Lajmet

Hotmail më popullor se Gmail në Evropë

Publikuar , 23 Gusht 2012
0
Hotmail më popullor se Gmail në Evropë

Hotmail nga Microsoft-i është klienti ueb mail më i përdorur në Evropë, me 108.2 milionë përdorues gjatë muajit qershor. Gmail nga Google është renditur i dyti me 74.7 milionë përdorues.

Ky studim u bë nga kompania hulumtuese comScore dhe rezultatet u publikuan ditën e martë.

Ndërsa shërbimi i emailit nga Microsoft është ende më i popullarizuari, vizitorët e tij unikë janë rritur me vetëm një përqind në krahasim me vitin e kaluar. Përdorimi i Gmail-it ka patur një rritje më të madhe, 18 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Yahoo Mail është renditur në vendin e tretë si ofrues i shërbimeve të e-mailit me 44.3 milionë përdorues.

Yahoo, megjithatë, është shërbimi i e-mailit ku klientët harxhojnë më tepër kohë, mesatarisht 2.1 orë në muaj në përdorimin e këtij aplikacioni. Në Evropë përdoruesit harxhojnë mesatarisht 1.9 orë në muaj duke përdorur Hotmail-in dhe 59.5 minuta duke përdorur Gmail-in, tha zëdhënësja e comScore Taanya Malik.

Dy ofruesit e shërbimeve të email-it në top pesëshe janë ofruesi rus Mail.ru dhe Yandex Mail, të cilët tërhoqën 42.3 milionë dhe 25.1 milionë përdorues respektivisht në qershor. Ofruesit e e-mailit rus kanë përjetuar rritjen më të madhe në mesin e pesë ofruesve më të mëdhenj në Evropë, duke shtuar 58.8 milionë përdorues, të cilët ishin online gjatë muajit qershor. Rusia ka audiencën më të madhe të internetit në Evropë. Në krahasim, Gjermania dhe Franca u pozicionuan në vendin e dytë dhe të tretë me 51.8 milionë dhe 43.2 milionë përdorues unikë online gjatë muajit qershor.

Hotmail është ende klienti e-mail më i përdorur në botë, me pak më shumë se 324 milionë përdorues unikë që janë kyçur në serverat e tij së paku një herë gjatë muajit qershor, sipas të dhënave nga comScore. Megjithatë popullariteti i Hotmail-it është në rënie. Në të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar gati 338 milionë ishin kyçur në Hotmail, një rënie kjo prej 4% brenda një viti.

LEXO EDHE:  Gmail dhe Google Drive jashtë funksioni në disa vende të botës

Yahoo Mail është renditur si i dyti në botë me mbi 290 milionë përdorues në muajin qershor, përdorim ky që shënon një rritje prej 2% në krahasim me vitin e kaluar. Gmail është renditur i treti dhe kishte rritjen më të madhe mbarëbotërore prej 17%, duke arritur në 277.6 milionë përdorues unikë për një muaj, u bë e ditur në publikimin e këtij hulumtimi.

Po ashtu, përdorimi i uebmailit është rritur me 6% në 905.6 milionë përdorues unikë që kyçen në muaj.

Microsoft është në procesin e ndryshimit të ofertës së vet online të e-mailit. Në fund të muajit qershor ka publikuar një preview të shërbimit të ri për përdoruesit, të quajtur Outlook.com që synon të zëvendësojë përfundimisht Hotmail-in. Gjiganti softuerik Microsoft tha se pritet që outlook.com i ri do të tërheqë përdoruesit nga konkurrentët si Gmail dhe Yahoo.

Outlook.com po ashtu do të ketë veçorinë e integrimit me Twitter, LinkedIn, Google, Facebook dhe në të ardhmen e afërt edhe me Skype. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>