Ka hyrë në fuqi ndalimi i laptopëve dhe tabletëve për fluturime nga disa vende me shumicë myslimane në drejtim të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
Disa prej vendeve të prekura i përkasin Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut ku kësaj liste nuk i mungon as Turqia.
Zyrtarët thanë javën e kaluar se pajisjes me ekran më të madh se një telefon inteligjent nuk do të lejohen në kabinën e pasagjerëve me arsyetimin se mund të përmbajnë eksplozivë.
Ndalimi Amerikan përfshin 8 shtete ndërsa ai Britanik 6-të. Gjithsej janë prekur nëntë kompani ajrore nga tetë vende: Turqi, Marok, Jordani, Egjipt, Emiratet e Bashkuara, Katar, Arabi Saudite dhe Kuvajt.
Çdo ditë mbi 50 fluturime kryhen drejt SHBA-ve dhe Britanisë nga këto vende. Ndërkaq ndalimi Britanik përfshin Egjiptin, Turqinë, Jordaninë, Arabinë Saudite, Tunizinë dhe Libanin.
Presidenti Turk Rexhep Tajip Erdogan reagoi ashpër duke kërkuar heqjen e kësaj mase sa më parë. /PCWorld Albanian