Lajmet

Google zgjeron hartën e Street View

Publikuar , 28 Shkurt 2014
Google zgjeron hartën e Street View

isla_mujeres_underwaterSiç e dimë, Street View është opsioni që ofron Google në Google Maps për të marrë pamje reale se si duket një zonë e caktuar në hartë, bazuar në foto që janë bërë dhe janë ngarkuar në serverat e Google. Për shkak se planeti Tokë është goxha i madh, ende nuk është bërë e mundur që të gjitha vendet e botës të kenë të disponueshëm shërbimin Street View në Google Maps (rasti për Shqipërinë; ende nuk ka pamje të qarta në çdo vend për Street View). Por Google po punon për këtë dhe së fundmi ka shtuar disa vendndodhje të reja në opsionin Street View; disa vende nën ujë. Duke punuar në një koleksion fotosh nga vende në dhe nën ujë, Google ka shtuar disa vende të reja si zona përreth Monakos, Kankun dhe Isla Mujeres në Meksikë.

Street View nën ujë u lançua në vitin 2012 dhe ka qenë duke u pasuruar gjithnjë e më shumë, edhe pse ngadalë. Google ka filluar tashmë një bashkëpunim me Catalin SeaView Survey për këtë projekt për të përdorur disa kamera speciale për fotografi panoramike nën ujë. Deri verën e kaluar, koleksioni kishte gjashtë vende, ku përfshiheshin edhe Ishujt Filipine, Hauai dhe disa zona pranë Barrierës së Madhe të Koraleve në Australi. Tani janë shtuar edhe pamje nga bregu i Ishujve Bermuda, por një nga projektet më ambicioze të Google për Street View, është përfshirja e Ishujve Galapagos, si vende me mrekulli të rralla natyrore.

Gjatë një prezantimi vitin e kaluar në Google I/O, konferenca e zhvilluesve, Google shpjegoi se si zhytësit mbulojnë rreth dy kilometra dhe mund të marrin rreth 3000-4000 imazhe për zhytje gjatë ekspeditave të tyre. Në konferencën e vitit të kaluar, Google tha që më shumë përpjekje do të bëhen për të pasuruar me vende të reja Street View nën ujë dhe ritmet vitin e kaluar ishin tre zhytje në ditë ku secila zgjaste nga një orë. Fokusi për momentin duket se është Amerika, por Google pritet ta sjellë Street View në të gjithë botën në vitet e ardhshme.

LEXO EDHE:  Google ndërmerr masën drastike me Chrome

Një vend tjetër i veçantë që është shtuar kohët e fundit është bregu i San Françiskos i parë nga uji. Për të marrë pamje të bregut, Google i vendosi kamerat në robotin autonom që përdorin shkencëtarët e studimeve të avancuara të marinës në SHBA. Lista e vendeve të reja që u shtuan së fundmi në listën e vendeve nën ujë me Street View është kjo: Larvotto Marine Reserve, Monaco; Roche Saint Nicolas; Santa Rosa Wall, Cozumel, Mexico; Sian Ka’an, Mexico UNESCO World Heritage Site; Columbia Deep, Cozumel; Whale Sharks at Isla Contoy, Mexico; The Underwater Museum of Isla Mujeres, Mexico and the San Francisco Shoreline. (PCWorld Albanian)