Lajmet

ICTSlab – Mësojmë të kodojmë dhe kodojmë për të mësuar

Sep 26 2018
0 Shpërndarje
Në ICTSlab, fëmijët do të mësojnë të kodojnë, por më e rëndësishmja, do të kodojnë për të mësuar. Nëpërmjet Scratch, fëmijët do të kodojnë në një mënyrë që i motivon për të mësuar vazhdimisht gjëra të reja, sepse ata nxiten të krijojnë projektet e tyre, për të cilët shikojnë rezultate në kohë reale. ICTSlab – Mësojmë të kodojmë dhe kodojmë për të mësuar

“Kompjuteri është si një kuti magjike, nëpërmjet të cilës ne mund të krijojmë gjithçka”. Kështu e përkufizoi kompjuterin një nga fëmijët e grupeve të para që kanë nisur rrugëtimin e tyre inovativ në qendrën ICTSlab.

Ky është përkufizimi më abstrakt, por edhe më kuptimplotë që mund ti bëhej kompjuterit, sepse sot nëpërmjet teknologjive të reja, ne vërtet mund të realizojmë ‘të pamundurën’ nëpërmjet një kompjuteri.

Ndër vite, krijuesit dhe inovatorët i kanë treguar botës se si e pamundura quhet e tillë deri në momentin që brenda tyre lind shkëndija e një ideje, e cila fal teknologjisë mund të shndërrohet në projekt real, i cili mund të ndryshoj botën.

Të gjithë këta njerëz që kanë treguar se si kompjuteri mund të bëj ‘magji’ në duart e tyre, kanë pasur një të përbashkët të madhe: imagjinatën.

Por, kush tjetër mund të fantazoj më shumë se sa një fëmijë?! Qendra inovative ICTSlab, nëpërmjet laboratorëve multifunksional me teknologjitë më moderne, synon t’ju jap pikërisht fëmijëve hapësirën të shpalosin imagjinatën e tyre, sepse sado abstrakte, e çuditshme, apo e pamundur të duket ajo sot, ata që sot janë krijues, do të jenë ndërtuesit e së ardhmes nesër.

Fëmijët mund të imagjinojnë dhe krijojnë edhe pa ndihmën tonë, por mbetet detyrë e jona t’ju tregojmë se si krijimtarinë e tyre mund ta shndërrojnë në realitet. Jemi mësuar ti shikojmë fëmijët e sotëm shumë të lidhur me teknologjinë, por përgjithësisht në mënyrën e gabuar.

Ata janë familjar në përdorimin e teknologjive të reja për të luajtur, për të komunikuar, për tu argëtuar, apo qoftë edhe për tu edukuar, por sidoqoftë mbeten ndërveprues me teknologjitë e reja, jo krijues. Që të mund të krijojnë, fëmijët duhet të mësojnë të kodojnë.

Të mësojnë të kodojnë nuk do të thotë se fëmijët do duhet të bëhen detyrimisht programues, por është e sigurt që aftësitë koduese do ti ndihmojnë ata të shkëlqejnë në çdo fushë të studimeve apo karrierës që do të zgjedhin.

Kodimi zhvillon të menduarin kritik, që nënkupton se fëmijët bëhen më të aftë në analizimin e një problemi, përcaktimin e hapave të zgjidhjes së tij, dhe zhvillimin e këtyre hapave sipas një rrjedhe logjike. Përveçse në kodim, ata tentojnë ta shfrytëzojnë këtë mënyrë të menduari për të kuptuar më mirë se si funksionon bota reale.

Gjithashtu, kodimi nxit kreativitetin tek fëmijët, pasi për çdo problem, ekziston një varietet i pafundëm kodesh që mund të çojnë në zgjidhje. Në një të ardhme jo të largët, kodimi do të jetë çelësi për të hapur shumë dyer mundësish punësimi, karriere, dhe aftësi e domosdoshme për të konkurruar në ekonominë globale.

Në ICTSlab, fëmijët do të mësojnë të kodojnë, por më e rëndësishmja, do të kodojnë për të mësuar. Nëpërmjet Scratch, fëmijët do të kodojnë në një mënyrë që i motivon për të mësuar vazhdimisht gjëra të reja, sepse ata nxiten të krijojnë projektet e tyre, për të cilët shikojnë rezultate në kohë reale.

Për më tepër, ICTSlab ju jep fëmijëve mundësinë ti ndajnë projektet e tyre, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me ekspert të fushës së teknologjisë, duke i bërë ata pjesë të komunitetit më të rëndësishëm të teknologjisë në rajon.

Më të mirët, kanë shansin të konkurojnë me projektet e tyre inovative në gara lokale, kombëtare e rajonale në të ardhmen ku do të gjejnë mbështetjen dhe motivimin e nevojshëm për të ecur me hapa të sigurt drejt të ardhmes dixhitale. /ICTSlab

Lajmet e fundit>