Lajmet

Google do të përfshijë emrin dhe foton e përdoruesve në reklamat në ueb

Publikuar , 14 Tetor 2013
0
Google do të përfshijë emrin dhe foton e përdoruesve në reklamat në ueb

Google ka përditësuar kontratën e kushteve të shërbimit me përdoruesin. Ndryshimet do të lejojnë kompaninë të përfshijë emrat dhe fotot e përdoruesve në reklama të caktuara.

Megjithatë këto kushte të reja të shërbimit, të identifikuara fillimisht nga The New York Times, përfshijnë disa limitime. Emrat dhe fotot e përdoruesve do të shpërndahen vetëm për reklama të vogla, jo më të gjata se një rresht, që shfaqen në pjesën e poshtme të një reklame apo të një liste shërbimesh të Google.

Sa herë që ju komentoni, ndiqni ose pëlqeni faqe të caktuara (+1 në Google+), ndërkohë që jeni të loguar në llogarinë tuaj në Google, kjo përmbajtje mund të shfaqet në reklama relevante. Reklamat e reja do të jenë të dukshme vetëm për ata persona që ju keni vendosur të ndani aktivitetin e mësipërm.

Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e përmbajtjes do të jetë e kufizuar për një rreth të caktuar shoqëror në Google +, pavarësisht se vlerësimet e publikuara në Google Play dhe Google+ Local do të jenë të dukshme për një audiencë më të gjerë. Google ka publikuar disa shembuj të këtyre reklamave. Për të krijuar një ide më të qartë mund të shihni fotot e mëposhtme.

Përdoruesi ka mundësi që të çaktivizojë shfaqjen e këtij informacioni në publik duke modifikuar opsionet e këtyre reklamave (shared endorsement settings). Në qoftë se përzgjidhet opsioni i çaktivizimit atëherë as emri dhe as fotoja e përdoruesit nuk do të bëhen pjesë e reklamave të Google.

Vlen të përmendet fakti që ky opsion do të jetë në dorë të përdoruesit. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e përdoruesve nuk i lexojnë kontratën e kushteve të shërbimit dhe me shumë mundësi shumë prej tyre nuk do të janë në dijeni të këtij ndryshimi. Kushtet e reja të shërbimit vlejnë vetëm për përdoruesit mbi moshën 18 vjeç dhe do të fillojnë të vihen në zbatim që prej datës 11 nëntor 2013, prandaj keni vetëm një muaj kohë për të vendosur nëse doni të përfshiheni në këtë skemë reklamimi ose jo. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Redmi Note 7 është telefoni i parë i Xiaomi si markë më vete

googlee

Tags >

Google
Lajmet e fundit>