Lajmet

Hoxton Academy sjell në Shqipëri metodën inovative të edukimit profesional

Nga: PCWorld
Publikuar , 18 Gusht 2021
I gjithë procesi i studimit do të ofrohet falas nga Hoxton Academy dhe pas përfundimit dhe certifikimit, inxhinierët e rinj të softuerit do të punësohen menjëherë për 2 vitet e ardhshme me një nga kompanitë që i kanë mundësuar studimin. Hoxton Academy sjell në Shqipëri metodën inovative të edukimit profesional

Me miliona kompani të cilat po shtojnë përpjekjet e tyre dixhitalizuese në mbarë botën, një sfidë e madhe e pret ekonominë globale dhe ajo është mungesa e talentit.

Edhe pse një karrierë joshëse dhe mjaft fitimprurëse, kompanitë në mbarë botën nuk po arrijnë dot të plotësojnë nevojat e tyre për inxhinierë softueri ndërsa kërkesa për talente në këtë fushë pritet të arrijë në 85.2 milionë deri në 2030-ën. Kompanitë rrezikojnë të humbasin 8.4 trilionë dollarë për shkak të mungesës së talentit.

Megjithatë realiteti është më i komplikuar sesa thjeshtë mungesa e inxhinierëve të softuerit. Problemi ka të bëjë me mënyrën sesi shumica e kompanive afrojnë dhe punësojnë këto talente.

Hoxton Academy, një projekt i nisur si fryt i një partneriteti të ngushtë mes Londrës, Tiranës dhe Prishtinës, ICTSmedia dhe Twig sjellin në Shqipëri një metodë inovative të edukimit profesional dhe punësim të menjëhershëm.

Ndërtimi i gjeneratës së re të inxhinierëve të softuerit në Shqipëri është misioni i Hoxton Academy duke ndryshuar jo vetëm jetën e dhjetëra të rinjve që do ti bashkohen në të ardhmen por njëkohësisht të ndihmojë biznese e kompani të gjejnë e të ruajnë talente në këtë fushë.

Hoxton Academy është një kompani Londineze e edukimi profesional tek e cila individë mund të nisin një karrierë të suksesshme si inxhinierë softueri në vetëm 6 muaj. Ata mësojnë sesi të kodojnë, të bashkëpunojnë, komunikojnë e të mësojnë aftësi të reja të cilat do ti bëjnë ata profesionistë shumë të kërkuar të së ardhmes.

Një partneritet i gjerë mes Hoxton Academy dhe kompanive si Twig, Hajde, ICTSlab, OneUP, Baboon, Monochain dhe Laralara do tu sigurojë bursat studentëve të cilët përzgjedhjen për tu bërë pjesë e akademisë.

Mision ynë është të ndërtojmë një botë më të mirë përmes edukimit. Jam shumë i emocionuar që po punoj në një kurrikulë dhe metodologji që jo vetëm do ti mësojë studentët me teknologjitë më të fundit për të lulëzuar në industri, por edhe ti formojë ata si zgjidhës së problemeve, komunikues më të mirë e tu sigurojë atyre aftësitë që do të dëshmohen shumë të vlefshme në karrierën e tyre,” tha Nicolas Marcora, Udhëheqës i Programit Studimor të Hoxton Academy.

LEXO EDHE:  Google ka gjetur një mënyrë për monitorimin e rrahjeve të zemrës me kamerën e smartfonit

Marcora thotë se nga Hoxton Academy do të përfitojë edhe kompanitë duke ju siguruar një grup individësh të talentuar, të etur për të mësuar dhe aftë për tu përshtatur e kapërcyer çdo problem.

Standardi i industrisë sot mbështet mbi një proces rekrutimi shumë të thjeshtë: të aplikosh për një vend pune do të thotë të kalosh nëpër procesin e intervistimit, plotësimit të CV-së apo ndarjes së eksperiencës. Nëse një inxhinier softueri nuk ka ndjekur një edukim në një universitet elitar, ata gjenden përballë sfidës së provimit të talentit të tyre. Sipas të dhënave të Stack OverFlow, 87% e inxhinierëve të softuerit thonë se kanë mësuar vetë programim.

Metodologjia e Hoxton Academy dhe aplikimi

I ndërtuar mbi formatin e një bootkampi, Hoxton Academy i jep zgjidhje ngërçit të edukimit profesional apo mungesës së talentit. Përgjatë 26 javëve të rinjtë e talentuar që kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur për të ndjekur programin do të trajnohen nga disa prej zhvilluesve më me eksperiencë të Hoxton Academy të cilët kanë trajnuar inxhinierë softueri nga kompani shumëkombëshe si Amazon, Apple, Netflix, Facebook etj. Këta studentë do të ndjekin leksione nga profesorë të universiteve UCL, Oxford dhe Cambridge University.

Hoxton Academy ka për synim të prodhojë 1,000 zhvillues të nivelit Britanik për tregun brenda 5 viteve të ardhshme. Ne synojmë që kompanitë të marrin talente të mirë edukuara nga Londra dhe nesër të kenë potencialin për të ndërtuar unikornë made in Albania,” tha Geri Çupi Kryetari i Bordit të Hoxton Academy.

Programi i Hoxton Academy përqendrohet rreth 4 moduleve: HTML & CSS, JavaScript, React dhe TypeScript & APIs

  • Java 1 – HTML & CSS
  • Java 5 – JavaScript
  • Java 11 – React
  • Java 16 – TypeScript
  • Java 17 – API-të, Node.js, serverët
  • Java 21 – CS Fundamentals
  • Java 23 – Projektet finale
LEXO EDHE:  Rritja e Ether tejkalon atë të Bitcoin

Përgjatë 6 muajve të rinjtë ndjekin 50+ leksione, 60+ provime dhe ndërtojnë një total prej 6 projektesh. Në secilin prej moduleve të rinjve ju jep 1 javë kohë për të ideuar dhe ndërtuar një projekt.

I gjithë procesi i studimit do të ofrohet falas nga Hoxton Academy dhe pas përfundimit dhe certifikimit, inxhinierët e rinj të softuerit do të punësohen menjëherë për 2 vitet e ardhshme me një nga kompanitë që i kanë mundësuar studimin.

Gjatë bootkampit të rinjtë angazhohen çdo ditë në trajnime nga ora 9:00 deri në orën 13:00 në leksione ndërsa pasditja është rezervuar për ushtrime në lidhje me çdo gjë që kanë mësuar gjatë ditës dhe sesi aplikohet në praktikë.

Kostot e studimit në programin Hoxton që shkojnë deri në 6000 euro mbulohen nga kompani të cilat garantojnë punësimin 100% të inxhinierëve të rinj. Pasi të punësohen studentët do të paguajnë mbrapsht investimin e realizuar tek ata përmes pagesave mujore me një përqindje të caktuar nga pagat e tyre.

Përvojën me ICTSmedia dhe rrjetin e nismave të saj e kemi përdorur në funksion të një studimi të mirëfilltë i cili na dëshmon se Talenti dhe potenciali i rinisë sonë si pika më e fortë në rajon, përfshirja e tyre në industrinë s IT-së , mund të ndikojë direkt në GDP-në e Shqipërisë dhe Kosovës përmes rritjes së eksporteve të kompanive të zhvillimit softuerik,” tha Kushtrim Shala, bashkëthemelues i ICTSmedia dhe Drejtor i Hoxton Academy.

Ai e sheh Hoxton si një përgjigje e nevojës për të balancuar tregun e kërkesë-ofertës, mungesës së qëndrueshmërisë së talentit në treg, kulturës së punës e mbi të gjitha mungesën e standardit të cilësisë së inxhinierëve.

Ekosistemi i Inovacionit dhe i Teknologjisë, përmes Hoxton, do të jetë pa dyshim më i pasur, më konkurrues për rajonin dhe një sinjalizim shpresëdhënës për talentet e vendeve tona se e ardhmja na takon këtu, dhe se nga këtu mund të ndryshojmë botën,” tha Ai.

Të rinjtë të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë do të kalojnë nëpër një fazë testimi dhe pastaj përzgjedhjeje. Fillimisht plotësohet formulari i aplikimit. Më pas të rinjtë kalojnë nëpër një testim logjik.

LEXO EDHE:  Pse fjalëkalimi po i reziston zhdukjes

Nëse kalojnë me sukses dy fazat e para studentëve ata do të ndjekin një zoom call dhe fillimisht do tu mësohen bazat e programimit. Një intervistë teknike që vë në provë periudhën e mësimit të bazave të programit dhe rezultati i tij janë hapat e fundit drejt pranimit si pjesë e Hoxton Academy.

Kohorta e parë e studentëve të Hoxton Academy nis trajnimin në Shtator 2021 dhe zgjat deri në Mars 2022.

Aplikimet janë të hapura në këtë lidhje: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLScTOSzYUOILD6KQr-6xvSospbEjbW9opUFz3ozvW8OMy9tjtA/viewform

Hoxton Academy, kompanitë dhe mungesa e talentit

Adresimi i mungesës së talentit nuk është një sfidë aspak e lehtë për tu kapërcyer. Miliona njerëz edhe pse nuk kanë edukimin përkatës, ata zotërojnë aftësi të shkëlqyera por që refuzohen nga kompanitë të cilat ende sot mbështeten tek një CV për të afruar talente pranë tyre.

Shumë kompani nuk duan inxhinierë softueri pa eksperiencë e në të njëjtën kohë nuk janë të gatshme të investojnë në edukimin dhe eksperiencën e tyre. Rezultati është favorizim i objektivave afatshkurtër të kompanive në vend të investimeve afatgjata në një industri të cilën e pret një boom i madh në dekadën që kemi hyrë.

Hoxton Academy heq një barrë të madhe nga kompanitë dhe bizneset. Investimi 6 mujor për afrimin e talentit do të përkthehet në një kontratë 2 vjeçare duke ju siguruar jo vetëm vlerë të shtuar por edhe rikthim të investimit nga vetë studentët. 87% e bizneseve përballen me mungesë talenti ose presin që të vuajnë pasojat e saj në vitet e ardhshme. /PCWorld Albanian