Biznes

CEO: ITTF 2010 panair i rëndësishëm për Kosovën

Publikuar , 17 Maj 2010
0
CEO: ITTF 2010 panair i rëndësishëm për Kosovën

Me 27 maj, për herë të shtatë me radhë Panairi i Teknologjisë Informative dhe Telekomunikacionit do të hap dyert në Prishtinë. Edhe këtë vit ashtu si vitin e kaluar, panairi mbahet nën patronatin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit dhe mbeshtetjen e STIKK, ndërsa punët e organizimit kanë mbetur përgjegjësi të CEO, kompani e specializuar në Menaxhment të Eventeve, ku kjo e fundit ka premtuar që ta bëjë këtë panairin më të madh ku takohen ekspert, distributor dhe profesionist nga fusha e IT-së në tërë rajonin e Ballkanit.

Lulzim Krasniqi, menaxher për marrëdhënie me publikun pranë CEO, në një intervistë për PC World Albanian, është shprehur se ky do të jetë edicioni i shtatë me radhë në të cilin do të shënohet një rritje prej 50% e ekspozuesve dhe se në dallime me vitet e kaluara, CEO ka punuar më afër me përfaqësuesit e sektorit të IT-së, që përfaqësohen nga “Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës” (STIKK), duke u konsultuar me ta për të precizuar kërkesat e tyre për sa i përket çështjeve organizative te këtij panairi.

“Mendoj se kemi bërë punë të mirë në drejtim të realizimit të kërkesave që përfaqësuesit e kompanive nga IT-ja kanë pasur para nesh si organizatorë të panairit. Mund të them lirisht se edicioni i këtij i viti do të jetë mjaft interesant dhe në të do të marrin pjesë kompanitë bartëse të fushës së IT-së dhe Telekomunikacionit në Kosovë dhe më gjerë” u shpreh Krasniqi, për PC World Albanian.

Krasniqi më tej shton se edhe këtë vit panairi ka mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, gjë që dëshmon se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës nuk mungon në këtë drejtim.

LEXO EDHE:  Operatorët japin 6 miliardë euro për frekuencat 5G në Gjermani

“Në krahasim me panairin e vitit të kaluar, këtë vit kemi rritje jo vetëm të numrit të ekspozuesve por edhe të produkteve dhe shërbimeve që ofron sektori i IT-së, pra do të ketë më shumë pajisje, më shumë softuerë, programe trajnuese, programe dhe zgjidhje nga e ashtuquajtura “Business Intelegence”, etj. Risi tjetër e këtij edicioni është edhe numri i aktiviteteve përcjellëse që do të zhvillohen gjatë panairit, të cilat janë konferenca dhe prezantime” thekson ai.

“Këto prezantimet do të bëhen nga ekspertë të kompanive ekspozuese dhe palëve të tjera, të cilat para publikut të pasionuar për IT do të prezantojnë tema aktuale të zhvillimeve me të reja nga këta sektorë”.

Menaxheri i marrëdhënieve me publikun, shprehet se CEO si kompani e specializuar në “Events Management” ka arritur të afirmojë jashtëzakonisht shumë industrinë e panaireve në Kosovë, në sektorë të veçantë industrial. “IT-ja dhe zhvillimi i saj në Kosovë i kanë të gjitha parakushtet për zhvillim të hovshëm, e arsyet për këtë janë të shumta, veçanërisht numri dominues i risive dhe orientimet qeveritare që i kanë dhënë prioritet këtij sektori”.

Gjatë të ardhmes, CEO planifikon që këtë panair ta zhvillojë edhe më tej duke i ofruar karakter të mirëfilltë ndërkombëtar dhe duke e shndërruar në një platformë të rëndësishme e cila do të vë në jetë orientimin dhe pretendimin e drejtë se Kosova mundet dhe do të jetë lider në aspektin e Teknologjisë Informative në rajon.

“Jam shumë optimist në planet tona për t’u përqendruar edhe më shumë në ngritjen e këtij panairi, dhe padyshim që rezultatet do të jenë të suksesshme” theksoi Krasniqi, në intervistën e dhënë për PC World Albanian.

LEXO EDHE:  Autoritetet Amerikane gati planin për gjurmimin e transaksioneve në kriptomonedha

Këtë vit ashtu si vitin e kaluar, pjesëmarrës dhe sponsor medial është edhe PC World Albanian. E ju mos harroni të vizitoni stendën e PC World Albanian e cila edhe këtë vit do të jetë atraktive dhe me plotë befasi. 

Panairi i hap dyert me 27 maj, dhe do të qëndrojë i hapur deri më 29 maj. Ai do të mbahet në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Lajmet e fundit>