Lajmet

Eagle Mobile, në aksion për pastrimin e ambienteve të ndryshme në Shqipëri

Publikuar , 11 Maj 2010
0
Eagle Mobile, në aksion për pastrimin e ambienteve të ndryshme në Shqipëri

Drejtues të Eagle, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mjedisit së bashku me më shumë se 200 nxënës të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, pastruan disa zona të qytetit bregdetar, pikës më tërheqëse për turizmin në Shqipëri.

Në një aksion që zgjati më shumë se dy orë, nxënësit durrsakë, mësuesit e tyre, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, Eagle Mobile, Ministrive të Arsimit dhe Mjedisit pastruan një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit gjatë sezonit turistik.

Të pajisur me mjete pro-mjedisorë për pastrimin, mbledhjen dhe grumbullimin e hedhurinave, të rinjtë tërhoqën edhe vëmendjen e banorëve të Durrësit që e mirëpritën këtë aksion.

“Është një kënaqësi të kontribuosh për komunitetin. Kjo qëndron në thelb të përgjegjësisë tonë sociale. Çdo të premte ne do të jemi në një qytet duke nisur sot me Durrësin e më pas me Lezhën, Vlorën, Tiranën, Kamzën dhe Pogradecin. Falënderojmë shumë Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Mjedisit për mbështetjen që po i japin këtij projekti” tha zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, z. Bulent Dorttepe.

Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, z. Fatmir Vejsiu tha se “ky është një veprim simbolik për të sensibilizuar të rinjtë dhe komunitetin”. “Roli i medias në këtë pikë është shumë i rëndësishëm. Ne kemi angazhuar qindra nxënës në të gjithë vendin në këtë projekt” tha z. Vejsiu duke falënderuar edhe Eagle Mobile për këtë fushatë.

Zëvendës Ministri i Mjedisit z. Arben Demeti e cilësoi këtë një fushatë për tu përgëzuar. Ai tha se “Ministria e Mjedisit përveç se mbështet të tilla projekte, ka edhe projekte të tjera lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe për të sensibilizuar qytetarët.”

LEXO EDHE:  Bashkimi Evropian heton blerjen e Liberty Global nga Vodafone

Eagle Mobile e ka shpallur vitin 2010 si “Vit të Mjedisit” për kompaninë. Projekte të ndryshme si mbjellje pemësh, restaurim parqesh, krijimi i parqe të lojërave për fëmijë dhe fushata sensibilizimi janë ndërmarrë nga Eagle.

Lajmet e fundit>