Analiza

Efekti i taksës 100% të Kosovës ndaj Serbisë në importin brendeve botërore

Nga: refkihavolli
Publikuar , 23 Shtator 2019
0
Taksa pati një përkrahje të madhe nga shumica e partive politike, medieve, shoqëria civile dhe kjo ndikoj edhe në përkrahjen e popullit. Efekti i taksës 100% të Kosovës ndaj Serbisë në importin brendeve botërore

Kosova, edhe pse ishte anëtare në CEFTA, këto dy shtete nuk e kishin respektuar atë duke vendosur pengesa të natyrave të ndryshme për të penguar lëvizjen e lirë të mallrave. Një nga pengesat ishin transporti, analizat e produkteve etj. Qeveria e Kosovës tha se kjo taksë u vendos për të mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të Republikës së Kosovës.

Taksa pati një përkrahje të madhe nga shumica e partive politike, medieve, shoqëria civile dhe kjo ndikoj edhe në përkrahjen e popullit. Edhe pjesa që u atakua më së shumti nga taksa, shtresa e varfër, nuk e kundërshtoi vendimin. Vendimi u kundërshtua nga komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës me protesta në rrugë, por pas disa javësh u qetësuan, ata vazhduan furnizimet përmes kanaleve ilegale. Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqje dhe shkëputen çdo lloj komunikimi me pushtetin qendror e me këtë kontrolli i veriut është jo i plotë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka takuar ambasadorin e Kinës dhe atë Rusisë, si dhe ambasadorët e vendeve të “Quint”-it në Beograd, pas vendimit për rritjen e taksave nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, nga 10 në 100%.

Serbia, duke u ankuar më tepër sesa është efekti real i taksës, luan rolin e viktimës dhe gjoja të palës konstruktive, duke kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e taksës. Sipas Serbisë, vendosja e Taksës është kundër rregullave të CEFT-as.

Edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Federica Mogerini, i kërkoi Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për rritjen e taksës. Këtë vendim ajo e konsideroj si shkelje të marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA.

Presioni për heqjen e taksës 100% dita ditës u shtua nga përfaqësues të BE-së, SHBA-ve dhe shteteve të tjera në mënyrë individuale.

Qeveria e Kosovës dhe analistë të ndryshëm politikë, e komentojnë në mënyra të ndryshme vendosjen e taksës dhe shumica i përmendin efektet pozitive, që në fakt edhe i ka arritur, por harrojnë të japin sqarime përse bashkësia ndërkombëtare po bën presion në largimin e taksës.

Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina më tepër është pengesë që të hyjnë në tregun e Kosovës markat ndërkombëtare, të cilat prodhohen në Serbi, por që pronarë të tyre janë kompanitë ndërkombëtare. Produktet apo markat serbe pothuajse nuk janë ndaluar e ato janë, kryesisht, gruri, mielli, materiali ndërtimor, të cilat ripaketohen në Maqedoni, Mal të Zi dhe përsëri futen në Kosovë me një çmim më të lartë për shkak të paketimit dhe transportit. Këto mallra shumë lehtë barten nga prodhuesit deri në veri të Kosovës edhe me ambalazhin ekzistues. Markat ndërkombëtare eksportet i bëjnë në formë legale dhe kjo ndikon që ata të mos kenë mundësi të tjera, prandaj ata të ankohen në shtetet prej nga vijnë. Në Serbi, vetëm nga Gjermania operojnë rreth 400 biznese të cilat kanë të punësuar mbi 60 mijë punëtor.

Arsyet që shtyn Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendosjen e taksës 100%

Fushata agresive e Serbisë, lufta diplomatike për heqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur më herët Kosovën dhe fushata kundër anëtarësimin e Kosovës në Interpol, e cila dhe pati sukses, ishin  ndër  arsyet që e shtyn Qeverinë e Kosovës të vendoste taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Vlera e Importeve dhe Eksporteve në Kosovë për vitet 2016, 2017, 2018

Vlera e Importeve dhe Eksporteve sipas Entit të Statistikave të Kosovës është si në tabelë:

Importit e mallrave nga Serbia, kryesisht ishin mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor.

Pas Serbisë, për import, prijnë Gjermania me rreth 300 milionë euro, Turqia me 251 milionë, Kina në vlerë prej 233 milionë, Italia me 162 milionë, Shqipëria me 152 milionë, Maqedonia  me 129 dhe Greqia me 88 milionë.

Taksa u vendos pa një analizë dhe parapërgatitje ose u bë me nguti për përfitime të një grupi të interesit

Taksa, megjithë efektet pozitiv, pati edhe dobësitë e saj. Taksa u vendos për një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe nuk ishte bërë një analizë e mirëfilltë  për mënyrën e e zbatimit. Në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, në departamentin ku regjistrohen markat tregtare, mungonte një bazë e mirëfilltë e të dhënave për markat ndërkombëtare. Shënimet ishin gjysmake dhe linte shumë për të dëshiruar. Nuk ishin vendosur kriteret se çfarë nënkuptonte marka ndërkombëtare.

LEXO EDHE:  Shkenca, ja kushtet e BE-së për integrimin

Në fillim vendosja e taksës ishte e vogël, 10%, dhe nuk i atakonte markat ndërkombëtare. Efekti ishte i papërfillshëm dhe kjo u bë në 100 % për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Pika 2 e vendimit të Qeverisë së Kosovës nr.01/76 të datës 21.11.2018 ka këtë përmbajtje:

Pavarësisht origjinës së mallit të paraparë në paragrafin 1 të këtij vendimi, masa prej 100 % nuk aplikohet për markat e njohura tregtare të vendeve të tjera të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, të cilat janë pjesë e aneksit të bashkangjitur me këtë vendim.

Në këtë regjistër ishin futur vetëm 8 biznese që lënë për të dyshuar se: ose ishte bërë në marrëveshje nga zyrtarët qeveritarë ose ishe padituri e tyre. Hipoteza e dytë u argumentua më vonë  se nuk ishte shkaktari i seleksionimit  diskriminimi i bizneseve, pasi  në bazën e të dhënave ishin të regjistruar edhe shumë e shumë marka tregtare ndërkombëtare, të mbrojtura, por nuk ishin lejuar të importonin.

Qeveria nuk e respektoj vendimin që e kishte marrë vetë dhe bëri shkelje, sepse pas datës 21.11.2018, me vendimin nr.01/76 kishte futur në aneks vetëm 8 biznese me të drejtë importi, nëntë marka tregtare ndërkombëtare që lejoheshin të importonin.

Disa biznese kishin në depot e tyre doganore sasi të mëdha të mallit që pastaj me një vendim tjetër u lejuan ta zhdoganonin ato mallra pa taksën 100% në muajin  shkurt 2019.

Qeveria nuk ka pasur një plan që t’i informonte importuesit në Kosovë për të gjetur tregje alternative për furnizimet e tyre.

Mungesë koordinimi MTI-Dogana, Ministria e Financave, Qeveria e Kosovës (kryeministria)

Në një aneks të vendimit të Qeverisë u vendosen 8 biznese që merren me importimin e markave ndërkombëtare, kurse ishin lënë jashtë kësaj me dhjetëra e dhjetëra biznese që importonin markat ndërkombëtare deri në marrjen e vendimit.

Mbetet e paqartë përse kjo listë ka vetëm 9 marka, që mund të tregtojnë me Serbinë pa taksa shtesë. As Qeveria as instititucionet e tjera pёrkatёse nuk kanë dhёnё ndonjë sqarim nё lidhje me kёtё, as neve as Odës Ekonomike të Kosovës. Berat Rukiqi e ka tё paqartë pёrse lista e markave ёshtё e pakompletuar.

Ky veprim nga disa u kuptua si favorizim i disa bizneseve të cilat patën mundësi të bënin importimin e sasive të mëdha të mallrave dhe me këtë mënyrë të rritnin fitimet e tyre.

Dogana fillon aplikimin e vendimit të Qeverisë për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës sipas aneks vendimit.

Shumë biznese të tjera dërguan dëshmitë se markat që importonin ishin ndërkombëtare, disa nga këto marka ishin të regjistruara edhe në bazën e të dhënave të MTI-së, por nuk lejoheshin të hynin pa paguar taksën 100%. Zyrtari përgjegjës nga Agjensia e Pronësisë Industriale, pjesë e MTI-së, përgjegjës për regjistrimin e Markës Tregtare, në regjistrin e Markave Tregtare, tregonte se ka njoftuar doganën për kriteret dhe si të vendoste dhe se si të cilësohej një produkt i importuar markë ndërkombëtare. Dëshmi ishte edhe e-maili zyrtar drejtuar personave përgjegjës në Doganë. Dogana bënte përgjegjëse MTI-në, Ministrinë e Financave dhe Qeverinë dhe ishin të traumatizuar nga kërcënimi që kishin marrë nga Qeveria nëse lejoheshin të hynin mallra jashtë listës që ata kishin lëshuar me aneksvendim.

Deklarimet për dhe kundër taksës dhe si ndikoj ajo

Shumica e partive politike dhe e qytetarëve ishin pro vendosjes së taksës 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, pasi  vendimi 1/76 të datës 21.11.2018, lironte markat e vendeve të tjera që prodhohen në këto dy vende nga kjo taksë.

LEXO EDHE:  New York Times: Facebook ka ndarë me partnerët mesazhet private të përdoruesve

Shumica e prodhuesve vendorë e pritën me entuziazëm vendosjen e taksës 100% ndaj markave serbe dhe boshnjake. Taksa bëri të mundur të rriten e sasitë e prodhimit, të rritet konsumi i prodhimeve vendore.

Taksa e arriti efektin politik dhe e bëri që Serbia të ndëshkohej për të bëmat e saj.

Disa nga prodhuesit të cilët lëndën e parë e importonin nga këto dy vende u prekën nga vendimi sepse i gjeti të papërgatitur.

Taksa ndikoj  sidomos në rritjen e çmimeve të disa produkteve, si miellit dhe produkteve të tij. Vendosja e taksës ndikoj në rritjen e theksuar të kontrabandës,  sidomos në komunat ku jetojnë komuniteti serb.

Disa analistë ekonomie, pasi kritikuan mënyrën e vendosjes së taksës, u etiketuan dhe u fyen në rrjetet sociale dhe kështu ata u tërhoqën nga vlerësimet e tyre.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e ka quajtur fëmijëror, të pamenduar mirë dhe të ngutur vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës për importimin e mallrave serbe në vlerë prej 100 për qind.

Pas këshillave të shteteve mike që taksa të pezullohet për një afat të caktuar dhe t’i jepet mundësi dialogut, shumica e opinionit publik pajtohet me këto këshilla, por ka edhe një pakicë e cila mendon se, pavarësisht këshillave të shteteve mike dhe presioneve, të mos suspendohet taksa derisa Serbia të bëjë njohjen e Kosovës.

Presioni për heqjen e taksës nga bashkësia ndërkombëtare

Vendosja e kësaj takse ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, vërtet të përfaqësueses së lartë, Federica Mogherini, e cila ka kërkuar nga Kosova të shfuqizojë menjëherë këtë vendim.

Zyrtarët ndërkombëtarë që kërkuan heqjen e taksës ishin të shumtë dhe e cilësuan si shkelje në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA). Disa nga zyrtarët më me ndikim ishin Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, nënsekretari amerikan për Çështje Politike David Hale, Qeveria Gjermane dhe shefja e diplomacisë evropiane, Frederica Mogherini.

Arsyeja kryesore përse bashkësia ndërkombëtare filloi të bënte presion për heqjen apo pezullimin e përkohshëm të taksës është sepse shumë prodhues-marka ndërkombëtare prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Me ndryshimin e vendimit 01/76 të datës 28.11.2018 ishe bërë një kufizim me aneksin e këtij vendimi, i cili jepte dykuptimësi vendimit. Paragrafi dy lejonte të gjitha markat ndërkombëtare të importoheshin pa iu nënshtruar pagesës së taksës 100 %,  kurse aneksi i vendimit i lejonte vetëm disa nga markat ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe vendim u plotësua me vendimin e datës 28.12.2018, i cili ndalonte pa përjashtim të gjitha markat tregtare serbe dhe ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Kjo bëri që presioni ndërkombëtar të fillojë e pastaj edhe të rritej që taksa të hiqej apo të pezullohej përkohësisht.

Arsyet perse markat ndërkombëtare u vendosen në Serbi e asnjëra në Kosovë

Përderisa Kosova, procesin e privatizimit e bëri në mënyrën më të keqe të mundshme, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vepruan logjikshëm, duke ftuar prodhuesit e markave ndërkombëtare të investonin në vendet e tyre.

Shumë investitorë të huaj u larguan nga investimet e tyre në Kosovë, sepse zyrtarë të lartë të pushtetit u kërkonin favore dhe haraç në mënyrë që ata të ishin fitues në procesin e privatizimit.

Korrupsioni në Kosovë është endemik dhe pengesë për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.

Gati të gjitha ndërmarrjeve që u privatizuan në Kosovë iu ndërrua destinimi, punëtorët u dëbuan nga puna. Në Serbi investitorët e huaj u favorizuan me qëllimin që këto favorizime të sillnin përftime të mëdha ekonomike  më vonë. Numri i të punësuarve në këto kompani ndërkombëtare është shumë i lartë, ndërkaq tatimet dhe taksat e tjera që vjel shteti janë shumë të dobishme për rritjen e buxhetit.

Disa nga markat ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë

Konkluzione

Vendimi i taksës ishte vendosur pa bërë një parapërgatitje të mirëfilltë nga Qeveria.

Ka munguar një koordinim ndërmjet Qeverisë, MTI-së dhe Doganës për zbatimin e taksës 10% e pastaj asaj 100%. Mënyra si u vendos taksa dhe futja e vetëm nëntë bizneseve dhe vetëm disa markave tregtare ngrit dyshimet për kurdisje dhe keqpërdorime nga zyrtar të lartë shtetërorë.

LEXO EDHE:  Përgjatë 2018-ës ka pasur 113 miliardë shkarkime aplikacionesh dhe lojërash

Shumë biznese të tjera dërguan dëshmitë se markat që importonin ishin ndërkombëtare, disa nga këto marka ishin të regjistruara edhe në bazën e të dhënave nga Agjencia e Pronësisë Industriale, pjesë e MTI-së, përgjegjës për regjistrimin e Markës Tregtare, në regjistrin e Markave Tregtare, të MTI-së, por nuk lejoheshin të hynin pa paguar taksën 100%, gjë që ishte shkelje e vendimit që vetë Qeveria e kishte marrë.

Zyrtari përgjegjës nga Agjencia e Pronësisë Industriale, pjesë e MTI-së, përgjegjës për regjistrimin e Markës Tregtare, në regjistrin e Markave Tregtare, e kanë njoftuar Doganën për kriteret dhe si të vendoste dhe se si të cilësohej një produkt i importuar markë ndërkombëtare.

Vendosja e taksës ka pas disa efekte pozitive dhe disa negative.

Efekte pozitive sepse janë rritur shitjet e produkteve dhe të shërbimeve vendore dhe është krijuar një ngritje e vetëdijes që të konsumohen më shumë produktet vendore.

Vendosja e taksës ka bërë që eksportet edhe ashtu të vogla të Kosovës në Serbi të pësojnë rënie për 50% gjatë muajve të parë krahasuar me vitin paraprak. Te bizneset prodhuese apo shërbyese, të cilat kanë pasur eksporte nga këto dy vende, ka pasur reduktim të numrit të punëtorëve dhe vendosja e taksës ka pasur efekt negativ. Taksa ka ndikuar në rritjen e çmimeve të një numri të madh të produkteve dhe shërbimeve, është rritur kostoja e lëndës së parë, është rritur dukshëm kostoja e transportit të mallrave. Vendosja e taksës ka ndikuar në rritjen e theksuar të kontrabandës. Kryetarët e komunave  në veri të Kosovës nga komuniteti serb, në shenjë proteste dhanë dorëheqje dhe kështu shkëputi bashkëpunimin me pushtetin qendror të Kosovës.

Taksa e ka pasur efektin për heqjen e vëmendjen së publikut nga skandalet dhe abuzimet që janë duke ndodhur në shumë sektor publik.

Vendosja e taksës 100% për të gjitha markat që prodhohen në Serbi pa dallim edhe për ato 8 biznese që ishin lejuar fillimisht duke u bazuar në paragrafin 2 të vendimit Nr.01/76, është më e drejtë për bizneset-importuesit në Kosovë, edhe pse është shkelje dhe ndëshkim ndaj markave tregtare ndërkombëtare.

Në Serbi, vetëm nga Gjermania operojnë rreth 400 biznese të cilat kanë të punësuar mbi 60 mijë punëtor. Në Kosovë shkaku i klimës koruptive dhe mënyres së privatizimit asnjëra nga Qeveritë e Kosovës deri më sot,  nuk ka krijuar kushte për joshjen e investitorëve të huaj.

Rekomandime

Në hartimin e vendimit është dashur të konsultohen ekspertë nga fusha e ekonomisë, të shihen se cilat mund të jenë efektet pozitive dhe ato negative.

Kur merret një vendim i caktuar bizneset duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Importuesit dhe prodhuesit që kanë importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është dashur të informohen dhe njëkohësisht t’iu kufizohet sasia e importeve që të mos  kalojë vlerat e vitit paraprak të importeve në mënyrë që të hulumtoheshin tregje të reja dhe të mos keqpërdorej nga bizneset dhe prodhuesit me importin e sasive të mëdha të mallrave.

Më mirë do të ishte zbatimi i reciprocitetit në dokumentet dhe procedurat e shkëmbimeve tregtare shumë vjet më parë me këto dy shtete, sepse presioni i ndërkombëtarëve do binte mbi palën serbe dhe atë boshnjake. Njohja e tabelave të automjeteve, dokumentacionit dhe produkteve të prodhuara në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të ishte një hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe eksportet e produkteve nga Kosova do të rriteshin.

Qeveria aktuale duhet të punojë më shumë dhe të bëjë përpjekje  të krijojë kushte për joshjen e prodhuesve që kanë marka të njohura të produkteve të investojnë në Kosovë, edhe pse koha për këtë gati ka përfunduar.

Lajmet e fundit>