Intervista

GameOn, një pasion i shndërruar në një pikëtakim të komunitetit “gaming” në Shqipëri

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 25 Shkurt 2020
0
GameOn arrin të njoftojë me dhjetëra mijëra ndjekës të saj çdo ditë, për të rejat që industria e gaming ofron. Në këtë intervistë për PCWorld.al, themeluesi Dritan Pecini ndan fillimet, rrugëtimin dhe peripecitë e kësaj platforme. GameOn, një pasion i shndërruar në një pikëtakim të komunitetit “gaming” në Shqipëri
GameOn Albania është një platformë e medias për të rejat më të fundit të industrisë së gaming. Përmes ndërthurjes së një website-i, kanali në YouTube dhe adresave në rrjetet sociale, një nga qëllimet kyç të saj është të luajë një rol informativ për komunitetin dhe në të njëjtën kohë të mundësojë një urë komunikimi mes të gjithë gamer-ave që ndajnë interesa të përbashkëta, kudo që ata ndodhen.
Me prejardhje nga një agjenci dixhitale marketingu, GameOn Albania fillimisht nisi si një projekt pasioni, i cili me kalimin e kohës u kthye në një prioritet parësor për skuadrën pas tij. Duke patur prezencë të fortë nga ana informative, GameOn arrin të njoftojë me dhjetëra mijëra ndjekës të saj çdo ditë, për të rejat që industria e gaming ofron. Në këtë intervistë për PCWorld.al, themeluesi Dritan Pecini ndan fillimet, rrugëtimin dhe peripecitë e kësaj platforme.

PCWA: Dritan mund të na flasësh pak studimet, backgroundin dhe angazhimet tuaja?

Studimet e mia i kam kryer në Melbourne, Australi. Kam bërë bachelor për information technology me specializim në network security, por mund të them se më tej në jetën profesionale devijova pak nga ky drejtim. Për shumë vite punova në Australi në fushën e marketingut dixhital dhe vazhdova të kryeja bashkëpunime me agjenci vendase kur u riktheva në Shqipëri. Në një pikë themelova agjencinë time të marketingut, e cila më tej mori edhe degëzimin e një platforme mediatike për gaming, që sot e njohim si GameOn. Background-i në marketing në fakt më ka ndihmuar shumë përgjatë ecurisë së GameOn-it. Tani jemi të fokusuar në rritjen dhe shfrytëzimit e mëtejshëm të potencialit të platformës sonë.

PCWA: Cili ka qenë motivimi juaj pas themelimit të GameOn?

GameOn për ne ka qenë gjithmonë një projekt pasioni, element ky tepër i rëndësishëm që deri diku mund të diktojë të gjithë mbarëvajtjen e një ideje ose sipërmarrjeje. Personalisht kam qenë vetë një gamer që në moshë të re, por duke qenë se kam jetuar jashtë, kam patur edhe mundësinë të jem më i rrahur me këtë fenomen globalisht. Përdor termin fenomen, sepse realisht e përkufizon më mirë konceptin e gaming. Është një fenomen që po pushton botën me ritme masive dhe një industri që po rritet me hapa galopantë. Çfarë më bënte çudi ishte se në Shqipëri nuk kishte asnjë lloj shfrytëzimi të potencialit të gaming. Mos më keqkuptoni këtu, sigurisht që kishte gamers dhe një komunitet që ishte i apasionuar për atë që bënte, por ishte e vështirë të identifikoje diçka më madhore që ti jepte një zë këtij komuniteti. Në këtë pikë mendova, pse të mos jemi ne ata që ta bëjmë këtë? Përse të mos i japim Shqipërisë të njëjtat mundësi në gaming që kanë edhe skenat e tjera botërore? Ndaj vendosa të krijoja GameON.

LEXO EDHE:  Episodi final i Uplift Albania Reality-Show, themeluesit e startupeve janë yjet e reja të ekraneve

PCWA: Çfarë është GameOn dhe cili është misioni?

Në përkufizimin tradicional GameOn është platformë mediatike, që mundëson informacionet dhe të rejat më të fundit rreth industrisë së gaming dhe esports. Përmes një website-i, kanali në YouTube dhe adresave në rrjete të ndryshme sociale, GameON mundëson një urë komunikimi mes të gjithë gamerava, kudo që ata ndodhen. Por siç përmenda edhe më sipër, në kontekstin afatgjatë jemi dhe aspirojmë të jemi më shumë se kaq. Ideja dhe qëllimi kryesori i GameOn është që të unifikojë dhe të përfaqësojë një komunitet. Momentalisht ne po e bëjmë këtë përmes informacioneve, kontentit tonë origjinal dhe turnamenteve të ndryshme, por e mira nuk ka fund. Dita ditës synojmë dhe përpiqemi gjithmonë e më shumë për të konsoliduar veten tonë mes komunitetit të gamers dhe në një farë mënyre për t’ju treguar atyre se kanë një prezencë ku mund të mbështeten. Platforma jonë mediatike mund të duket fillimisht e kufizuar vetëm brenda trojeve Shqiptare, por planet tona afatgjata shkojnë përtej këtyre kufinjve. Në fund të ditës ky është edhe misioni ynë final.

PCWA: Si është ngritur kjo platformë, ekipi që menaxhon?

Platforma fillimisht u ndërtua si një projekt pasioni. Ishim një skuadër e vogël që e menaxhonim dhe merreshim me të në kohën tonë të lirë. Me kalimin e kohës vërejtëm një interes gjithmonë e më në rritje nga audienca jonë për të. Kjo na bëri të kuptojmë se duhet t’i kushtonim më tepër vëmendje dhe se duhet të investoheshim më tej, sepse interesi ishte real. Njerëzit po na kërkonin për më shumë. Ndaj filluam t’i dedikoheshim më shumë dhe të fokusonim të gjithë energjinë tonë në të. Me kalimin e kohës edhe skuadra filloi të merrte përmasa më të mëdha. Tani mund të them me plot gojën se me ekipin jemi si një familje. Të gjithë ndajmë një vizion të përbashkët dhe është vërtet interesante se si bashkë me gameon-in kemi evoluar edhe ne bashkë me të. Mund të them se të gjitha vështirësitë dhe peripecitë që kemi hasur na kanë afruar më shumë. Jam vërtetë mirënjohës për skuadrën që kam, sado që ndonjëherë mund të mi ngrenë pak nervat. Të luash rolin e shefit ndoshta të vë pak në këto pozita. Gjithsesi në fund të ditës gjithmonë do jemi aty për njëri-tjetrin dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

LEXO EDHE:  I pari hackathon virtual nga Vodafone Albania në bashkëpunim me ICTSlab

PCWA: Çfarë mund të na thoni për komunitetin e GameOn dhe si ka evoluar?

Do filloj duke thënë se komuniteti i GameOn është GameOn. E përmenda edhe më sipër që arsyeja pse e gjithë kjo gjë nisi ishte prej komunitetit tonë dhe falë atyre mund të themi që qëndrojmë këtu ku jemi sot. Një nga idetë kryesore që ne kemi ndjekur në strategjinë tonë me komunitetin, ka qenë të jemi gjithëpërfshirës me të gjithë grupet që ai përmban. Këtë kemi mundur ta bëjmë përmes turnamenteve në lojëra të ndryshme dhe e bëjmë çdo ditë duke mundësuar informacione në platformën tonë për të gjithë bashkësinë e gaming. Në momentin që ti e paraqet veten si të kompletuar përpara një audience, ju jep mundësi të gjithëve ta gjejnë veten dhe të identifikohen me atë që ti po ju parashtron. Sigurisht që të gjitha gjërat e mira duan kohën e tyre. Nuk mund kurrsesi të krahasojmë ecurinë tonë fillestare me komunitetin me atë që kemi sot dhe me atë që shpresojmë të kemi në të ardhmen. Është një relatë simbiotike që ne ndajmë me fansat dhe ndjekësit tanë. Me rritjen tonë vjen dhe rritja e tyre dhe anasjelltas.

PCWA: Në aspektin e financimit, si është mbështetur platforma?

Ka qenë background-i im në digjital marketing ai që ka mundësuar financimet fillestare të platformës. Sigurisht që kur ti nis një sipërmarrje nuk mund të pretendosh që ajo të mbahet me këmbët e saj që në fillim. Pra përtej avantazheve kreative dhe aplikative që na ka mundësuar marketingu dixhital, ai na ka dhënë edhe një shysë financiare në fillimet e GameOn. Sot, gjithsesi jemi përtej asaj pike dhe platforma është plotësisht vetë-qëndrueshme. Kjo është diçka për të cilën jo vetëm ne, por çdo lloj biznesi është tepër krenar që ta arrijë. Telekom redbull etj.

PCWA: Na pëlqejnë numrat, çfarë statistikash fshihen pas GameOn?

Edhe ne na pëlqejnë shifrat, mbi të gjitha kur i shohim të rriten në fund të çdo muaji. Momentalisht për muajin janar, GameOn ka 57,000 shikime në website, mbi 10k followers në facebook dhe Instagram dhe 1.6k subscribers në YouTube. Gjithsesi statistikat më interesante për ne janë ato që përshkruajnë audiencën. Nuk ta pret mendja por mbi 70% e ndjekësve tani janë mbi 24 vjeç dhe 24% e tyre janë femra. Diçka që vërteton se mundësitë për të zgjeruar këtë komunitet nuk kanë fund dhe kufinj.

PCWA: Çfarë mund të na thoni për eksperiencën tuaj në Uplift?

Uplifti ishte realisht një eksperiencë fantastike për ne. Së pari sepse na ofroi mundësinë të ekspozohemi përpara shumë parterëve të mundshëm dhe mundësive të reja që na ndihmuan me zhvillimin e mëtejshëm të platformës sonë dhe së dyti prej vetë kohës që mundëm të shpenzonim aty. Çdo trajnim ishte një plus për ne dhe për të gjithë ekipet pjesëmarrëse. Duam të falenderojmë shumë Kushtrimin dhe ekipin e tij për mbështetjen që na ofruan dhe për një organizim fantastik. Gjithashtu Uplift, na ofroi mundësinë që të ndaleshim për një sekondë dhe ta studionim veten tonë më mirë në terma afatgjatë. Sot, mund të themi se jemi më të qartë për planet tona të mëtejshme dhe se ku duam të qëndrojmë në të ardhmen.

LEXO EDHE:  Më 3-5 Prill hakatoni Hack the Crisis Albania në kërkim të zgjidhjeve për të kapërcyer krizën e koronavirusit

PCWA: Cilat janë sfidat me të cilat është ballafaquar GameOn?

Sfidat me të cilat jemi ballafaquar deri më tani nuk kanë qenë të shumta, por as të pakta.Duhet të cilësoj se të qenurit e vetmja platformë e tillë në treg ka qenë një avantazh shumë i madh për ne, por kjo nuk do të thotë që rruga për të ardhur deri në pikën ku jemi tani ka qenë e lehtë. Konsistenca është prioriteti ynë kryesor dhe mirëmbajtja e saj gati në perfeksion nuk ka qenë e lehtë, por prapëseprapë ja kemi dalë ta arrijmë. E konsiderojmë veten deri diku si perfeksionista. E di që kjo ngjan pak e çuditshme për tu thënë, por ka kaq shumë gjëra që duam të arrijmë dhe ndonjëherë resurset janë të limituara. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm që kjo është një pengesë që do të kapërcehet me kalimin e kohës. Do të thoja me bindje se do të vijojmë të hasim pengesa në të ardhmen, fundja kjo gjë është e natyrshme, por në të njëjtën kohë dua të shtoj që i mirëpresim ato me krahë hapur. Janë pengesat ato që të motivojnë për të ecur përpara dhe për tu rritur më shumë.

PCWA: Cilat janë objektivat e radhës së GameOn?

Së pari duam të zgjerojmë më tej audiencën tonë, por mbi të gjitha të marrim kohën e duhur për t’i kuptuar ata dhe kërkesat e tyre, në mënyrë që të sigurojmë më të mirën e mundshme. Me këtë qëllim kryesor në mendje kemi identifikuar disa gjëra që mund të sjellim në stadin e dytë të website-it tonë. Këto përfshijnë sjelljen e një aplikacioni dhe një konsolidim më të mirë të komunitetit përmes shumëfishimit të eventeve dhe turnamenteve të ndryshme. Si gjithmonë e ardhmja është plot surpriza dhe mezi po presim që të shohim se çfarë ka rezervuar ajo për ne dhe ne për të. /PCWorld Albanian