një tjetër i interesuar është manjati grek i naftës dhe transporteve Vardis Vardinogiannis. Ai është CEO dhe aksioneri kontrollues i Motor Oil Hellas, Vegas Oil and Gas dhe ka interesa në shumë biznese të tjera transporti.

Telekom Albania me humbje, pas viteve të arta

Prej dy vitesh, operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri po rezultojnë me humbje, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies të të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni). Rënia e tregut duket se i ka bërë gjigantët e Deutsche Telecom të painteresuar për tregun shqiptar, disa vjet pasi ata hynë në Shqipëri përmes degës së tyre në Greqi, Cosmote.

Telecom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto në 2015-n.

Kohët më të arta të Telecom Albania ishin deri në 2008 (në atë kohë e quajtur AMC), me fitime atë vit që rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017.

Aktualisht, Cosmote Mobile Telecommunications zotëron 99,76% të aksioneve dhe pjesa tjetër është në zotërim të individëve. Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet janë rivlerësuar në ulje dhe vlerësimi i mundshëm i kompanisë luhatet mes 150-200 milionë euro.

Kompania greke Cosmote bleu në vitin 2000 Albania Mobile Communication (AMC) të krijuar nga shteti në vitin 1995 për një shumë prej 120 milionë euro. Në vitet e para të aktivitetit normat e fitimit i kalonin mbi 50% teksa deri në vitin 2009 në treg kishte vetëm dy operatorë (AMC dhe Vodafone, që hyri në vitin 2003) që operonin në një treg duopol.

Në korrik 2015 AMC prezantoi identitetin e ri të saj, duke u quajtur Telekom Albania, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, përmes mëmës së saj në Greqi. /Monitor

Lajmet e fundit>