Kompania Google, që është në pronësi të Alphabet Inc, është zotuar se do të ndajë 25 milionë euro si kontribut për një fond të ri evropian që synon luftimin e “lajmeve të rreme” dhe mbështetjen e kontrollit të fakteve.
Kompanitë e teknologjisë janë nën presion të fuqishëm nga ana e shteteve, për të bërë më shumë në luftën kundër dezinformimit në internet.
“Pasiguria dhe sfidat e vitit të kaluar (2020) kanë dëshmuar se është më e rëndësishme se kurrë për njerëzit që të kenë informacion të saktë dhe të jenë në gjendje të klasifikojnë faktet nga trillimet”, tha Matt Brittin, shef i kompanisë Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Një rritje e shkallës së dezinfomimit u shënua gjatë pandemisë dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Platformat e mediave sociale u kritikuan se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të trajtuar këtë çështje. Rregullatorët kanë paralajmëruar se mund të marrin masa ndaj tyre. Fushatat e dezinformimit kanë shënjestruar edhe zgjedhjet në gjitha anët e botës.
Qëllimi i këtij fondi evropian është mbështetja e bashkëpunimit në përpjekjet për të luftuar dezinformimin, pastaj të ndihmojë në kontrollimin e fakteve dhe të zbulojë mundësi kreative për të forcuar qëndrueshmërinë e përballjes me dezinformimin.
Projektet që do të financohen nga ky fond do të zgjidhen nga Vëzhguesi Evropian për Median Sociale, një mekanizëm i Komisionit Evropian që u themelua vitin e kaluar në përbërje të studiuesve, akademikëve dhe ekspertëve të teknologjisë dhe kontrollimit të fakteve.