Biznes

Heqja e tarifave roaming ka rritur komunikimin e shqiptarëve në vendet e rajonit

Nga: PCWorld
Publikuar , 23 Maj 2022
Disa nga masat dhe reformat politikbërëse të propozuara nga udhërrëfyesi, pjesë e katër shtyllave të mësipërme, parashikohen të realizohen në një afat kohor përgjatë 2022-2024. Heqja e tarifave roaming ka rritur komunikimin e shqiptarëve në vendet e rajonit

Heqja e plotë tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor ka sjellë një rritje të ndjeshme të komunikimit të shqiptarëve vendet fqinje në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë tremujorit të tretë 2021 numri i pajtimtarëve që kanë përdorur shërbimet roaming në Ballkanin Perëndimor është rritur më pesë herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas AKEP, numri i përdoruesve të rrjeteve shqiptare që përdorën roaming në rajon arriti në 350 mijë në tremujorin e tretë 2021, ndërsa në tremujorin e katër arriti në pothuajse 400 mijë.

Ndërkohë, volumi total i thirrjeve të përdoruesve shqiptarë në roaming, në vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti në rreth 4.5 milionë minuta për tremujorin e tretë 2021, shifër kjo pesë herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në veçanti, thirrjet dalëse arritën në gati 2.4 milionë minuta, gati 10 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Efektet pozitive të reduktimit të tarifave të shërbimeve roaming janë pasqyruar edhe në rritjen e përdorimit të shërbimit të internetit gjatë qëndrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Konkretisht, gjatë tremujorit të tretë 2021, volumi i internetit të përdorur në roaming e ka kaluar shifrën prej 103 mijë GB (gigabyte) internet, që përbën një rritje me 14 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe 11 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Procesi i uljes së tarifave roaming nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021. Heqja e tarifave roaming synon të lehtësojë komunikimin në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit.

LEXO EDHE:  Hoxton Academy hap aplikimet për grupin e dytë, diplomon inxhinierët e parë të softuerit

Procesi u mundësua falë një marrëveshjeje rajonale të nënshkruar nga vendet e rajonit në vitin 2019, me ndërmjetësimin e komisioneres së Bashkimit Europian për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale. Heqja e tarifave roaming u bë në modelin e ndjekur më parë nga Bashkimi Europian, që prej qershorit të vitit 2017.

Prej vitit të kaluar, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit kanë nisur përpjekje që një marrëveshje e ngjashme të arrihet për heqjen e tarifave roaming me hapësirën e Bashkimit Europian.

Prej vitit të kaluar, ka nisur një kounikim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe me Komisionin Europian dhe ministritë përkatëse për komunkimet elektronike në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Procesi ka filluar, me qëllim për të përgatitur një udhërrëfyes apo roadmap sesi mund të realizohet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të reduktojnë tarifat roaming me vendet e BE-së, deri në heqjen e plotë të tyre. Megjithatë, hollësitë e këtij procesi dhe rruga që do të ndiqet ngelet për t’u detajuar, në nivel politik, ligjor dhe teknik.

Dokumenti paraprak i përgatitur në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal për reduktimin e tarifave të roamingut midis vendeve të BP dhe BE, është hartuar duke u mbështetur në 4 shtylla kryesore të cilat synojnë të krijojnë kushtet e nevojshme edhe për reduktimin e tarifave të shërbimeve roaming BP-BE: Zbatimi i vazhdueshëm efikas i Marrëveshjes Rajonale Roaming (RRA); Rritja e transparencës dhe e monitorimit; Përafrim me acquis tё BE për komunikimet elektronike; Përmirësim të mjedisit të investimeve.

Disa nga masat dhe reformat politikbërëse të propozuara nga udhërrëfyesi, pjesë e katër shtyllave të mësipërme, parashikohen të realizohen në një afat kohor përgjatë 2022-2024.

Sipas AKEP, në këto masa përfshihen transpozimi i Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike në legjislacionin kombëtar të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2023; hartimi dhe zbatimi i Planeve Kombëtare të Broadband nga ana e vendeve të BP brenda vitit 2023; ngritja e Zyrave Kompetente Broadband (BCO) për investimet në broadband dhe 5G nga secili vend i Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2022; thjeshtimi i procedurave të dhënies së lejeve nga autoritetet kompetente vendase për rrjetet brenda vitit 2023; tarifa të përshtatshme për lejet dhe të drejtat e kalimit brenda vitit 2023; sigurim i aksesit në infrastrukturën fizike në pronësi të institucioneve publike; sigurim i aksesit në kohë për spektrin 5G; sigurim i një qasje miqësore për investime në spektrin 5G; sigurimi i fondeve financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor si një ndihmë shtesë për të nxitur investime.

LEXO EDHE:  Huawei dhe Woman4Cyber Albania vijojnë aktivitetet për sigurinë kibernetike

/Monitor

Tags >

roaming