Biznes

Call Center e vegjël drejt falimentimit

Nga: PCWorld
Publikuar , 08 Qershor 2020
Pavarësisht se në këtë periudhë, puna nga disa punonjës ka vazhduar nga shtëpia, dëmet financiare do të jenë të shumta. Call Center e vegjël drejt falimentimit

Dy vëllezërit Alketion Cali dhe Renato Cali, drejtues të kompanive call center në Tiranë, Icon Albania dhe IContact, ku janë të punësuar 150 punonjës, për shkak pandemisë dhe për të mbrojtur shëndetin e punonjësve u detyruan të mbyllnin për një muaj e gjysmë punën.

Pavarësisht se në këtë periudhë, puna nga disa punonjës ka vazhduar nga shtëpia, dëmet financiare do të jenë të shumta. Alketion Cali, një prej drejtuesve të kompanive call center, thotë se efektet te punësimi do të ndihen një vit.

“Si kompani kemi pasur dëme, madje kemi rrezikuar të humbasim edhe klientë, me të cilët kemi lidhur kontrata disavjeçare, por aktualisht kemi gjetur një rrugë të përbashkët me ta, për shkak të situatës që edhe ata po kalojnë në Itali. Duke qenë se këto kontrata nuk kemi arritur t’i zbatojmë për muajt që kemi qenë të mbyllur, do t’i vijojmë në muajt në vazhdim. Por nëse nuk punojmë me kapacitet të plotë, situata pritet të përkeqësohet më tej. Jemi shumë të dëmtuar ekonomikisht dhe efektet do të ndihen edhe një vit për biznesin tonë. Kjo periudhë e gjatë rikuperimi do të përkthehet në më pak vende pune, pavarësisht se ambicia e çdo biznesi është të zgjerohet, por mundësitë nuk ekzistojnë.”

Zoti Cali thotë se në këtë periudhë, qeveria duhet të ndihmojë biznesin me lehtësi fiskale. “Pagesat e detyrimeve po kërkohen të paguhen në kohë reale. Ne kemi nevojë për likuiditet me qëllim që të hapim vende të reja pune, nuk kemi si qëllim të kursejmë.

Qeveria mund të na ndihmojë në këtë periudhë me këstet e qirasë, pasi ende nuk ka një vendim që qiradhënësi ka të drejtë apo jo ta kërkojë qiranë, nga ana tjetër edhe ata e kanë burim të ardhurash. Duhet të anulohen pagesat e tatimit mbi burimin e qirave, është shumë absurd, pasi bizneset nuk kanë paguar dy muaj. Qeveria duhet të na ndihmojë edhe për pagesat e sigurimeve shoqërore. Ne nuk po kërkojmë që taksat të falen, por të krijohet mundësia që të paguhen me këste, në mënyrë që të mos vuajmë për likuiditet, për mungesë investimesh.”

LEXO EDHE:  Një zjarr shkatërron qendrat e të dhënave të një prej ofruesve cloud më të medhenj në Evropë

Nëse nuk do të kenë lehtësi fiskale nga qeveria, përfaqësuesi i kompanive call center, shprehet se e vetmja mënyrë për të mbijetuar do të jetë vënia në dispozicion e burimeve personale dhe familjare, si dhe marrja e huave financiare.

Aktualisht në njërën prej kompanive call center në ambientet e zyrave janë duke punuar 20% e totalit të punonjësve. “Një pjesë e punonjësve ka arritur të punojë nga shtëpia, përveç atyre që jetojnë në rrethe që nuk kanë pasur infrastrukturën dhe internet. Në punë jemi rikthyer javën e kaluar me një numër minimal punonjësish, për shkak të zbatimit të rregullave kundër koronavirusit, siç është respektimi i distancës.

Kjo krijon probleme në punën tonë, pasi monitorimi për punonjësit që punojnë nga shtëpia jo gjithmonë është i mundur. Në njërën nga selitë, puna nuk ka nisur ende, pasi organizimi i punonjësve në atë ambient është më i vështirë, dhe për këtë arsye do të presim një urdhër të dytë, nëse do të ketë një lehtësim të masave të Ministrisë të Shëndetësisë. Menjëherë sapo hapëm selinë e parë kemi pasur 3 kontrolle të njëpasnjëshme, por në vend që të ishin këshilluese, me tepër ishin kërkesë llogarie apo ku të gjenin pikat e dobëta për të vendosur gjobë”, pohon zoti Cali.

Të mëdhenjtë më optimistë

Lorenc Goga, nga kompania call center Facile.it, ku janë të punësuar rreth 450 punonjës shprehet më optimist për vazhdimin e punës, teksa pohon se për disa linja, shpenzimet për marketing janë rritur.

“Ne po punojmë mirë në disa sektorë, por mund të jemi pak në vështirësi te pjesa që trajtojmë kreditë për tregun italian, pasi njerëzit nuk kanë nisur ende ritmin normal të jetës, çka mund të sjellë shtyrje në kohë.

LEXO EDHE:  WhatsApp tregon suksesin e arritur për të luftuar dezinformimin

Por këtë vështirësi e kemi zgjidhur nëpërmjet rritjes të investimeve në marketing, pra kemi shpenzuar më shumë se në periudha normale, duke u munduar të thithim po atë numër klientësh për të garantuar punë për punonjësit tanë. Ishte një periudhë që orët e punës së sektorit u ulën në mënyrë të barabartë në mënyrë që të punonin të gjithë punonjësit.

Aktualisht ngadalë–ngadalë po rikthehemi në normalitet. Për sa i përket linjës të shërbimeve të domosdoshme, si pagesat e dritave, gazit, energjisë, internetit për familjet dhe siguracionet e makinave, puna po ecën shumë mirë. Pra, jemi në një trend rikthimi shumë pozitiv. Jemi shumë optimist, pasi edhe te pjesa e kredive që kemi ndeshur vështirësi, po shohim që me më shumë shpenzime në marketing garantohet arritja e numrave të mëparshëm”, thotë Goga.

Aktualisht punonjësit e call center Facile.it nuk po punojnë më nga shtëpia, të gjithë janë kthyer, po punojnë në zyrë dhe vetëm 5% e tyre e kanë të pamundur rikthimin. “Ende vazhdojmë të ndeshim probleme me transportin e punonjësve, ku kemi punonjës që banojnë në periferi apo qytete si Elbasani apo Fushë-Kruja që janë të bllokuar dhe nuk po vijnë në punë. Pamundësia për të ardhur në punë është edhe te nënat me fëmijë, për shkak të mbylljes të çerdheve, kopshteve dhe shkollave”, shpjegon arsyet administratori i kompanisë. Ashtu siç edhe e kemi përmendur më herët, numri i punonjësve që punonin nga shtëpia ishte i vogël në këtë kompani, për shkak të pagesave me karta krediti që trajtojnë.

Sektori

Sektori “Call Center” njohu zgjerim të shpejtë në vendin tonë ku, nga 382 ndërmarrje që vepronin në vitin 2011, numri i tyre kërceu në 848 në vitin 2015.

LEXO EDHE:  Apple dhe Google lançojnë teknologjinë për gjurmimin e koronavirusit

Bashkë me rritjen në numër, u rrit edhe pesha e punësimit të sektorit në ekonomi, duke u bërë shpëtimtar i shumë të rinjve, që po arrinin të siguronin paga mbi mesataren e tregut të punës në Shqipëri. Sipas INSTAT, deri në fund të muajit korrik 2019 ishin të regjistruara 659 ndërmarrje call center.

Në këtë sektor janë të punësuar rreth 22 mijë punonjës deri në mes të vitit 2019, sipas INSTAT. Edhe pa Covid-19, sektori kishte filluar rënien, i ndikuar nga politika e qeverisë italiane, e cila prej tre vitesh ka ashpërsuar rregullat e delokalizimit me qëllim që të ruante vendet e punës në Itali. Në krahasim me 2016-n, kur ishte periudha më e mirë për sektorin, numri i të punësuarve në mes të 2019-s kishte rënë me 12%.

/Monitor