Lajmet

Facebook dëshiron që çdo dyqan fizik të ketë një prezencë online

Nga: PCWorld
Publikuar , 19 Maj 2020
0
Pronarët e dyqaneve do të mund të komunikojnë me konsumatorë në Messenger, WhatsApp dhe Instagram Direct nga Facebook Shops për produkte specifike. Facebook dëshiron që çdo dyqan fizik të ketë një prezencë online

Facebook dhe Instagram bënë ditën e sotme lëvizjen e tyre më të madhe në blerjet online duke prezantuar Facebook Shops.

Përmes kësaj platforme bizneset mund të shndërrojnë faqet e tyre të Facebook dhe Instagram në dyqane online për ndjekësit dhe fansat e tyre.

Facebook thotë se kjo platformë do të ndihmojë bizneset të përballojnë rënien ekonomike të Covid-19. Lançimi i platformës ka filluar nga dita e sotme dhe është lëvizja më e madhe e kompanisë në e-commerce.

Me Facebook Shops, pronarët e bizneseve mund të krijojnë një seksion të dedikuar ku të shesin produktet e tyre. Listimet e produkteve do të çojnë blerësit tek uebsajti i biznesit.

Pronarët e dyqaneve do të mund të komunikojnë me konsumatorë në Messenger, WhatsApp dhe Instagram Direct nga Facebook Shops për produkte specifike.

Instagram, ku Facebook ka shtyrë në mënyrë agresive planet e-commerce, do të ofrojë një hapësirë të dedikuar për blerjet quajtur Instagram Shop.

Madje synon të integrojë opsionin e blerjes së produkteve direkt në Instagram Live. Së fundit rrjeti social Facebook do të integrojë programe besnikëri në Facebook Shops ku pronarët e dyqaneve mund të gjurmojnë dhe menaxhojnë pikët e fituara dhe shpërblimet nga blerjet e konsumatorëve. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Facebook rimendon planet e kriptomonedhës Libra