Blog

E-Lejet, zbatimi nuk ka qenë i lehtë, sfidë shqyrtimi brenda 60 ditëve

Publikuar , 19 Shkurt 2018
0
Gjatë mbledhjes pati diskutime nga anëtarët e Këshillit mbi rekomandimet e mundshme të përgatitura nga Sekretariati në konsultim me palët mbi përmirësimin e funksionimit të sistemit, duke u fokusuar në aspektet ligjore, institucionale dhe teknike. E-Lejet, zbatimi nuk ka qenë i lehtë, sfidë shqyrtimi brenda 60 ditëve

Procesi i aplikimit online për leje ndërtimi (e-leje), që ka filluar nga shtatori 2016 ka hasur në problematika, si psh mos përfundimi i procedurave të shqyrtimit brenda 60 ditëve kalendarike, vështirësitë e administratës së tyre për t’u shkëputur nga tradita shkresore, apo parimi i miratimit në heshtje i cili nuk respektohet në të gjitha rastet dhe veçanërisht në rastin kur Bashkitë nuk marrin përgjigje nga ZVRPP mbi gjendjen e pasurisë. Këto janë disa nga shqetësimet e evidentuara nga Këshilli i Investimeve.

Ky i fundit zhvilloi më 13 shkurt 2018 mbledhjen e tij të radhës, drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Arben Ahmetaj. Në fokus të mbledhjes ishte prezantimi dhe diskutimi i gjetjeve me kryesore të subjekteve mbi e-Lejet, si pjesë e reformës së Derregullimit si edhe lançimi i proçesit për përgatitjen e ligjit të ri të unifikuar të investimeve me mbështetjen e International Finance Corporation (IFC).

Analiza kishte për qëllim evidentimin e problematikave më kryesore të përdoruesve të platformës e-Leje (projektues, zhvillues, investitorë, etj) lidhur me procesin e aplikimit për leje zhvillimi, leje ndërtimi apo aplikime të tjera (rreth 20 shërbime), me synim thjeshtimin e mëtejshëm të proçedurave në kontekstin e Reformës së Derregullimit. Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj theksoi se “Derregulimi konsiderohet si një reformë thelbësore për të përmirësuar të bërit biznes në vendin tonë, për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve në marrëdhënie me administratën, për të reduktuar në maksimum burokracinë dhe sigurisht për t’i kursyer kohë, para e punë sipërmarrjes në vazhdimësi”.

Në prezantimin e përgatitur nga Sekretariati, mbi Gjetjet e Notës Teknike u theksua se zbatimi prej 1 shtator 2016 i platformës e-Leje si i vetmi instrument i aplikimit, shqyrtimit dhe miratimit të lejeve të ndërtimit ka disiplinuar shqyrtimin e aplikimeve nga pikëpamja e afateve si për aplikuesit ashtu edhe për institucionet duke ulur edhe kostot operacionale për të dyja palët. Ndëkohë, përfundimi i procedurave të shqyrtimit brenda 60 ditëve kalendarike mbetet sfidë për administratën e Bashkive. Zbatimi i kësaj risie nuk ka qenë i lehtë duke patur në konsideratë kapacitetet e kufizuara të disa Bashkive apo institucioneve të veçanta, vështirësitë e administratës së tyre për t’u shkëputur nga tradita shkresore e praktikave dokumentare apo për t’u informuar në kohë mbi konceptet e reja të legjislacionit të fushës si p.sh. parimi i miratimit në heshtje i cili nuk respektohet në të gjitha rastet dhe veçanërisht në rastin kur Bashkitë nuk marrin përgjigje nga ZVRPP mbi gjendjen e pasurisë.

LEXO EDHE:  Harman Kardon Citation 500 është një altoparlant inteligjent 700 dollarësh me Google Assistant

Gjatë mbledhjes pati diskutime nga anëtarët e Këshillit mbi rekomandimet e mundshme të përgatitura nga Sekretariati në konsultim me palët mbi përmirësimin e funksionimit të sistemit, duke u fokusuar në aspektet ligjore, institucionale dhe teknike.

Më tej, në përputhje me rendin e ditës,  u bë edhe një prezantim nga znj. Laura Qorlaze, përfaqësuese e IFC në Shqipëri, mbi proçesin e draftimit të ligjit të ri të unifikuar të investimeve të përgatitur me mbështetjen e IFC dhe me financim të  Qeverisë Zvicerane. Drafti ka filluar të diskutohet me grupin e punës së ngritur në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për t’u prezantuar më tej në  Këshillin e Investimeve në mbledhjen e tij të rradhës si dhe për diskutim me biznesin sipas një plani të miratuar tashmë midis aktorëve.

Në mbledhje ishin të pranishëm perfaqësues të studiove projektuese, zhvillues, si edhe  përfaqësues të shoqatave të biznesit vendas dhe të huaj. /Monitor

Tags >

E-Lejet
Lajmet e fundit>