Blog

Digjitalizimi besohet se do të rris efikasitetin e administratës

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 23 Korrik 2019
0
Administrata shtetërore, në vazhdimësi mbetet në fokus të kritikave të raporteve të Komisionit Evropian për shkak të mbingarkesës, cilësisë së ulët të shërbimeve dhe mungesës së profesionalizmit. Digjitalizimi besohet se do të rris efikasitetin e administratës Photo Source: RFE/RL

Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes sistemit elektronik për matjen e efikasitetit të punës së nëpunësve shtetërorë, sistem ky që është vënë në funksion së fundmi synon të ngre cilësinë e shërbimeve në administratën shtetërore.

Ekspertët thonë se ky sistem do të rezultojë si i suksesshëm vetëm nëse arrin te funksionojë dhe ngritja në detyrë sipas sistemit meritor.

Në fillim të këtij muaji, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut solli një rregullore për përcaktimin e orarit të punës dhe mënyrën e udhëheqjes së evidencës elektronike të orarit të punës dhe realizimin e detyrave të punës.

Vendosja e sistemit elektronik për regjistrimin e punës së administratorëve theksohet se ka për qëllim të përmirësojë efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve dhe ka për qëllim të krijojë një sistem të vlerave dhe meritor, për shpërblimin e nëpunësve, për angazhim plotësues jashtë orarit të punës, për dhënien e shërbimit cilësor në interes të qytetarëve dhe personave juridikë dhe të përcaktojë masa për mospërmbushjen e detyrave ose për përmbushjen sipas standardeve të parapara për efikasitet dhe cilësi.

Blerta Ahmedi Arifi, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore, institucion ky ku për disa vite aplikohet sistemi i punës mbi bazë të regjistrit të kartelave, për Radion Evropa e Lirë thotë se me zbatimin e sistemit të punës së punonjësve në administratë do të mund të pasqyrohet dhe vëllimi real i punës së tyre.

“Plotësimi i raporteve ditore për punën e tyre nga ana e punëtorëve administrativ konsideroj se duhet pranuar në aspekt pozitiv si për shembull për hapjen e mundësive për avancimin në detyrë për punonjës të caktuar. Normalisht se mund të ndodhin keqpërdorime, por ekzistojnë mekanizma për evidentimin e tyre si dhe mënjanimin e të njëjtave”, thotë Arifi.

LEXO EDHE:  Të taksosh ekonominë dixhitale

Edhe Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës Publike, për Radion Evropa e Lirë thotë se evidentimi elektronik i punës në administratë paraqet trend bashkëkohor për kontrollin e punës së administratës duke nënvizuar se sistemi elektronik pamundëson në masë të madhe subjektivitetin gjatë vlerësimit ngase në ekran qartë duket sa orë është një administrator në vendin e punës dhe sa klientë kanë shërbyer.

Ristevski megjithatë thekson se duhet punuar edhe në ngritjen e vetëdijes për përgjegjësi morale.

“Me shfrytëzimin e kapaciteteve elektronike për evidentimin e punës së të punësuarve në administratë, mundësitë për keqpërdorim dhe subjektivizëm janë minimale. Por, problemi qëndron në atë se sistemi kaherë për arsye dhe motive të caktuara lihet jashtë funksionimit dhe kjo e prish atë pasqyrën reale të punës së administratorëve në nja afat më të gjatë kohor”, thotë Ristevski.

Përderisa, Blerta Ahmedi Arifi, konsideron se pikërisht përmes sistemit të regjistrit të kartelave dhe raporteve ditore të punonjësve në administratë imponohet edhe përgjegjshmëria si dhe rritet efikasiteti në administratën shtetërore.

“Konsideroj se me aplikimin e kësaj mase do të rritet efikasiteti i administratës shtetërore e cila nuk është në nivelin e dëshiruar edhe përkundër nivelit të lartë të të punësuarve në administratën shtetërore”.

“Në këtë drejtim, mund të fitohet një pasqyrë e qartë se sa për afërsisht duhet të jetë dhe numri i të punësuarve në administratën shtetërore. Me këtë gjë do të ishte më funksional edhe sistemi i shpërblimeve dhe motivimi për raste të caktuara”, thotë Arifi.

Ngritja në detyrë sipas sistemit meritor mbetet pika më e ndjeshme për funksionalitetin e administratës publike, thotë Ristevski.

Sipas tij, gjithçka është e kotë përderisa politika është ajo që dirigjon postet drejtuese në sektorë të saktësuar të institucioneve shtetërore. Ristevski thotë se ky është edhe problem i mungesës së efikasitetit në administratë.

LEXO EDHE:  Më 19-21 Nëntor u mbajt në Graz të Austrisë Asambleja e SME-ve, merr pjesë një delegacion nga Shqipëria

“Motivimi është faktori kyç që një punonjës administrate të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e obligimeve dhe nëse respektohet parimi i sistemit meritor, kjo masë do të ketë sukses, në të kundërtën, nëse vazhdohet me praktikat e deritashme, shefi përkatësisht politika vendos për avancimin e administratorëve atëherë është e kotë vendosa e regjistrit elektronik për vlerësimin e punës së nëpunësve shtetëror”, thotë Ristevski.

Nga dikasteri i shoqërisë informative pothuajse dy vite më parë theksuan se çdo institucion shtetëror duhet të aplikojë sistemin elektronik për udhëheqjen e evidencës, orarit të punës dhe realizimin e detyrave për nëpunësit shtetëror megjithëse në praktikë ekspertët thonë se vështirë arrin të zbatohet.

Administrata shtetërore, në vazhdimësi mbetet në fokus të kritikave të raporteve të Komisionit Evropian për shkak të mbingarkesës, cilësisë së ulët të shërbimeve dhe mungesës së profesionalizmit. /RadioEvropaLirë

Lajmet e fundit>