Biznes

Eagle Mobile u bënë thirrje ngasësve të kenë kujdes në rrugë

Publikuar , 31 Korrik 2010
0
Eagle Mobile u bënë thirrje ngasësve të kenë kujdes në rrugë

Eagle Mobile u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Shkalla e lartë e aksidenteve me pasojë vdekjen dhe lëndimin e qindra qytetarëve shqiptarë është një shqetësim për të gjithë shoqërinë tonë. Lajmet e ditëve të fundit flasin për qindra aksidente në pjesë të ndryshme të vendit, kryesisht në akset rrugore kombëtare.  

Për këtë arsye, Eagle Mobile u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të mos e përdorin telefonin celular gjatë kohës që ngasin automjetin. Të ardhurat nga telefonatat janë të rëndësishme për kompaninë, por më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve. Eagle sugjeron që telefonatat, mesazhet e shkurtra SMS apo komunikimi nëpërmjet internetit në celular të kryhen pasi automjeti ka ndaluar. Po ashtu, Eagle shprehet kundër përdorimit të mjeteve alternative të celularëve, si kufjet etj. gjatë kohës kur një person drejton automjetin.   

Nisur nga rreziqet që drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët mund të hasin nga drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt, nën kujdesin e e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, është  ngritur Koalicion Shqiptar për Sigurinë Rrugore, pjesë e të cilit është edhe Eagle Mobile.

Koalicioni i themeluar sot është bashkim i 10 organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me bashkëpunëtorë të rëndësishëm nga sektori privat. Ky koalicion ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të edukojë publikun shqiptar mbi masat e sigurisë rrugore, si dhe të mbështesë drejtimin me përgjegjësi të mjeteve.

Eagle Mobile kujdeset për të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe Eagle me mëse 700. 000 anëtarë, të cilëve u është dërguar një mesazh, që i fton të drejtojnë automjetin me përgjegjësi, në mënyrë që të mos përbëjnë rrezik për veten apo për të tjerët. Ky projekt do të vazhdojë gjatë gjithë muajve të verës dhe do të pasurohet me elementë të tjerë të rëndësishëm të fushatës, që do të pasqyrohen në media të ndryshme.
 
Eagle Mobile dhe “Koalicioni Shqiptar për Sigurinë Rrugore” ju ftojnë të drejtoni automjetin tuaj me përgjegjësi. Pushime të mbara!

LEXO EDHE:  Vodafone kërkon me çdo kusht të blejë Liberty Global

Lajmet e fundit>