Biznes

Elon Musk ndryshon qëndrim në lidhje me blerjen e Twitter

Nga: PCWorld
Publikuar , 05 Tetor 2022
Lajmi bëri që aksionet e Twitter të rriteshin me 20% në më shumë se 52 dollarë. Por vlera mbetet më e ulët sesa çmimi për të cilin Musk ka rënë dakord të blejë Twitter. Elon Musk ndryshon qëndrim në lidhje me blerjen e Twitter

Miliarderi Elon Musk ndryshoi qëndrim në lidhje me blerjen e Twitter përsëri ndërsa tani është i gatshëm të vijojë me finalizimin e marrëveshjes.

Në një letër dërguar firmës, Musk pranoi të paguante çmimin që kishte ofruar disa muaj më parë përpara se të përpiqej të largohej nga marrëveshja.

Ndryshimi surprizë i qëndrimi të tij vjen pak javë pasi dy palët do të përballeshin në gjykatë. Avokatët e Musk thanë në letër se ky i fundit ishte dakord të vijonte me përfundimin e transaksionit.

Lajmi bëri që aksionet e Twitter të rriteshin me 20% në më shumë se 52 dollarë. Por vlera mbetet më e ulët sesa çmimi për të cilin Musk ka rënë dakord të blejë Twitter.

Kur Musk bëri publike dëshirën për të blerë Twitter për 44 miliardë dollarë, tha se misioni i tij ishte të pastronte rrjetin social nga llogaritë e rreme dhe të krijonte një kampion të lirisë së shprehjes.

Tashmë ai thotë se blerja e Twitter është një “katalizator për krijimin e X, aplikacionin për çdo gjë.”

Më 17 Tetor ishte parashikuar që Musk dhe CEO i Twitter Parag Agrawal të përballeshin në gjykatë.

Industria u zu në befasi nga ndryshimi i Elon Musk. Por ekspertët thonë se mundësia që Musk të fitonte gjyqin ishte zero dhe kjo shpjegon vendimin e tij të fundit. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Jack Dorsey kritikon bordin e Twitter