Lajmet

Faceshield Mask, një nismë mbarëkombëtare për të prodhuar maska 3D kundër COVID-19 për spitalet në Shqipëri dhe Kosovë

Nga: PCWorld
Publikuar , 28 Mars 2020
0
Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja. Faceshield Mask, një nismë mbarëkombëtare për të prodhuar maska 3D kundër COVID-19 për spitalet në Shqipëri dhe Kosovë

Një nismë e një ekipi nga Shqipëria dhe Kosova për të prodhuar maska mbrojtëse përmes teknologjisë së printimit 3D për spitalet në luftën kundër sëmundjes COVID-19 ka arritur të grumbullojë financim prej 2,400 eurosh në 24 orë.

Nisma e iniciuar nga Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës filloi me prodhimin e një pajisjeje prototip quajtur Faceshield Mask.

Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja.

Janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat!

Gepostet von Florian Shala am Donnerstag, 26. März 2020

 

Materiali i përdorur për prodhimin e maskës është filament PLA. Për të arritur prodhimin nevojshëm të maskave është e nevojshme një sasi prej 50 kg filament. Maskat janë destinuar për personelet mjekësore nëpër spitale të cilët janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin.

Për PCWorld Albanian, Dea Buza sqaroi se “Maskat në fjalë nuk kategorizohen si pajisje mjekësore, andaj nuk i nënshtrohen çfarëdo standardi. Përsa i përket mirëmbajtjes dhe dezinfektimit të maskave, ajo është çështje e institucioneve që i kanë në përdorim.”

Në lidhje me përdorimin e tyre nga stafet mjekësore, Dea tha se “Këto maska nuk u përkojnë standardeve të përcaktuara, mirëpo e plotësojnë standardin e shfrytëzimit te tyre, si mburoje e fytyrës.”

Dërgesat e para të maskave Faceshield u bënë ditën e Premte më 27 Mars prej afro 90 copë për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Brenda muajit të parë ekipi i Faceshield Mask synon që të prodhojë 1,000 maska të tilla. Nisma ka marrë kërkesa nga spitalet e Tiranës dhe Shkodrës për 500 dhe 200 maska 3D të printuara respektivisht.

LEXO EDHE:  Notepad nuk do të ikë asgjëkund dhe mbetet pjesë e Windows 10

“Kërkesat janë shumë të mëdha dhe të menjëhershme, ndërkohë që kapacitetet e prodhimit të tyre janë të vogla. Andaj edhe ju bëhet thirrje të gjithë vullnetmirëve qe ti ofrojnë kapacitetet mundësinë e veta për tu përafruar numrit te kërkesave.” vijoi Ajo.

Ekipi gjithashtu ka bërë thirrje për mbledhje fondesh për ti ndihmuar në prodhimin e këtyre maskave dhe blerjen e 3D printerave të tjerë.

Aktualisht po punojnë me një printer në ditë i cili përgjatë 18 orëve punë mund të prodhojë 16 maska dhe për të arritur objektivin e 1,000 maskave do të duheshin 45 ditë me këto resurse. Ekipet e Faceshield Mask synojn të blejnë një printer të dytë për të përgjysmuar kohën e prodhimit.

Gepostet von Dea Buza am Donnerstag, 26. März 2020

Faceshield Mask dhe mbarë Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tonë gjatë kësaj krize të cilët mund ta dërgojmë përmes PayPal në këtë lidhje: http://paypal.me/FaceShieldMaskAL

Mbështetjen mund ta dërgoni edhe përmes bankës Raiffeisen në Nr. Llogarie 0011075431 ose IBAN: AL64202112880000000011075431

Pas kalimit të kësaj situate të gjitha maskat e prodhuara dhe të tepruara së bashku me pajisjet do ti dhurohen Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë të cilat do të përdoren për qëllime edukative.

Mjekët dhe infermierët kanë nevojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tone. Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, po ashtu edhe numër shtesë i 3D Printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve.

Për të rejat më të fundit nga kjo nismë ose për të dhënë kontributin tuaj ju ftojmë ti bashkoheni grupit në rrjetin social Facebook: https://www.facebook.com/groups/219876996037646/

LEXO EDHE:  Bill Gates jep lajme premtuese për vaksinën e Covid-19

/PCWorld Albanian