Lajmet

Google fillon enkriptimin automatik të të dhënave në cloud

Publikuar , 22 Gusht 2013
0
Google fillon enkriptimin automatik të të dhënave në cloud

Google do t’i enkriptojë tashmë automatikisht të dhënat në shërbimin me pagesë në cloud. Kjo tentativë vjen si një kundërpërgjigjje ndaj lajmeve që kanë qarkulluar kohët e fundit mbi gjurmimin e NSA-së.

Para se të dhënat të shkruhen në disk, Google Cloud Storage do të bëjë automatikisht mbrojtjen e tyre duke përdorur Standartin e Avancuar të Enkriptimit 128-bit (Advanced Encryption Standard (AES-128)).

Google Cloud Service është një infrastrukturë me pagesë që ofron hapësirë ruajtje e cila përdoret përgjithësisht nga kompanitë (përfshi Ubisoft dhe DNAnexus) apo përdoruesit që kanë nevojë për hapësirë të madhe kujtese në cloud.

Përdoruesit kanë mundësi po ashtu t’i menaxhojnë çelësat e enkriptimit para se të bëhet transferimi i të dhënave. Gjithsesi, opsioni i enkriptimit automatik do të jetë i disponueshëm pa pagesë.

Google është shprehur se enkriptimi automatik do të ofrohet fillimisht për të gjitha të dhënat e reja, ndërkohë që ato të vjetrat do të enkriptohen në muajt në vijim.

Pavarësisht se mediat kanë spekuluar se kjo lëvizje e Google vjen për shkak të nervozizmit që ka kapur konsumatorët lidhur me spiunazhin që është raportuar se po bëhet nga qeveria amerikane, një prej zëdhënësve të Google i ka mohuar këto pretendime, duke shtuar se kompania nuk i jep asnjëherë çelësat e enkriptimit.

“Ne i japim të dhënat e përdoruesve qeverisë vetëm në përputhje me ligjin. Skuadra jonë që merret me këtë punë i sheh me kujdes të gjitha kërkesat dhe ndodh shpesh që t’i refuzojmë ato nëse nuk janë korrekte.

Nëse jemi të detyruar, atëherë ua japim autoriteteve. Askush nuk merr të dhëna direkt nga serverët apo rrjeti ynë.” (PCWorld Albanian)

google cloud

LEXO EDHE:  Më në fund zbulohet misteri pas lajmit të Microsoft për Windows 1.0

Lajmet e fundit>