Blog

Grafina, një material i ri me aftësi të rralla

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 08 Prill 2019
0
Ky material po e bën të mundur që edhe panelet diellore të jenë më efikase dhe po ndihmon në përparimin e elektronikës inteligjente. Por edhe vetë njeriu mund të përfitojë nga ky material, thotë shkencëtari Kostya Novoselov. Grafina, një material i ri me aftësi të rralla

Me trashësinë e një atomi, grafina është një prej atyre materialeve të çuditshme që thuhet se do të ndryshojnë të ardhmen. Shkencëtarët thonë se aktualisht e ardhmja mund të ketë mbërritur pasi mundësitë që ofron materiali i quajtur grafinë po vlerësohen si mjaft të rëndësishme për rrjetet e shpejta dhe efikase 5G dhe për të ardhmen e telekomunikacionit në përgjithësi.

Kjo thurje gjashtëkëndëshe e formuar nga atomet e karbonit quhet grafinë dhe ka trashësinë e një atomi, por është më e fortë se çeliku. Është përçues i elektricitetit, efikas për nxehtësinë dhe po vlerësohet për vetitë e rralla që ka.

Kostya Novoselov, fitues i Çmimit Nobël për punën e tij me grafinën, thotë se telekomunikacioni mund të jetë një fushë e mirë përdorimi pasi materiali është tërësisht transparent dhe mund të transmetojë të dhëna me shpejtësi të madhe nëpërmjet qarqeve elektrike dhe me shumë efikasitet.

“Ajo mundëson dërgimin e përpunimit të sinjalit në qendrat optike. Përveç grafinës nuk besoj se ka materiale të tjera që mund ta bëjnë këtë. Pra realizon dërgimin e sinjalit me të njëjtën shpejtësi. Përdorimi në telekomunikacion është ndoshta më i miri dhe njëkohësisht më i realizueshmi”, thotë zoti Novoselov.

Materiali i lehtë mund të përdoret në çdo fushë që nga këpucët, rrobat dhe makinat duke i bërë ato më rezistente, të përkulshme dhe inteligjente.

Aftësia e grafinës për të përçuar të dhëna me shpejtësi do të bëjë të mundur edhe rrjetet shumë të shpejta 5G që duken në horizont.

“Fillimisht u përdor si përbërës në produktet sportive. Tani po integrohet tek makinat e avancuara dhe aktualisht po shohim se po përdoret edhe për produktet elektronike. Mendoj se po zhvillohet me një ritëm të mirë si përbërës për materiale të reja”, thotë fituesi i Çmimit Nobël Kostya Novoselov.

LEXO EDHE:  iOS 12 është instaluar në gjysmën e iPhone dhe iPad në përdorim

Ky material po e bën të mundur që edhe panelet diellore të jenë më efikase dhe po ndihmon në përparimin e elektronikës inteligjente. Por edhe vetë njeriu mund të përfitojë nga ky material, thotë shkencëtari Kostya Novoselov.

“Them se materiali mund të ketë përdorim në fushën bioteknologjike apo në membrana. Por kërkohet më shumë kohë që idetë të materializohen”, thotë ai.

Ai thotë se qarqet elektronike me këtë materiali janë aq të mira dhe të shpejta sa që një sondë e hollë sa një atom mund të lexojë dhe masë aktivitetet e trurit të një pacienti dhe mund të dërgojë të dhënat tek mjeku apo t’i transmetojë ato në telefon në rast emergjence. /VOA

Lajmet e fundit>