Lajmet

Google teston një opsion të ri për të ndihmuar prindërit të sigurojnë aktivitetin e fëmijëve në ueb

Publikuar , 24 Tetor 2013
0
Google teston një opsion të ri për të ndihmuar prindërit të sigurojnë aktivitetin e fëmijëve në ueb

Në blogun zyrtar të Google Chrome është njoftuar se ekipi zhvillues i shfletuesit Chrome ka në plan lançimin e një opsioni të ri të kontrollit prindëror të quajtur “Përdorues të Mbikqyrur” (Supervised Users).

Aktualisht opsioni është aktivizuar në kanalin beta të shfletuesit dhe është në testim e sipër. “Supervised Users” do të lejojë prindërit të kufizojnë aksesin ndaj një grupi të caktuar uebfaqesh, ndërkohë që në ndërfaqen e Chrome është aktive llogaria e fëmijës.

Prindërit gjithashtu do të kenë mundësi të shohin një listë të faqeve të vizituara së fundmi për të aprovuar se faqet e bllokuara nuk janë aksesuar.

Opsioni do të lejojë prindërit të aktivizojnë kërkimin e sigurt në ueb (Safesearch) me qëllim fshirjen e listimeve të papërshtatshme nga rezultatet e kërkimit në Google. Për të provuar mënyrën e funksionimit të këtij opsioni në versionin beta të Chrome për Windows ose Mac, prindërit do të duhet të logohen në Chrome nëpërmjet Google login në mënyrë që të krijojnë përdorues të rinj.

Menaxheri i llogarive të mbikqyrura të përdoruesve mund të vendosin një fjalëkalim dhe një foto. Edhe në kompjuterët Chromebook proçesi funksionon po njëlloj. Google ofron suport për 18 përdorues të ndryshëm në një Chromebook të vetëm.

Kjo do të ishte ideale për ato familje që përdorin një kompjuter të vetëm. Me aktivizimin e këtij opsioni do të realizohet edhe ndarja e historikut në ueb.

Historiku i prindërve ose të rriturve nuk do të jetë i dukshëm duke qenë se përdoruesit do të kenë llogari të ndara kur të logohen në Chrome ose kur të aksesojnë Chromebook-un nëse disponojnë një të tillë.

Google nuk ka konfirmuar ende periudhën e përfundimit të fazës së testimit dhe lançimit përfundimtar për të gjithë përdoruesit, por ka të ngjarë që opsioni të aktivizohet në përfundim të këtij viti. Ky opsion do të jetë shumë i vlefshëm sidomos për ato laptopë dhe kompjutera Chromebook që do t’iu dhurohen fëmijëve me rastin e festave të fund vitit. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Versioni i ri i Chrome e bën më të lehtë shfletimin nga disa pajisje njëherazi

hp-chromebook-11

Lajmet e fundit>