Analiza

Ëndrra e kriptomonedhave për ti shpëtuar sistemit global financiar po shkatërrohet

Nga: PCWorld
Publikuar , 06 Korrik 2021
E ardhmja e kriptomonedhave sot ngjan më pak si një ëndërr tekno-upopike ose fantazi liridashëse dhe më shumë si nënshtrim ndaj asaj për të cilin ishte krijuar për të rrëzuar: monopolin e shtetit mbi qarkullimin e parasë. Ëndrra e kriptomonedhave për ti shpëtuar sistemit global financiar po shkatërrohet

Që kur figura misterioze e njohur si Satoshi Nakamoto krijoi bitcoin gjatë krizës financiare të 2008-ës, kriptomonedhat vetëm sa janë shumëfishuar. Sot ka me mijëra prej tyre në qarkullim me emra intergalaktikë si: Libra, Ethereum, Stellar, Auroracoin. Edhe pse ndryshojnë në brandim, pothuajse të gjitha ndajnë një fantazi të përbashkët: për të hequr qarkullimin e parasë nga duart e politikanëve dhe anashkaluar institucionet financiare të cilat qeverisin lëvizjen e parasë në Tokë. Por kohët e fundit është bërë e qartë se kriptomonedhat nuk mund ti ikin dot asnjë prej këtyre.

Në të vërtetë, ëndrra liridashëse e mbështetësve më të hershëm të kriptomonedhave ka filluar të vdesë pikërisht në momentin kur kriptomonedhat kanë filluar të bëhen një normalitet. “Stablecoins” janë të lidhur ngushtë me vlerën e parave reale, ndërsa Rezerva Federale Amerikane po zhvillon monedhën e saj dixhitale. Banka Zgjidhjeve Ndërkombëtare ka shprehur mbështetjen e saj për bankat qendrore për herë të parë. Këto zhvillime i kanë prerë hovin idesë e së një paraje që nuk kontrollohet nga asnjë shtet. Madje edhe njohja e bitcoin si monedhë zyrtare nga shteti i El Salvadorit është kritikuar ashpër sepse po detyron qytetarët të pranojnë kriptomonedhat dhe cenuar të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Pavarësisht brandimit futuristik të kriptomonedhave, historia e origjinës intelektuale të saj është më mondane. Ideja e një paraje që nuk kontrollohet nga shtetet erdhi për herë të parë në debatet që po bëheshin lidhur me një monedhë të përbashkët Evropiane. Ndërsa Traktati i Mastrihtit në 1992 i hapi rrugën themelimi të euros në 1999, nuk ishte i vetmi model monedhe në tavolinën e asaj kohe. Një ide më pak e njohur, propozuar nga ekonomisti Gjerman Herbet Giersch në 1975, imagjinonte një monedhë paralele quajtur Europa dhe që do të qarkullonte e konkurronte me monedhat e tjera kombëtare dhe jo ti zëvendësonte. Së bashku me ekonomistë të tjerë të Shoqërisë neoliberale Mont Pelerin, Giersch mendonte se ajo çfarë ai e quante “konkurrenca e monedhave” gradualisht do ti largonte njerëzit nga lira, franga apo dhrahmitë.

LEXO EDHE:  Shfletuesi Brave hedh hapin e parë drejt një interneti të decentralizuar

Studenti i Giersch Roland Vaubel, i cili do të ndihmonte në themelimin e partisë Alternative fur Deutschland (AfD) 4 dekada më vonë, u draftua për të eksploruar idenë nga vetë Komisioni Evropian. Sakaq, në 1976 Friedrich Hajek, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me Giersch dhe Vaubel, publikoi dy pamfletë përmes Institutit të Çështjeve Ekonomike. Esetë e Hajek mbi “mundësinë për të zgjedhur monedhën” dhe tjera për “shkombëtarizimin e parasë,” u bënë gurë të çmuar për ata që dëshironin të sillnin paratë e pa kontrolluara nga shteti në ekzistencë.

Megjithatë sapo u bë e qartë se euroja qëndronte mbi europën, libertarianët filluan të kërkojnë hapësira të tjera për eksperimentim. Në gjysmën e dytë të viteve 1990-2000, interneti dukej se ofronte hapësirën e nevojshme për të kapërcyer sovranitetet kombëtare dhe kufijtë tokësorë. Në 1996 aktivisti i internetit John Perry Barlow pretendonte se “konceptet ligjore të pronës, shprehjes, identitetit, lëvizjes dhe kontekstit,” nuk aplikohen online. Disa libertarianë shkuan më larg se Barlow dhe në mëynrë pragmatike arritën në përfundimin se ligjet e vjetra të pronësisë mund të jenë edhe më të sigurta në hapësirën kibernetike, ku përdoruesit mund tu iknin qeverive dhe taksave. Në 1998, numri dy i çmimit Hayek dhënë nga Shoqëria Mont Pelerin parashikonte se interneti do të cenonte monopolin e qarkullimit të parasë nga qeveritë dhe lejuar njerëzit të zgjedhin mes ofruesve privatë të parave.

Ky vizion i parasë jashtë kontrollit të shtetit u kap edhe në manifeston libertariane në 1997 shkruar nga James Dale Davidson dhe redaktori i Times William Rees-Mogg (babai i deputetit konservator Britanik Jacob Rees-Mogg). Libri “Individi Sovran: Si ti mbijetojmë dhe të lulëzojmë gjatë kolapsit të shtetit të mirëqenies” parashikonte se interneti do të shkombëtarizonte paranë. Sipas librit njerëzit nuk do të përdornin më një monedhë aprovuar nga qeveritë por përkundrazi një para jo materiale quajtur “cybercash” që autorët e përshkruanin si të enkriptuar në sekuenca numrash shumëshifrorë të thjeshtë. Cybercash sipas tyre do të sillte “vizonin e Hajek në ekzistencë.”

LEXO EDHE:  El Salvadori blen miliona dollarë në Bitcoin përpara adoptimit si monedhë zyrtare

Libri i tyre ishte shumë popullor vetëm me një numër të kufizuar kapitalistësh të San Franciscos. I ri në moshë Peter Thiel i nxitur nga vizioni i Davidson dhe Rees-Mogg për një monedhë dixhitale që nuk kontrollohet nga shtetet filloi në 1999 kur lançoi PayPal dhe sjellë profecinë më pranë realitetit. Kompania e Thiel ishte vetëm fillimi i asaj që më vonë do të bëhej një përhapje e gjerë e monedhave të ndryshme dixhitale. Por në muajt e fundit, një e ardhme më tokësore për kriptomonedhat është vënë në fokus. Problemi i parë që u evidentua tek modeli i bitcoin përdorur nga shumica e kriptomonedhave, ironikisht është një pasojë e suksesit të vet. Zgjidhja e ekuacioneve për të blerë bitcoin të rinj, proces i njohur si mining, kërkon volume të mëdha hardueri që shpeshherë mbinxehen dhe konsumojnë sasi të mëdha energjie. Përllogaritjet e vendosin konsumin e energjisë nga bitcoin të barabartë me Suedinë dhe Malajzinë.

Ndërsa këto miniera shumëfishohen, operacionet e tyre fillojnë të zgjerohen sa të mbingarkojnë rrjetet elektrike të vendeve të tyre. Irani ndaloi gërmimin e bitcoin muajin e kaluar pas shkaktoi ndërprerje të energjisë e madje edhe fikjen e një reaktori nuklear. Shumë provinca në Kinë, një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të bitcoin, ndaluan gërmimin gjithashtu duke shtyrë shumë gërmuar të kalojnë harduerët e tyre përtej oqeanit në Kanada e shtetet si Dakota e Jugut dhe Teksasit në SHBA.

Lufta e Kinës ndaj kriptomonedhave është shtrirë edhe tek mbajtja dhe tregtimi i tyre, manovra të cilat tkurrën vlerën e Bitcoin. Koreja e Jugut bllokoi dhjetëra miliona dollarë kriptoasete nga qytetarë të pasur gjatë një hetimi për evazion fiskal. Në fillim të këtij muaji Departamenti Amerikan i Drejtësisë arriti të gjurmonte dhe rikuperonte pjesën më të madhe të bitcoinëve paguar një grupi hakerësh që sulmuan Colonial Pipeline me ransomware. Monedha që nuk gjurmohet, lë gjurmë.

LEXO EDHE:  Rritja e vlerës së kriptomonedhave krijoi 9 miliarderë të rinj

I lidhur në Tokë me kabllot e tela, kriptomonedhat me shumë mundësi do të vijojnë të jetojnë si një shtesë e monedhave shtetërore dhe jo si mënyrë për ti ikur kontrollit shtetëror. Shumica e atyre që kanë hyrë në botën e kriptomonedhave në fund të 2017-ës, u shtynë më tepër duke i parë si mundësi për të bërë para me një aset spekulativ sesa sjelljen në jetë të vizionit të Hajek. E ardhmja e kriptomonedhave sot ngjan më pak si një ëndërr tekno-utopike ose fantazi liridashëse dhe më shumë si nënshtrim ndaj asaj për të cilin ishte krijuar për të rrëzuar: monopolin e shtetit mbi qarkullimin e parasë. /PCWorld Albanian