Blog

Dizajn Global

Publikuar , 08 Shkurt 2010
0
Dizajn Global

Kohët e fundit mund të shohësh makina që ngjajnë kaq shumë me njëra-tjetrën, sa do ta kishit të vështirë të dallonit markën nëse do të hiqnit stemën dhe emrin nga pjesa e parme dhe e pasme e tyre. Ashtu si domatet e modifikuara gjenetikisht seleksionohen për t’i rezistuar më mirë motit, kohës dhe insekteve, forma të ngjashme dhe më të universalizuara janë përzgjedhur për të qenë më ekonomike dhe njëkohësisht më tërheqëse se forma të tjera dhe ashtu si O.M.GJ-të, përhapen në botën e sotme pa kufij sa hap e mbyll sytë.

Ekonomia kineze, në pjesën më të madhe globalisht informale, e ka kthyer kopjimin në një ndër armët e saj më të forta; iPhone me ¼ e çmimit dhe aksesorë luksi që mund t’i blini me paratë e xhepit kur ktheheni nga puna janë prej kohësh një realitet i spikatur i jetës së përditshme, realiteti i ëmbël i “mirë dhe lirë”, i pamohueshëm, i pakundërshtueshëm dhe i domosdoshëm i një zhvillimi që përpiqet të gjejë hapësira të reja, mundësi për këdo dhe për çdo lloj portofoli.
Të kontrastosh atë që është mbase forca më e madhe shtytëse e përhapjes së teknologjisë në botë, megjithëse pa të gjitha letrat në rregull, është patjetër e pamundur, askush nga ne nuk do kishte larminë dhe cilësinë e pajisjeve që ka sot pa praninë e kësaj force të madhe dhe të vrazhdë që ka për levë kryesore zbatimin e një projekti të parë diku tjetër, por çfarë ndodh nëse edhe kompanitë më të mëdha të fushës bien pre e fenomenit të majmunizimit të më të mirit?

Në natyrë ky është një fenomen i hasur dhe shpesh i zakonshëm; gjarpërinj të parrezikshëm vishen me ngjyrat e kolegëve të tyre vdekjeprurës për të alarmuar armiqtë e mundshëm që në distancë dhe fluturat shpesh kanë rrathë të zinj mbi krahë për t’u ngjarë syve të një koke në vend të një insekti delikat.

LEXO EDHE:  Një startup Zviceran thotë se ka ndërtuar bateri 1,000 km për makinat elektrike

Në mënyrë të ngjashme, kompani ndër më prestigjiozet shpesh imitojnë jo vetëm funksionalitetin, por dhe pamjen tërheqëse të konkurrentëve më të suksesshëm deri në një pikë që kohët e fundit po bëhet e bezdisshme. Mund të numëroni sa MP3–player të markave të ndryshme kanë marrë ‘pa dashje’ pamjen e një i-Podi? Deri në vitin 2007, monitorët  LG ngjanin si shumë të tjerë, me korniza të thjeshta, por një vit më pas seria e re dukej identike me atë të Samsung, e cila në vitin 2007 kishte fituar dy çmime IF për dizajn dhe material. Me harkun e lehtë në pjesën e poshtme dhe materialin e ngjashëm, duhej të afroheshe shumë për të dalluar ndryshimet.

Vërtetë që një imazh i njohur shitet dhe kjo sigurisht mund të jetë një situatë për t’u shfrytëzuar. Për kopjacët informalë kjo mund të jetë diçka më se e pranueshme, në fund të fundit, dhe marka mbetet ‘e njëjta’. Por a është kaq e vështirë për kompani lider, me buxhete stratosferike, që të ofrojnë një dizajn origjinal dhe tërheqës që nuk i ngjan atij të konkurrentit direkt?

 Nga ana tjetër, shumë firma po zgjohen, duke ofruar përveç performancës edhe pamje të këndshme dhe origjinale të produkteve të tyre. Në një jetë ku po bëhet kaq e vështirë t’i shpëtosh homogjenizimit, nuk ndihesh mirë kur shpesh e shikon atë të prekë edhe krijimtarinë dhe shpreson për zgjidhje që përforcojnë individualitetin.

Lajmet e fundit>