Lajmet

ICT Awards në bashkëpunim me Aftësi për Punë S4J organizoi në Lezhë Bootkampin ICTS

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 18 Mars 2019
0
Takimi erdhi falë një memorandumi bashkëpunimi nënshkruar mes ICT Awards, Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” dhe Aftësi për Punë S4J. ICT Awards në bashkëpunim me Aftësi për Punë S4J organizoi në Lezhë Bootkampin ICTS

Java e tretë e takimeve informative që po mbahen nga ekipi organizativ në kuadër të edicionit të 7-të të ICT Awards në kërkim të talenteve dhe kreativitetit shqipfolës u përmbyll gjatë fundjavës me një aktivitet ndryshe.

Ditën e Premte përfaqësuesit e garës udhëtuan për herë të parë drejt qytetit të Lezhës dhe Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” ku gjetën plot pasion dhe frymëzim.

Fëmijët e talentuar dhe mësuesit e pasionuar nën drejtimin e Bardh Dedgjonaj lanë mbresa pozitive dhe demonstruan një potencial premtues që kjo shkollë fshihte.

Takimi erdhi falë një memorandumi bashkëpunimi nënshkruar mes ICT Awards, Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” dhe Aftësi për Punë S4J i cili vendos themelet e një bashkëpunimi afatgjatë dhe të frytshëm.

Dy ditë më pas ekipi i ICT Awards u rikthye përsëri në Lezhë për të organizuar Bootkampin ICTS me të rinj të qytetit të Lezhës, profesorë dhe drejtues nga shkolla Kolin Gjoka.

Tema kryesore e këtij Bootkampi ishte pasioni për teknologjinë dhe sipërmarrjen. Këtij aktiviteti ju bashkuan edhe bashkëthemeluesi i ICT Awards Kushtrim Shala, stafi i ICTSlab përfaqësuar nga instruktoret STEM Meri Roboci dhe Orjela Bajo aktorë të ekosistemit si Tomi Kallanxhi dhe Driton Musolli, duke e shndërruar të Dielën në një ditë plot dinamikë dhe të paharrueshme për të gjithë ata që morën pjesë.

Studentët u organizuan në 7 ekipe me 4-5 anëtare. Secili ekip kishte për detyrë të zgjidhte një model biznesi nën mbikëqyrjen e trajnerëve.

Ekipet e formuara ishin: PUSH – aplikacion dhe uebsajt food-delivery; Learn to Earn – një platformë për kurset online; Fly Umbrella – një çadër e cila ndjek personin me ndihmën e një droni dhe funksioneve të njohjes së fytyrës; Lezha Booking – një uebsajt për rezervimin e hoteleve, apartamenteve dhe restoranteve në Lezhë; Lezha Guide – një aplikacion për pika turistike të Lezhës; Give a Hand – një aplikacion për tu dhënë ushqimin e mbetur prej restoranteve njerëzve në nevojë; Solution – një agjenci për të lidhur njerëzit në Lezhë me mekanikët.

LEXO EDHE:  Agon Avdimetaj: Intervistë me Inovacionin e Vitit në edicionin e 7-të të ICT Awards

Juria vendosi Fly Umbrella si projektin më inovativ dhe Learn to Earn si projektin me ekipin më bashkërendues. Së fundi ekipi të PUSH ju dha shansi të trajnohen mbi një plan të personalizuar dhe njohur më nga afër me teknologjitë inovative në qendrën multifunksionale ICTSlab.

Ngjarja e dërgoi numrin e aktiviteteve të mbajtura vetëm javën e kaluar në 10 të tilla. Filluam me takime në Maqedoni, konkretisht Shkup dhe Tetovë, për të vizituar në ditët në vazhdim Kosovën Lindore dhe Preshevën, më pas Prizrenin ndërsa në Tiranë vijuan takimet nëpër shkolla, universitete e qendra.

Kanë ngelur vetëm 14 ditë nga afati i fundit i aplikimeve dhe thirrja e ICT Awards nuk ndalet.

Më 20 Mars ICT Awards do të takohet me studentët e shkëlqyer të Universitetit Politeknik të Tiranës në orën 12:00. Ditën e Enjte në bashkëpunim me Open Data Kosovo, ICT Awards organizon për të disatin vit me radhë sesionin informativ me komunitetin e teknologjisë në Prishtinë.

Për më shumë informacion rreth zhvillimeve të fundit të edicionit të 7-të të ICT Awards ju ftojmë të ndiqni faqen zyrtare në rrjetin social Facebook ose të na vizitoni përmes uebsajtit www.ictawards.org.

Ky edicioni shpalli të hapur garën më 6 Shkurt në 7 kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Cyber Security.

Aplikimi mund të kryhet vetëm formatin online nga uebsajti. /ICTAwards.org

Lajmet e fundit>