Lajmet

Dëshmitari i Samsung-ut thotë se Apple pa “tabletin” e tij disa vite përpara iPad-it

Publikuar , 18 Gusht 2012
0
Dëshmitari i Samsung-ut thotë se Apple pa “tabletin” e tij disa vite përpara iPad-it

Ndërmarrja Samsung paraqiti dëshminë e vet në Gjykatë, kësaj here nga një zhvillues i lajmeve për teknologji i cili tha se kishte projektuar një prototip të kompjuterit-tablet që ndërmarrja Apple e kishte parë rreth një dekadë më parë dhe pas disa vitesh, kishte hedhur në treg iPad-in.

Dëshmia në formë të video nga Roger Fidler, i cili drejton programin e publikimit dixhital në Universitetin e Misurit, u paraqit për jurinë gjatë ditës së sotme si pjesë e gjyqit që po zhvillohet aktualisht për pronën intelektuale të Samsung-ut me Apple për smartfonët dhe tabletët.

Fidler tha në një depozitim të shkruar se “personelit të Apple i ishin paraqitur idetë dhe prototipet e tabletit tim” gjatë një periudhe në mesin e viteve 90-të kur kompania bashkëpunoi me ndërmarrjen Knight Ridder në Kolorado.

“Ideja ime konsistonte në faktin se tableti duhet të ishte diçka e lehtë, portative, me një ekran të rrafshët dhe një ekran me prekje,” tha Filder, duke iu referuar prototipit të tabletit të tij nga 1980-tat e hershme.

Apple, me bazë në Cupertino, Kaliforni, paditi ndërmarrjen Samsung në prillin e vitit 2011 duke e akuzuar atë për kopim të dizajneve të patentuara dhe Samsung përgatiti kundërpadinë.

Ky rast është i pari që shkon përpara një jurie federale dhe kjo betejë zhvillohet virtualisht në katër kontinente ku kryesojnë smartfonët e dy kompanive. Po ashtu, tregu vlerësohet nga Bloomberg Industries me një shifër prej 219.1 miliardë dollarësh.

Fidler tha se një version më i vonshëm i tabletit të tij, i ndërtuar në vitin 1994, kishte “cepa të rrumbullakosura” dhe vende për karta kujtese, sërish me një “ekran të rrafshët me prekje”.

“Supozimet e mia origjinale ishin që ai do të kishte një ekran me prekje me cepa jo të ‘mprehtë’,” tha ai. (PC World Albanian)

LEXO EDHE:  OnePlus zgjedh dizajnin revolucionar të kamerës selfie për modelin OnePlus 7

Lajmet e fundit>