Lajmet

EULEX-i po heton PTK-në

Publikuar , 15 Korrik 2010
0
EULEX-i po heton PTK-në

Disa heutes të EULEX -it gjatë orëve të hershme të ditës së sotme kanë filluar me punët në zyrët e PTK-së dhe sipas portalit Koha, ata kanë bastisur veturën e shefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, katin e katërt të objektit të PTK-së, ku ndodhet zyra e tij, dhe katin e dymbëdhjetë ku janë zyrat e prokurorimit.

Policia e EULEX -it vazhdimisht po nxjerr materiale të cilat po i vendos në automjetet e veta, të cilat sipas të gjitha gjasave do t’i shfrytëzojë për hetime të mëtutjeshme.

Në anën tjetër portali i Gazetës Express raporton se EULEX është duke bastisur edhe zyrat e Devolli Gorup dhe Z-Mobile në qytetin e Pejës, dhe gjithashtu po sipas këtij mediumi, hetuesit janë duke bastisur edhe shtëpitë dhe banesat e pronarëve të firmave private dhe të zyrtarëve të PTK-së.

“Aksioni për bastisje ka filluar nën dyshimin e bazuar se është bërë transferimi i licencës së operatorit të rrjetit virtual në mënyrë të kundërligjshme” ka thënë Blerim Krasniqi zyrtar për media në EULEX, për Gazetën Express.

Ndërkohë gjatë ditës EULEX ka lëshuar edhe një komunikatë për publikun rreth këtij aksioni.

Njësia ekzekutive e Policisë së EULEX-it në bashkëpunim me Task Forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës, janë duke kryer aktualisht bastisje në tetë lokacione.  Tre nga ato janë në Prishtinë, ndërsa pesë të tjerat në Pejë, thotë komunikata e nënshkruar nga Nicholas Hawton, zëvendësshef i ZSHIP, dhe Blerim Krasniqi, U.D. zëdhënësi për drejtësi. Këto bastisje, sipas komunikatës, kanë të bëjnë me çështje financiare dhe të korrupsionit në lidhje me një licencë të telekomunikimit.

Në sfond të këtyre hetimeve është bartja e një licence për telekomunikim të një ORRMV (Operatori në Rrjetin Mobil Virtual) në vitin 2007 dhe 2008 ndërmjet Dardafon Sh.p.k; Dardafon. NET. Sh.p.k  dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

LEXO EDHE:  Një zbulimi i ri hap rrugën drejt internetit wireless super të shpejtë

Prandaj, zyrat e kompanisë Dardafon Sh.p.k; kompanisë Devolli grup Sh.p.k; kompanisë Z-mobile dhe banesat private të përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur, thekson komunikata.

Përveç kësaj, disa zyra të PTK-së, në veçanti zyra e kryeshefit ekzekutiv dhe banesa private e tij, janë cak i bastisjeve. Po ashtu, këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim tjetër të dytë për korrupsion.

Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it.

Këto hetime në vijim janë duke u bërë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Lajmet e fundit>