Analiza

Çfarë është 5G-ja dhe pse bllokimi i marrëveshjes Broadcom-Qualcomm do ta bëjë Amerikën lider në këtë drejtim

Mar 15 2018
0 Shpërndarje
Një përpjekje e madhe nevojitet për të kaluar në rrjetet 5G, i cili pritet të shndërrohet në një standard global. Standardi është themeluar nga një organizatë ndërkombëtare e quajtur 3GPP. Çfarë është 5G-ja dhe pse bllokimi i marrëveshjes Broadcom-Qualcomm do ta bëjë Amerikën lider në këtë drejtim

Makinat autonome, shtëpitë e ndërlidhura dhe qytetet inteligjente.

Inovacione të tilla pritet të rimodelojnë industrinë e teknologjisë dhe shoqërinë në veçanti, por asnjëra prej tyre nuk ka për tu realizuar nëse nuk shtrihet infrastruktura e duhur e njohur si 5G.

Gjenerata e pestë e rrjeteve celulare do të rrisë kapacitetet e shpejtësisë dhe volumit të të dhënave që mund të transportohen në rrjetet wireless, duke sjellë kështu një botë më afër epokës së automatizimit si dhe një shans të artë për kompanitë që prodhojnë pajisje të tilla.

Janë pikërisht përmasat që kjo teknologji mund të arrijë të cilat nxitën administratën Trump dhe agjencitë e tjera federale të bllokonin blerjen e Qualcomm nga kompania me seli në Singapor, Broadcom.

Bllokimi i marrëveshjes 117 miliardë dollarëshe ishte një lëvizje e paprecedent për Shtëpinë e Bardhë, e cila e sheh si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Zyrtarisht Broadcom lajmëroi tërheqjen nga blerja e Qualcomm.

Amerika ka nevojë për Qualcomm për të rritur kërkimin dhe hulumtimin në 5G, thotë administrata e Trump.

Nëse gjigandi Amerikan i çipeve humbet terren, prodhuesit Kinez do ti zinin vendin në tregjet globale.

Kjo do të ishte një goditje e rëndë për inovacionin Amerikan sepse tregu do të gjunjëzohej përballë harduerëve të huaj. Më e keqja, Pekini do të kishte avantazh në zbulimin e dobësive të sigurisë së 5G-së të cilat mund ti shfrytëzonte për të përgjuar Amerikanët.

Çka e bën situatën rreth 5G-së edhe më të ndjeshme është se çipet e Qualcomm do të gjendeshin në çdo pajisje që kërkon akses në internet.

Kështu SHBA-të do të kishin përballë një rrezik edhe më të madh sesa softueri. Zbulimi i problemeve të sigurisë Spectre dhe Meltdown këtë vit, ishte një goditje e rëndë për pothuajse çdo pajisje kompjuterike në botë e procesorë Intel, AMD dhe ARM.

Sapo të fillojë adoptimi, 5G-ja do të nisë një revolucion në komunikim. Nëse 4G-ja u mundësoi njerëzve akses në video të standardeve të larta, 5G-ja mund të mbahet mend si teknologjia e dronëve, robotëve dhe makinat autonome.

Standardi i ri është 10 herë më i shpejtë se 4G-ja dhe ngecjet e videove do ti përkasin së kaluarës përgjithnjë.

Implementimi masiv i 5G-së nuk do të fillojë deri vitin e ardhshëm. Samsung dhe Intel kanë prezantuar zhvillimet e tyre me këtë teknologji në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.

Megjithatë mbetet për tu parë nëse kompanitë Kineze do të lënë me gojë hapur Amerikanët. Tensionet janë shtuar së fundi mes Uashingtonit dhe Pekinit për çështje të tjera si tregtia dhe pronësia intelektuale.

Disa kompani Kineze tashmë kanë penetruar në Evropë por ende skanë fituar gjë në SHBA për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Madje një ligj u soll në Kongres i cili ndalon të bërit biznes mes qeverisë Amerikane dhe dy gjigandëve Kinezë Huawei dhe ZTE.

ZTE u gjobit me 1.19 miliardë dollarë nga Departamenti Amerikan i Tregtisë një vit më parë pasi u shpall fajtor për shkeljen e sanksioneve Amerikane ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut.

Huawei nuk e ka pasur aspak të lehtë. Kompania prej vitesh përpiqet të shesë pajisje për operatorët Amerikanë të cilët vazhdimisht kanë refuzuar të shesin telefonët e tyre.

Huawei dhe ZTE me këmbëngulje thonë se janë të pavarur nga qeveria Kineze. Por kompanitë Kineze, veçanërisht ato me rëndësi strategjike në sektorë si ai i telekomunikimit, kanë punuar vazhdimisht me autoritetet Kineze.

Kjo marrëdhënie e afërt ka ngritur alarmin në perëndim.

Muajin e kaluar, ligjvënësit dhe inteligjenca Amerikane paralajmëruan Senatin gjatë një dëgjese se Kina ishte përpjekur të vidhte teknologjinë dhe pronësinë intelektuale Amerikane duke përdorur kontaktet me universitetet, sipërmarrjet e përbashkëta dhe firmat e telekomunikacionit si Huawei dhe ZTE.

Ende, disa analistë janë të bindur se rreziku i një marrëveshjeje mes Qualcomm dhe Broadcom është ekzagjeruar.

Një prej arsyetimeve pse administrata Trump rrëzoi marrëveshjen ishte se Broadcom nuk ka shprehur interes për të investuar në 5G në një plan afatgjatë.

Narrativa se Broadcom nuk ishte i interesuar për të investuar në 5G është një ezkagjerim, shprehej analisti i Gartner Mark Hung. “Investimi në 5G sjell përfitime kolosale për çdo kompani e cila përfshihet. Të thuash se Broadcom do të blinte Qualcomm për të mos investuar në 5G është marrëzi,” vijoi ai.

Broadcom kishte premtuar të investonte bujshëm në 5G. 1.5 miliardë dollarë do të financoheshin për trajnuar inxhinierët Amerikanë në këtë drejtim.

Qualcomm nuk është e vetmja kompani Amerikane nga e cila pritet avancimi drejt 5G-së. Intel, njëherazi edhe rivali më i madh, është duke zhvilluar çipe 5G.

Por Qualcomm ka një avantazh në botën mobile ku procesorët e kompanisë gjenden në shumicën e telefonëve Android dhe iPhone.

Aplikimet për patenta të reja tregojnë se kompanitë Kineze po punojnë po aq sa ato Amerikanet, në mos më shumë.

Statistikat e fundit nga Organizata e Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale tregon se ZTE është lider në botë për porfofolin e gjërë të patentave që zotëron.

Kompania numëron 4,123 patenta në 2016-ën, një rritje me 91% nga një vit më parë. Huawei vjen në vendin e dytë me 3,692 patenta ndërsa Qualcomm në vendin e tretë me 2,466 patenta.

Një përpjekje e madhe nevojitet për të kaluar në rrjetet 5G, i cili pritet të shndërrohet në një standard global. Standardi është themeluar nga një organizatë ndërkombëtare e quajtur 3GPP.

Ndryshe nga paraardhësit ku shtrirja ndryshonte nga një vend tek tjetri, pajisjet me 5G do të komunikojnë me njëra tjetrën në rang global.

5G-ja do të ndryshojë rregullat e lojës,” thotë Hung i Gartner. “Por sasia e investimeve që nevojiten tregon se e gjitha kjo nuk ka për të ndodhur brenda natës. Do të duhen vite zhvillim në infrastrukturë.” /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>