Lajmet

Eagle Mobile do të dërgojë 25 fatlum në finale të botërorit

Publikuar , 06 Maj 2010
0
Eagle Mobile do të dërgojë 25 fatlum në finale të botërorit

Për herë të parë, një kompani shqiptare mundëson ndjekjen drejtpërdrejt nga stadiumi të një prej evenimenteve më të mëdha në botë, me një biletë të klasit të parë. “Eagle Mobile” vazhdon të jetë kompania e cila sjell risi dhe vlerëson dëshirat e abonentëve të saj.

Duke e cilësuar futbollin si sportin më të ndjekur nga shqiptarët, Orkunt Yozgat, Drejtor i Grupit të Shitjeve dhe Marketingut në “Eagle Mobile”, thotë se “të shohësh nga vendet më të mira të stadiumit një finale të botërorit, është një ngjarje që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë”. “25 abonentë të ‘Eagle Mobile’ do të udhëtojnë drejt Afrikës së Jugut në javën e dytë të Korrikut, për të shijuar atje një javë të paharrueshme.

Kompania jonë do të mbulojë të gjitha shpenzimet e tyre, si biletën e avionit, qëndrimin në hotel, ushqimin dhe shëtitjet në qytetin e Johanesburgut. “Ne u bëjmë thirrje sportdashësve shqiptarë që ta ndjekin ndeshjen në Johanesburg dhe jo nga televizori” thotë z. Yozgat.
Të gjithë abonentët “Eagle” me parapagesë dhe ata që zotërojnë një numër individual me kontratë do të kenë mundësi që të marrin pjesë në një shorte, nga ku do të përzgjidhen 25 fitues.

Fushata që ka nisur në datën 2 Maj 2010 dhe përfundon më 16 Qershor 2010, u jep mundësi abonentëve me parapagesë që të jenë pjesë e shorteut, duke bërë të paktën një rimbushje prej 800 Lekë (me TVSH) dhe të mbledhin pikë nga rimbushjet e tyre.

Pjesëmarrësi i përzgjedhur duhet të paraqitet me pasaportën përkatëse nga 21 deri më 23 Qershor 2010 pranë “Eagle Mobile”. 10 nga 25 abonentët fitues do t’i përkasin programit individual me kontratë, 15 të tjerët do të zgjidhen nga programi me parapagesë, ndërkohë që regjistrimi në këtë fushatë do të jetë falas.

LEXO EDHE:  Investitorë të fuqishëm brenda Facebook kërkojnë largimin e Zuckerberg

Të gjithë fituesit do të përfitojnë: vizën, pagesën përkatëse të vizës dhe sigurimin e jetës, shpenzimin e udhëtimit vajtje-ardhje Shqipëri-Afrikë e Jugut, 3 net akomodim në hotel në Afrikën e Jugut, akomodim që përfshin mëngjesin, një biletë të klasit të parë të Botërorit “FIFA World Cup 2010”, një natë akomodim në Stamboll gjatë rrugës së kthimit në Shqipëri, ku përfshihet darka dhe mëngjesi. Gjithashtu, nga pjesëmarrja janë të përjashtuar abonentët nën moshën 18 vjeç.

Fituesit nuk mund ta delegojnë të drejtën e tyre. Emrat e tyre do të publikohen në datë 19 Qershor në shtypin e shkruar, si dhe to të kontaktohen nga vetë kompania “Eagle Mobile”. Në këtë fushatë nuk përfshihen punonjësit e “Eagle Mobile” dhe pjesëtarët e familjeve të tyre. Po ashtu nuk përfshihen edhe ata të programit me kontratë të biznesit.

Lajmet e fundit>