Analiza

Intel po humb miliarda dollarë në përpjekjet për të hyrë në botën mobile

Publikuar , 20 Prill 2014
0
Intel po humb miliarda dollarë në përpjekjet për të hyrë në botën mobile

intel-logoIntel ka publikuar raportin për tre mujorin e parë të 2014 dhe gjërat nuk po rezultojnë të jenë pozitive për divizionin e proçesorëve mobil. Vitin e kaluar divizioni i çipeve mobile të Intel ka humbur 3.15 miliard dollarë, një rritje e madhe kjo e humbjeve përkundër 1.78 miliard dollar në vitin 2012. Situata po duket edhe më keq këtë vit, ku në tremujorin e parë të 2014 divizioni i pajisjeve Mobile dhe Komunikimit pati një humbje prej 929 milion dollarë, duke patur vetëm 156 milion dollarë të ardhura. Të ardhurat e divizionit kanë rënë me 52 % krahasuar me muajin e kaluar dhe 61 % me tremujorin e vitit të shkuar. Për të qenë të qartë, divizioni mobil i Intel përfshin pajisjet për konektivitet si Wi-Fi, Bluetooth, GPS dhe teknologjitë mobile të proçesorëve.

Mesa duket Intel po përpiqet të hyjë në botën e pajisjeve mobile, por që të ardhurat kanë rënë ndjeshëm përgjatë vitit 2013 dhe humbjet janë shtuar gjatë viteve të kaluara. Intel e ka të nevojshme të kapë ARM-në me proçesorët e saj, por që diçka është e qartë se çipet mobile të Intel nuk po i rezistojnë tregut.

Një vit plot produkte të reja, por aspak rezultate

Kompania Intel nuk ka qëndruar në heshtje, por është munduar të vërë në zbatim planet e saj për të hyrë në botën mobile gjatë vitit që kaloi, dhe në fakt më shumë të dhëna kemi për procesorët mobil që do të vijnë nga Intel sesa nga liderët e tregut në këtë sektor si Qualcomm. Intel deri më sot akoma nuk ka prodhuar një produkt i cili ka arritur të tërheqë vëmendjen e prodhuesve të smartfonëve dhe tabletëve. Kjo është shumë problematike, pasi smartfonët dhe tabletët janë pjesa kryesore e tregut mobil. Intel zbuloi arkitekturën e saj Silvermont pothuaj një vit më parë, e cila përfshin çipet Merrifield për smartfonët, dhe proçesorët Baytrail për tabletët. Përsa i përket performancës të këtyre çipeve, ato ofrojnë të njëjtën eksperiencë si linja e proçesorëve ARM dhe do të ofronte eksperiencë më të mirë për konsumatorët me mbështetje për produktet.

LEXO EDHE:  Tesla prezantoi makinën më të re elektrike për masat, Model Y

Proçesorët Merrifiled ishin planifikuar të lançoheshin nga fundi i vitit të kaluar, por përfunduan të prezantoheshin në Kongresin Mobil Botëror në fundin e muajit shkurt të këtij viti. Tabletët BayTrail pritet të vijnë nga mesi i këtij viti, por edhe ato kanë kohë që janë përfolur për tu lançuar. Gjithashtu nuk po shihet asnjë interes nga prodhuesit e smartfonëve dhe tabletët për proçesorët Intel. Intel gjithashtu fuqizonte shumë pak pajisje me çipet e saj vitin e kaluar. ASUS PhonePad dhe Lenovo K900 ishin të vetmet pajisje që kanë çipet Intel. Një tjetër problem i Intel është edhe mungesa e modemëve të integruar. Nëse Intel do të rivalizojë seriozisht Qualcomm, konektiviteti i integruar është diçka e domodoshme. Intel po punon në këtë teknologji, por nuk pret të ketë akoma produktet e saj të integruar me LTE para 2015-ës.

A nuk është tepër vonë për Intel?

Përpara se të bëhemi pesimistë rreth shanseve të Intel në botën mobile, kompania duket të ketë një axhendë mjaft të ngarkuar me prezantime produktesh të reja këtë vit. Problemi më i madh i Intel është se merr shumë kohë që produktet e saj të arrijnë tregun. Intel do të jetë e para kompani që do të prodhojë proçesorë 14 nm, e cila do ti japë kompanisë një avantazh përkundër prodhuesve të çipeve ARM përsa i përket efiçensës së energjisë, por që Cherry Trail nuk do të vijë përpara fundit të 2014-ës. CherryTrail ka për qëllim tregun e tabletëve, me arktitekturën 14 nm që mund të vijë edhe në smartfonë në formën e arkitekturës së re Broxton në 2015. Në të njëjtën kohë në do të shohim në treg proçesorët e performancës së lartë Dual Core Merrifield nga gjysma e këtij viti të ndjekur nga proçesorët Quad Core Moorefield.

LEXO EDHE:  Intel zbulon procesorin me të gjitha bërthamat me frekuencë 5Ghz

Intel gjithashtu ka plane për tregjet e vogla, me proçesorët e saj 3G SoFia për smartfonët të planifikuar të shfaqen në treg nga fundi i këtij viti. Zhvillimi i këtyre çipeve buxhetore do të vazhdojë edhe në vitin 2015, ku Intel do të lançojë çipet e saj 14 nm 4G/LTE SoFia. Për produktet më cilësore, Intel gjithashtu do të ofrojë modemët e saj LTE këtë vit në formën e çipeve XMM 7260 që do të shoqërojnë proçesorët MerriField.

Proçesorët Broxton do të jenë kulminacionet e përpjekjeve të Intel në botën mobile në 2015-ën, e cila do të jetë pikëtakimi i tabletëve dhe smartfonëve në rrugën drejt arkitekturës 14 nm. Gjithsesi, proçesorët Broxton nuk do të vijnë përpara 2015, ndërkohë që Intel do të vazhdojë të qëndrojnë me Merrifield dhe Moorefield deri vitin e ardhshëm. (PCWorld Albanian)

Tags >

intel
Lajmet e fundit>