Biznes

Frekuencat 700 MHz për teknologjinë 5G vetëm në 2022

Nga: PCWorld
Publikuar , 09 Mars 2021
Mbështetur në të dhënat e AKEP, mbulimin më të gjerë më rrjet e ka Vodafone Albania, e ndjekur nga Telekom Albania dhe Albtelecom. Megjithatë, AKEP nuk saktëson nëse të dhënat janë të çertifikuara prej saj apo mbështeten vetëm në deklarimet e operatorëve celularë. Frekuencat 700 MHz për teknologjinë 5G vetëm në 2022

Këshilli i Ministrave ka miratuar Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht zgjerimin e spektrit që do të përdoret për internetin me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme.

Sipas Planit të ri, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022. Në strategjitë për zhvillimin e broadband. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte parashikuar që kjo të bëhej brenda vitit 2021, megjithatë ky afat do të shtyhet edhe me gjashtë muaj.

Brezi 700MHz aktualisht është në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive, që duhet t’i lirojnë frekuencat brenda mesit të vitit të ardhshëm. Pasi frekuencat të kalojnë nën administrimin e AKEP, ato do të mund të tenderohen për ofrimin e shërbimeve 5G nga operatorët celularë.

Shtrirja në brezin 700MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt shtrirjes së teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit. Teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera, çka është themeli për konceptin e Internetit të Gjërave (Internet of Things). Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017, vendet anëtare të BE duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronik broadband të lëvizshme. Ato mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet në bazë të arsyeve të justifikuara. Si vend kandidat për anëtarësim, Shqipëria ka shfrytëzuar të gjithë hapësirën dyvjeçare të lënë në vendimin e PE, si afat të fundit për kalimin e këtij brezi në përdorim të operatorëve të komunikimeve elektronike.

Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.

LEXO EDHE:  Media gjermane: Pse Drejtuesi i Teknologjisë në Sunrise, Elmar Grasser vazhdon të mbështetet te Huawei

Megjithëse komunikimet celulare janë në prag të kufirit të teknologjisë 5G, që në shumë vende është tashmë realitet, ende sasia dhe cilësia e mbulimit të territorit me rrjetin actual 4G lë për të dëshiruar. Sipas AKEP, mbulimi i territorit me rrjet 4G në fund të vitit 2019 rezulton rreth 73%, ndërsa mbulimi i popullsisë, të paktën duke iu referuar statistikave zyrtare, ishte rreth 95%.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, mbulimin më të gjerë më rrjet e ka Vodafone Albania, e ndjekur nga Telekom Albania dhe Albtelecom. Megjithatë, AKEP nuk saktëson nëse të dhënat janë të çertifikuara prej saj apo mbështeten vetëm në deklarimet e operatorëve celularë.

Mbulimi optimal me rrjetet e lëvizshme të internetit me brez të gjerë për Shqipërinë është i rëndësishëm, edhe për shkak se vendi ynë është ndër më të prapambeturit në Europë në mbulimin me rrjete fikse. Edhe për këtë arsye, interneti nga rrjetet e lëvzishme është një alternativë e dosmosdoshme për banorët e zonave periferike dhe rurale, tashmë që një pjesë e madhe e shërbimeve të ofruara nga sektori publik dhe ai privat po zhendosen gjithnjë e më shumë online.

/Monitor