Të dhëna të cilat përfshijnë adresat e-mail të më shumë se 200 milionë përdoruesve të Twitter janë shpërndarë në një forum hakerësh pa kërkuar asnjë pagesë në këmbim.
Informacionet e vjedhura përfshijnë adresa e-maili të përdorura për të regjistruar llogaritë, një zhvillim i cili mund të shqetësojë përdoruesit anonimë të cilët janë regjistruar me e-mail-e të ndjeshme.
Alon Gal nga kompania e sigurisë kibernetike Hudson Rock, që zbuloi fillimisht rrjedhjen e këtij informacioni, tha se më shumë se 200 milionë adresa janë bërë publike.
Sipas tij kjo mund të çojë në hakimin e shumë përdoruesve dhe vënien në shënjestër të tyre nga hakerët dhe fushata të ndryshme phishing.
Seti i të dhënave nuk është konfirmuar plotësisht por Bleeping Computer ka arritur ti shkarkojë dhe konfirmuar se disa prej tyre ishin të sakta dhe u përkisnin profileve të vërteta të Twitter.
Edhe pse kishte e-mail-e të dyfishta, një tjetër hulumtues tha se numri unik i adresave të prekura ishte më shumë se 100 milionë.
Lajmi vjen pak ditë pasi një haker kishte kërcënuar me publikimin e e-mail-eve dhe numrave të telefonit të 400 milionë llogarive të Twitter nëse rrjeti social nuk i paguante 200 mijë dollarë.
Edhe pse treguesit e parë sugjerojnë se seti i të dhënave është i vërtetë, nga ana tjetër mund të jetë një ripublikim i të dhënave të rrjedhura më herët. /PCWorld Albanian