Biznes

“Gjykata e Facebook” shqyron rastet e para

Nga: PCWorld
Publikuar , 03 Dhjetor 2020
0
Një rast tjetër ka të bëjë me heqjen e një citati që pretendohet se i atribuohet ministrit nazist të propagandës Joseph Goebbels. “Gjykata e Facebook” shqyron rastet e para

Bordi mbikqyrës i kompanisë Facebook ka njoftuar rastet e para që do të shqyrtojë për të përcaktuar nëse do të rrëzojë apo do të mbajë në fuqi vendimet e gjigantit të mediave sociale për të hequr postime të caktuara. Roli i bordit të krijuar në tetor, do të jetë vlerësimi i rasteve të përdoruesve të Facebook-ut dhe Instagram-it të cilët thonë se përmbajtja e tyre është hequr pa të drejtë.

“Bordi nuk mund të dëgjojë çdo rast apelimi. Ne po u japim përparësi rasteve që kanë potencialin të prekin shumë përdorues në të gjithë botën, janë me rëndësi kritike për debatin publik ose ngrenë pyetje të rëndësishme në lidhje me politikat e Facebook-ut,” tha bordi në një deklaratë që shoqëronte njoftimin të martën.

Nga gjashtë rastet e para që bordi do të shqyrtojë, tre përfshijnë të ashtuquajturën gjuhë urrejtjeje, një është rast nuditeti, një rast “individësh të rrezikshëm” dhe një rast keqinformimi të mundshëm në lidhje me pandeminë COVID-19.

Agjencia Reuters njofton se që nga tetori, bordi ka marrë 20,000 çështje për shqyrtim të mundshëm. Rasti për COVID-19 përfshinte një postim që u hoq për “dhunë dhe nxitje veprimi” sepse ishte kritik ndaj strategjisë së Francës për koronavirusin për “refuzimin e autorizimit për përdorimin e hidroksiklorokinës dhe azetromicinës kundër COVID-19 dhe autorizimin e përdorimit të remdezivirit”.

“Facebook-u e hoqi atë përmbajtje pasi shkelte politikën e tij mbi Dhunën dhe Nxitjen dhe në argumentin e tij i tregoi Bordit Mbikëqyrës se kjo çështje paraqet një shembull të sfidave me të cilat përballet kompania kur adreson rrezikun e dëmit që mund të shkaktohet nga keqinformimi në lidhje me pandeminë COVID-19 “, thuhet në përmbledhjen e çështjes në fjalë.

LEXO EDHE:  Instagram u jep krijuesve atë që kanë pritur prej kohësh

Rastet e gjuhës së urrejtjes

Rastet e gjuhës së urrejtjes përfshijnë një postim ku citohej ish-kryeministri i Malajzisë Mahathir Mohamad, të thoshte, “Myslimanët kanë të drejtë të zemërohen dhe të vrasin miliona francezë për masakrat e së kaluarës”.

Facebook thotë se kjo ishte gjuhë urrejtjeje, por personi që e kishte postuar tha se e kishte bërë një gjë të tillë për të tërhequr vëmendjen ndaj “fjalëve të tmerrshme” të Mahathirit.

Një tjetër postim që thuhet se përmbante gjuhë të urrejtjes është ai i “dy fotove të një fëmije të vdekur që qëndron i shtrirë me rroba në një plazh buzë detit” i shoqëruar me një tekst në birmanisht ku shtrohej pyetja përse nuk ka pasur “asnjë hakmarrje kundër Kinës për trajtimin e saj ndaj myslimanëve Ujgurë, në kontrast me vrasjet e fundit në Francë në lidhje me karikaturat”. Autori i këtij postimi argumenton se përmbajtja nuk duhej të hiqej sepse ajo “kishte për qëllim të mos pajtohej me njerëzit që mendojnë se vrasësi ka të drejtë dhe të theksojë se jetët e njerëzve kanë më shumë rëndësi sesa ideologjitë fetare”.

Rasti i tretë i gjuhës së urrejtjes përfshin heqjen e një postimi që tregon shkatërrimin e kishave në konfliktin armeno-azerbajxhanas. Autori thotë se, “qëllimi ishte të demonstronte shkatërrimin e monumenteve kulturore dhe fetare.”

Në një rast që Facebook-u thotë se shkelte politikën e tij kundër nuditetit, një postim në lidhje me parandalimin e kancerit të gjirit u hoq pasi tregonte gjinjtë e një gruaje.

Një rast tjetër ka të bëjë me heqjen e një citati që pretendohet se i atribuohet ministrit nazist të propagandës Joseph Goebbels.

Sipas gazetës USA Today, bordi prej 20 anëtarësh do të ndahet në panele me pesë anëtarë të cilëve do t’u caktohen çështjet që do të shqyrtojnë. Bordi tha se po kërkon komente nga publiku për rastet në fjalë deri në datën 8 dhjetor. Bordi ka 90 ditë pas kësaj date për të vendosur për secilin rast. /VOA

LEXO EDHE:  Instagram do të kërkojë verifikimin e identitetit përmes kartave të identitetit dhe patentave

Tags >

Facebook