Lajmet

Finalizohet edicioni i 7-të i Startup Live Tirana

Publikuar , 22 Maj 2018
0
Pjesëmarrësit u njohën me një nga rregullat më të famshme të eventeve në formatin Startup: prezantimi i idesë në një kohë mjaft të shkurtër prej 90 sekondash. Më pas, pjesëmarrësit u njohën me idetë e ndryshme dhe krijuan grupet e tyre duke u ndarë sipas preferencave. Finalizohet edicioni i 7-të i Startup Live Tirana

Startup Live Tirana startoi për të shtatin vit rradhazi edicionin e rradhës pranë ambjenteve të Fondacionit Ivanaj. Për një fundjavë të plotë, më shumë se 60 të rinj nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, patën mundësi të prezantojnë dhe zhvillojnë idetë e tyre të biznesit.

Aktivitetit nisi ditën e premte në datë 18 maj me prezantimin e moderatorit dhe përfaqësuesit të Startup Live Europe, Georg Kuttner i cili bëri një shpjegim të shkurtër për pjesëmarrësit dhe të ftuarit në lidhje me konceptin e Startup Live, si krijohet një ide biznesi dhe çfarë duhet bërë për ta kthyer atë në një ide të qëndrueshme. Fjala hapëse u mbajt nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Sonila Qato e cila shprehu suportin e saj dhe institucionit që ajo përfaqëson mbi startupet dhe sipërmarrësit e rinj duke i inkurajuar ato të vazhdojnë në rrugën e zgjedhur. Ajo përmendi disa startupe të suksesshme në Shqipëri e më gjerë për të treguar se mjafton krijimi i idesë dhe nxitjes së ndjenjës së sipërmarrjes për të hyrë në treg. Znj. Qato theksoi ndihmesën dhe mbështetjen që do tu jepet të rinjve në vullnetin e tyre për të qenë sipërmarrës të ardhshëm, duke u ofruar ambiente dhe inkubatorë për lehtësimin e rrugëtimit.

Pjesëmarrësit u njohën me një nga rregullat më të famshme të eventeve në formatin Startup: prezantimi i idesë në një kohë mjaft të shkurtër prej 90 sekondash. Më pas, pjesëmarrësit u njohën me idetë e ndryshme dhe krijuan grupet e tyre duke u ndarë sipas preferencave. Idetë u paraqitën vizualisht në mënyrë që çdo pjesëmarrës të kishte mundësinë të konsultohej dhe të bënte një vlerësim. Shumë grupe ishin të krijuara përpara nisjes së eventit, por kishte edhe nga ata të cilët ishin në kërkim të anëtarëve të rinj. Pas njohjes me idetë e prezantuara, një tjetër sfidë ishte edhe e ashtuquajtura Mashmallow Challenge e cila vendos në lëvizje shpirtin e grupit dhe punën në skuadër ku shfaqen tipare të ndryshme të karakterit të gjithsecilit në nxitjen dhe vullnetin për ta çuar lojën deri në fund.

LEXO EDHE:  Juncker zotohet se do t'i luftojë "lajmet e rreme" para zgjedhjeve evropiane

Dita e dytë i përket më së shumti fazës së mentorimit, por para kësaj pjesëmarrësit ndoqën një fjalim inspirues nga moderatori i cili prezantoi ata me mënyrën se si duhet të zhvillohet një startup, cili është qëllimi kryesor dhe ku duhet të fokusohet më shumë një grup gjatë ndërtimit të startupit. Thelbi i prezantimit ishte si të gjendet një ide e cila nuk është thjesht një ide e bukur dhe inovative, por edhe zgjidh një problem konkret. Grupet u njohën me disa nga metodat që përdoren në vende të ndryshme të Evropës për ndërtimin e një plani biznesi ku duke u bazuar në këto modele ata ndërtuan dhe hodhën në letër hapat e parë të krijimit të startupeve të tyre.

Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit është edhe pjesa e mentorimit ku mentorë të fushave të ndryshme ftohen të japin këshilla dhe ide për grupet. Disa nga mentorët e këtij viti ishin Abdullah Veliu, zhvillim biznesi nga Gjirafa.com, Adion Gorani, menaxher dhe themelues i Webhost.al, Ana Zacharian, themeluese e Albanian Skills, Blerina Goga, menaxhere e Albanian Innovation Accelerator, Aneida Bajraktari, themeluese e Balkans Capital, Edona Bilali, themeluese e AZ Consulting, Eno Bajrami, drejtor kreativ dhe themelues i AKZ Creative Studio, Entela Bodinaku nga Fondacioni Ivanaj, Tomi Kallanxhi, themelues i shumë startupeve të suksesshme shqiptare, Xhuljo Mitre, drejtor i Akademisë ikubINFO, Flori Uka, themelues i Uka Farm si edhe Igli Hakrama, pedagog tek Universiteti Epoka. Grupet patën mundësinë të njihen me mentorët dhe eksperiencën e tyre duke shkëmbyer biseda dhe diskutime mjaft frytdhënëse.

Dita e tretë dhe më emocionuesja, nisi sërish me një fjalim inspirues nga Georg. Këtë radhë, në fokus u vendos prezantimi i idesë dhe se sa e rëndësishme është mënyra se si komunikohet kjo ide, çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të thuhet gjatë prezantimit dhe çfarë ka nevojë audienca të dëgjojë. Prezantimi duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe tërheqës duke dhënë mesazhin në mënyrë të qartë.

LEXO EDHE:  Panairi i pajisjeve elektronike të konsumit

Grupet kanë në dispozicion disa orë për të punuar mbi prezantimin final për ta ndërtuar atë duke u bazuar tek këshillat e Georg mbi hapat që duhet të ndiqen.

Ceremonia e mbylljes së aktivitetit përfshiu një prezantim nga themeluesja e Fondacionit Ivanaj, znj. Drita Ivanaj e cila mbajti një fjalim mjaft frymëzues dhe motivues për të gjithë të rinjtë e pranishëm. Ndërkohë juria e përbërë nga figura të rëndësishme të jetës së biznesit e arsimit, pati mundësinë të njihej me 18 ide finale. Pas prezantimit të ideve dhe diskutimit të gjatë mes anëtarëve të jurisë, u shpallën idetë fituese ku ideja që zuri vendin e parë kishte të bënte me krijimin e lojërave fizike për fëmijë duke integruar pjesë robotike në mënyrë që të nxitej programimi dhe kodimi tek fëmijët.

Vendi i dytë u fitua nga një grup të rinjsh nga qyteti i Lezhës të cilët kishin krijuar syze inteligjente që u vijnë në ndihmë personave që nuk shikojnë. Ideja e tyre ishte në fazë zhvillimi të prototipit dhe vendi i dytë i siguroi tre muaj akselerim nga Yunus Social Business.

Vendi i tretë u rendit ideja New Life Propositions me të cilën dy djem nga Tirana synojnë të krijojnë një komunitet të moshuarish të cilët jetojnë vetëm duke i bashkuar ata në hapësira ku mund të jetojnë së bashku dhe në këtë mënyrë mund të përfitojnë të ardhura duke lëshuar me qera shtëpitë e tyre. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>