Lajmet

Haxha përshëndetet edhe zyrtarisht nga detyra

Publikuar , 13 Dhjetor 2011
0
Haxha përshëndetet edhe zyrtarisht nga detyra

Bordi i Drejtorëve i PTK në mbledhjen e mbajtur të martën ka bërë një përmbledhje të punës së përbashkët të tyre dhe të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK. Sh.A. Bordi i Drejtorëve ka konstatuar se gjatë këtyre tri vjetëve të kaluara kanë kaluar në procese të ndryshme shpesh herë edhe të vështira në ngritjen dhe zhvillimin e korporatës.

Në mbledhje gjithashtu është vlerësuar se puna e përbashkët trevjeçare e Bordit dhe Kryeshefit Ekzekutiv të PTK ka rezultuar me ngritje të performancës financiare të korporatës që ka rezultuar me një kontribut më të madh në ekonominë e vendit. Bordi i Drejtorëve në këtë mbledhje ka falënderuar Kryeshefin Ekzekutiv të PTK Dr.Shyqyri Haxhën për bashkëpunim dhe kompetencë të lartë të treguar gjatë kësaj periudhe dhe rezultatet e arritura në kompani duke i dëshiruar atij dhe familjes së tij suksese në të ardhmen dhe përdorimin të dijes dhe përgatitjes së tij akademike në shërbim të gjithë kombit.

Në mbledhjen e sotme Bordi i Drejtorëve ka vendosur që për ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv të caktoi drejtorin e deritanishëm të Financave z.Nuredin Krasniqi.

“Dr.Haxha – tre vjet suksesi të PTK-së”

PTK në tri vitet e fundit ka shënuar ngritje të ndieshme të të hyrave të përgjithshme financiare si dhe ka rritur numrin e konsumatorëve, ndërkohë që të hyrat e përgjithshme për periudhën janar-dhjetor 2011, janë 7 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së gjatë konferencës së tij me media pohoi se gjatë menaxhimit të tij trevjeçar të PTK-së, kjo kompani ka performuar suksesshëm vit pas viti përkundër sfidave të shumta dhe tërë kompleksitetit që e ka rrethuar.

LEXO EDHE:  Xiaomi Mi 9 Pro është një flagship buxhetor me 5G

“Janë shumë arsye që e karakterizojnë edhe një vit të suksesshëm afarist të PTK-së dhe kur të kihen parasysh edhe rezultatet e arritura gjatë këtyre tri viteve, kjo tregon për përkushtimin tim të madh së bashku me gjithë stafin për të përmbyllur me sukses të madh mandatin tim trevjeçar në krye të PTK-së”, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha.

Ai ka përmendur një varg suksesesh të arritura gjatë tri viteve të fundit duke vënë theksin sidomos në stabilizimin e rrjetit dhe operimeve, rikthimin e trafikut ndërkombëtar, përpilimin e planit emergjent për ruajtjen dhe rritjen e të hyrave të Vala-s dhe PTK-së, lansimin e produkteve dhe shërbimeve të reja; numeracionin 045; eliminimin e dukurisë Sim to Sim, tejkalimin e konsumatorit të 1.2 milionët, vlerësimin e UNDP-së për PTK-në si kompania publike më e pakorruptuar, mbulueshmërinë e rrjetit nga ana e VALA-s në 100 për qind të territorit të vendit, etj.

”Grafikonët e rritjes së PTK-së janë evidente kudo dhe ky fakt mua më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë sidomos për këtë rritje të përgjithshme, edhe të trafikut të gjeneruar, edhe të numrit të konsumatorëve, që përveç të tjerash është vlerësimi më i mirë për punën e madhe të PTK-së në drejtim të komunikimit më të mirë dhe shërbimeve më kualitative, por edhe të afarizmit pozitiv”, ka nënvizuar Dr. Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK Sh.a.

Sipas tij, PTK-ja ka qenë dhe mbetet kontribuesi më i madh, përmes tatimeve dhe ndarjes së dividentës për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Rezultatet e arritura të menaxhimit të tij të deritashëm, si raporti për herë të parë pozitiv i auditorit; rritja e trafikut, shërbimeve dhe produkteve; rritja e të hyrave dhe vlerës së përgjithshme të kompanisë; ngritja e konsiderueshme e numrit të konsumatorëve që tejkalon 1.2 milionë; kualifikimi nga UNDP-ja si kompania më e pakorruptuar; sfidat e mëdha me të cilat është ballafaquar, luftimi i dukurive negative, etj – Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së është vlerësuar me shumë mirënjohje nga asociacione dhe shoqata të ndryshme.

LEXO EDHE:  Kompjuteri dhe ekrani monstër i Apple del në shitje në Dhjetor

Posta dhe Telekomi i Kosovës nën menaxhimin e Dr. Haxhës ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër në fushën e mbështetjes, promovimit dhe nxitjes së familjeve skamnore, rasteve sociale, veteranëve, artistëve dhe sportistëve duke përkrahur financiarisht përpjekjet dhe aktivitetet e tyre.

Për punën dhe menaxhimin e tij të suksesshëm, Dr. Haxha është shpallur menaxher i vitit për periudhën 2009 – 2010, nga Aleanca Kosovare e Biznesit. 

Lajmet e fundit>