Lajmet

Cilat janë problemet kryesore të internetit për fëmijët në Kosovë

Publikuar , 04 Shkurt 2019
0
Sipas hulumtimit, 97 për qind e fëmijëve në Kosovë janë përdorues të internetit, 85 për qind janë përdorues të video-lojërave dhe 35 për qind e fëmijëve luajnë video-lojëra agresive. Cilat janë problemet kryesore të internetit për fëmijët në Kosovë

Pedofilia dhe dhuna shihen si problemet më shqetësuese në internet për fëmijët në Kosovë. Kështu ka thënë Teuta Zymeri nga Qendra për Studime të Avancuara FIT, që ka treguar në “Puls” të KTV-së, të dhënat e një hulumtimi sa i përket përdorimit të internetit nga fëmijët.

Ajo ka thënë se nga një hulumtim i bërë me 1500 nxënës në Kosovë, sipas statistikave, rrjeti social më i frekuentuar është Instagrami, ndërsa pas tij vijnë YouTube dhe Facebooku.

Sipas hulumtimit, 97 për qind e fëmijëve në Kosovë janë përdorues të internetit, 85 për qind janë përdorues të video-lojërave dhe 35 për qind e fëmijëve luajnë video-lojëra agresive. Po ashtu 45 për qind e këtyre fëmijëve i frekuentojnë internet-kafetë.

Zymeri ka thënë se si shqetësim kryesor është pedofilia sepse “ata maskojnë veten si bashkëmoshatarë të fëmijëve dhe përmes profileve të rreme hynë nëpër lojëra online për të biseduar me fëmijët”.

Ajo ka këshilluar prindërit që të kenë kujdes edhe nga bisedat që bëhen në grupe te fëmijët. Sipas saj, nga biseda në grup, mund të kalohet në biseda individuale dhe të ketë kërkesa edhe për takime.

Privatësia dhe dhuna e internetit që bëhet përmes kërcënimeve, shqetësimeve, poshtërimeve e ngacmimeve, janë problemet tjera shqetësuese në internet për fëmijët. E njohur si “sajberdhuna”, ajo më së shumti bëhet përmes Messengerit me 37 për qind, 15 për qind përmes e-mailit, 15 për qind nga lojërat dhe 12 për qind përmes formave tjera.

“Sot, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varësia ndaj internetit quhet sëmundje, pra prindërit duhet që të kenë shumë kujdes dhe në mënyrë të kontrolluar të shohin sa qëndrojnë fëmijët në internet dhe çka po shikojnë. Andaj kërkojmë nga prindërit t’i mbrojnë fëmijët nga lojërat e dhunshme virtuale duke vendosur kufizim, të mësohet se me kënd luan fëmija e të kenë kujdes edhe me fotot sepse mund të keqpërdoren lehtësisht”.

“Mungon strategjia kombëtare për qasje në internet nga fëmijët”

Në anën tjetër, Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim e Kosovës, ka thënë se është e preferueshme që prindërit të jenë të pranishëm gjatë kohës sa fëmijët luajnë në internet.

LEXO EDHE:  Pse Samsung One UI është një prej softuerëve më të mirë vendosur në një smartfon

Moskufizimin e kohës që kalon një fëmijë në internet, ai e sheh problem të madh, duke shtuar se fëmijët në këto raste janë të lirë të hyjnë kudo në internet dhe të shohin edhe gjëra që mund të jenë të ndalueshme, apo edhe të dëmshme për ta.

Tahiri më tej ka thënë se Kosova s’ka strategji kombëtare për qasje në internet të sigurt nga fëmijët. Ai ka kritikuar institucionet duke thënë se askush s’merret me këtë problem, të cilin e ka quajtur “problem të madh për shoqërinë”.

Ai ka thënë se edhe në shkolla, mësuesit dhe arsimtarët duhet të kenë kujdes kur postojnë foto nëpër rrjete sociale me nxënës. Sipas tij, duhet patjetër të merret aprovim nga prindërit se a kanë të drejtë t’i publikojnë fotot e tyre gjatë orarit të mësimit apo ndonjë aktiviteti tjetër.

“Fëmijët që shfrytëzojnë shumë internetin, të shpërqendruar në orët mësimore”

Ndërkohë, Arlinda Islamaj, mësuese në shkollën fillore “Dardania”, ka thënë se të gjithë nxënësit që shfrytëzojnë internetin shumë, janë të shpërqendruar në orët mësimore.

Ajo ka kërkuar kontroll më të madh nga prindërit për qasjen e fëmijëve të tyre në internet.

Ka kërkuar, po ashtu që të ketë limit të kohës së qëndrimit në internet. /Koha.net

Tags >

Interneti
Lajmet e fundit>