Lajmet

Foxconn mohon të ketë pasur grevë në fabrikë

Publikuar , 08 Tetor 2012
0
Foxconn mohon të ketë pasur grevë në fabrikë

Grupi i teknologjisë Foxconn gjatë fundjavës ka mohuar që prodhimi në një fabrikë kineze që prodhon pajisjen iPhoneApple të jetë ndërprerë, megjithëse mediat e vendit dhe një grup i madh i mediave të huaja kishin raportuar që disa punëtorë kanë ndalur linjat e prodhimit gjatë ditës së premte, për shkak të kontrollit të cilësisë.

China Labor Watch me bazë në Nju Jork raportoi që 3000 deri 4000 punëtorë në fabrikën e Foxconn në qytetin Zhengzhou në qendër të Kinës kanë dalë në grevë të premten pas rritjes së kërkesave për kontrollin e cilësisë dhe për shkak të rregullit për të punuar gjatë një pushimi të zgjeruar kombëtar.

Agjencia e Lajmeve Xinhua, duke cituar një zëdhënës për komitetin e menaxhimit të Xinzheng Comprehensive Bonded Area ku është vendosur fabrika, tha që disa linja prodhimi ishin ndalur të premten kur punëtorët bindën inspektorët e cilësisë që të ndalonin punën për të paraqitur pakënaqësinë e tyre për standardet e rritura për cilësi.

Foxconn deklaroi se incidenti në fabrikë nuk mund të konsiderohet një grevë

Në një deklaratë të shkruar gjatë ditës së shtunë, prodhuesi elektronik me bazë në Tajvan, Foxconn, tha që prodhimi në fabrikën Zhengzhou vazhdoi pa ndërprerje. Kjo ndërmarrje mohon grevën apo ndalimin e prodhimit.

Foxconn tha që ishin dy grindje të shkallës së vogël, të izoluara mes punëtorëve të linjës së prodhimit dhe personelit për sigurinë e cilësisë të hënën dhe të martën, por kjo ndërmarrje shtoi që ato shumë shpejt u sqaruan. Foxconn nuk përmendi se çfarë çështje kishte shkaktuar grindjet, por tha që masa të menjëhershme ishin ndërmarrë për të zgjidhur problemet, duke përfshirë shtimin e punëtorëve në linjat e prodhimit. Xinhua tha që disa punëtorë ishin të pakënaqur kur Apple rriti kontrollet e cilësisë së iPhone 5 duke ndjekur ankesat e konsumatorëve në lidhje me të metat në estetikën e telefonit.

LEXO EDHE:  Në Arabinë Saudite ekziston një aplikacion i lejuar nga Apple dhe Google që burrat të gjurmojnë gratë e tyre

Në raportin e Xinhua, zëdhënësi e karakterizoi incidentin si një grindje punëtor-staf i menaxhimit dhe jo një grevë dhe nuk ishte në gjendje të paraqiste numrin e punëtorëve të përfshirë në incident. China Labor Watch tha që disa linja të prodhimit të iPhone 5 në fabrikë ishin ndalur pasi punëtorët kishin gjetur vështirësi për kontrollet e reja të cilësisë, duke dalë kështu në grevë.

Grupi tha që punëtorët ishin po ashtu të mllefosur për shkak të nevojës për të punuar gjatë pushimit të Javës së Artë të Ditës Kombëtare të Kinës, që përfundoi të dielën. China Labor Watch tha që punëtorëve të Foxconn iu ishte kërkuar që të punojnë gjatë pushimit prej tetë ditësh nga 30 shtatori deri më 7 tetor për të arritur prodhimin sa më të shumtë në numër të iPhone 5.

Foxconn tha që punëtorët e saj në Kinë që kanë punuar gjatë pushimit e bënë këtë gjë vullnetarisht dhe u paguan tri herë më tepër se sa paga e zakonshme, në pajtueshmëri me ligjin e punës në Kinë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>