Lajmet

Google bllokon sërish aplikacionin YouTube për Windows Phone

Publikuar , 19 Gusht 2013
0
Google bllokon sërish aplikacionin YouTube për Windows Phone

Vetëm dy ditë pasi u rilançua në dyqanin online të aplikacioneve Windows Phone, duke sjellë pak çlirim për përdoruesit e ‘’shkretë’’ të platformës, YouTube është hequr sërish.

Pse? Sepse Google e ka bllokuar sërish. “Microsoft nuk ka bërë përditësimet e duhura të shfletuesit për të siguruar përvojën e duhur me YouTube dhe ndërkohë, ka rilançuar një aplikacion që shkel kushtet tona të shërbimit,” u shprehën zëdhënësit e YouTube. “Prandaj aplikacioni është bllokuar. Ne vlerësojmë komunitetin e zhvilluesve dhe u kërkojmë të gjithëve t’u binden të njëjtave rregulla.” Edhe pse kjo situatë po i nervozon shumë përdoruesit e Windows Phone, ironia e saj duket qartazi për shumë arsye.

Së pari, Google ka refuzuar të zhvillojë një aplikacion zyrtar për YouTube, prandaj Microsoft-i është detyruar me të gjitha përpjekjet ta ofrojë atë për përdoruesit.

“YouTube është një ndër aplikacionet më tepër të shkarkuara nga përdoruesit e smartfonëve në të gjitha platformat, megjithatë Google nuk ka pranuar të bashkëpunojë me ne për të zhvilluar një aplikacion të ngjashëm me atë që gjendet për sistemet e tjera,” u shpreh Microsoft disa muaj më parë kur lançoi një aplikacion për YouTube.

Gjithsesi, në këtë lançim, përdoruesit kishin mundësi jo vetëm të shkarkonin videot por njëkohësisht edhe të bllokonin totalisht shfaqjen e reklamave. “Do të ishim shumë të lumtur edhe po të përfshinim reklamat, megjithatë, duhet që Google të na japë aksesin e duhur në API-në e vet,” deklaroi Microsoft në atë kohë.

Veprim i zgjuar, do të thoshin analistët. Që prej asaj kohe, të dyja kompanitë u shprehën se në javët e ardhshme do të punonin për të krijuar një aplikacion që përputhej me kushtet e YouTube-it.

LEXO EDHE:  Google dhe Facebook akuzohen nga Rusia për ndërhyrje në zgjedhje

Ndërkohë, bllokimi i ditëve të fundit, ka sjellë sërish një tjetër “luftë të ftohtë” mes dy kompanive. Microsoft është shprehur se duke qenë se zhvillimi i një aplikacioni HTML5 për YouTube është teknikisht i vështirë dhe kërkon shumë kohë, Google nuk po bën ende kalimin në të për Android dhe iOS.

Nga ana tjetër, kompania mendon se gjatë kësaj kohe do të ishte me vlerë një aplikacion i përkohshëm deri në një lançim zyrtar. Por, Google e ka bllokuar sërish aplikacionin. “Mesa duket arsyet e Google-it për të bllokuar aplikacionin tonë konsistojnë në faktin që përdoruesit e WP të mos marrin të njëjtën përvojë si ata të Android-it dhe iPhone-it,” u shpreh Microsoft. (PCWorld Albanian)

youtube win 8

Lajmet e fundit>