Biznes

Gartner: Smartfonët tejkalojnë shitjet e celularëve të thjeshtë

Publikuar , 18 Gusht 2013
0
Gartner: Smartfonët tejkalojnë shitjet e celularëve të thjeshtë

Në tremujorin e dytë të këtij viti, shitjet e smartfonëve përbënin 52% të të gjithë shitjeve të telefonëve, duke tejkaluar ato të celularëve të thjeshtë, përgjithësisht për shkak të rritjes së konsumit në tregjet aziatike, e veçanërisht atij kinez, u shpreh Gartner.

Shitjet e smartfonëve u rritën me 46.5% duke arritur në 225 milionë njësi, ndërsa ato të celularëve të thjeshtë janë ulur me 21% vit pas viti, duke arritur në 210 milionë, shtoi firma kërkuese e tregut.

“Një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje janë zgjerimi në tregun aziatik, ku shitjet janë rritur me 74% vit pas viti. Shtete si Kina dhe India gjenden në krye të listës,” tha Anshul Gupta, një ndër analistët kryesorë në Gartner. Në këto shtete, deri para pak kohësh, dominonin celularët e thjeshtë. Çmimi mesatar i një smarfoni në Kinë është 120 $ pa taksa, ndërsa konsumatorët në vende si India, Indonezia apo Filipinet paguajnë më pak, sipas Guptas. Ai tha se në këto shtete paguhet rreth 100 $ ose më pak për një smartfon.

Samsung mbajti sërish vendin e parë në tregun e smartfonëve, me 31.7%, duke shënuar rritje nga 29.7% vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Kompania shiti 71.4 milionë smartfonë. Apple renditet në vend të dytë me 31.9 milionë smartfonë të shitur, ndërkohë që përqindja e tregut ra nga 18.8% në 14.2%. Kohët e fundit po spekulohet se Apple do të hedhë në treg një iPhone me çmim të ulët së bashku me një model të ri të smartfonit gjatë muajit shtator.

“Një iPhone më i lirë do të ndikojë negativisht në çmimin mesatar të smartfonëve. Sigurisht, mund të ndihmojë në penetrimin e tregjeve në zhvillim, por dyshoj se do t’ia dalë më mirë se iPhone 4, i cili po ecën mjaft mirë në këto tregje,” u shpreh Gupta. Nga ana tjetër, LG Electronics dhe Lenovo ishin dy fituesit e mëdhenj gjatë tremujorit të fundit.

LEXO EDHE:  Androidi mbushi 10 vite, sistemi operativ që fundosi BlackBerry, Symbian dhe Windows Mobile

LG renditej i treti (11.5 milionë smartfonë të shitur nga 5.8 milionë një vit më parë), duke përbërë 5.1% të tregut. Falë zgjerimit në tregun kinez, shitjet e Lenovo-s janë rritur me 144% nga viti në vit, duke arritur në 10.7 milionë ose 4.7% të tregut. Top 5 e prodhuesve të smartfonëve mbyllet me ZTE, të cilët kanë 4.3% të tregut. (PCWorld Albanian)

htcone

Lajmet e fundit>